Kolegji Zgjedhor Gjyqësor i ka dhënë fund betejës ligjore të kandidatit për deputet, Aulon Kalaja, dhe Partisë Lëvizja e Legalitetit, duke vendosur të pushojë gjykimin e çështjes. Vendimi i marrë sot me shumicë votash, hodhi poshtë kërkesën për rinumërimin e të gjitha kutive të votimit në Qarkun Durrës.
Kërkesëpadia, e cila kishte si objekt ndryshimin e rezultateve zgjedhore dhe shpalljen e pavlefshme të tyre në zonën e Durrësit, u rrëzua nga trupi gjykues me arsyetimin e “mungesës së legjitimitetit të paditësve”. Kjo do të thotë se gjykata vlerësoi se Kalaja dhe partia e tij nuk kishin të drejtën ligjore për ta ngritur këtë çështje.
Vendimi i Kolegjit Zgjedhor, me numër 23, është i formës së prerë dhe ndaj tij nuk lejohet ankim, duke i dhënë kështu një epilog përfundimtar kërkesës së kandidatit për deputet për rinumërim.
Reagimi i Aulon Kalase
Kandidati në listën e hapur të PD-Aleancës për Shqipërinë Madhështore në zgjedhjet 11 majit në qarkun Durrës, Aulon Kalaja ka reaguar në lidhje me vendimin e Kolegjit Zgjedhor pas kërkesës së tij, teksa shtoi se do të vazhdojë betejën në SPAK. Ai deklaroi se mos hapja e kutive të votimit në Durrës, ishte vendim i programuar. Kalaja shtoi se ata nuk ishin gjyqtarë, por robotë, të cilët i kishin programuar për të mos hapur kutitë e Qarkut Durrës. Gjitahshtu ai shtroi dhe disa pyetje duhe thënë fund “shihemi në SPAK dhe Gjykatë Kushtetuese”.
“Kolegji Zgjedhor mori një vendim të turpshëm dhe jo të bazuar në ligj. Ndërkohë beteja ime do të vazhdojë në SPAK dhe Gjykatë Kushtetuese. Unë nuk tërhiqem. Sot i ashtuquajturi Kolegj Zgjedhor, pa e lexuar fare ankimimin tim prej 13 faqesh dhe pa na dëgjuar fare ne, si palë paditëse, vendosi jo vetëm mos-legjitimimin tim si kandidat në proces, por edhe mos-legjitimimin e PLL, e cila mundësoi hapjen e një pjese të kutive të Qarkut Durrës, sadopak.
Ata nuk ishin gjyqtarë, por robotë, të cilët i kishin programuar për të mos hapur kutitë e Qarkut Durrës. Nuk e di se ku të ankohesh dhe drejtësia është kthyer në iluzion. Ndaj unë sot kam disa pyetje:
1- Përse Qarku i Durrësit nuk u rinumërua i plotë si Tirana dhe Fieri?!
2- Përse nga 593 kuti që ka gjithsej Qarku Durrës, u vendos se do rinumëroheshin 290 dhe pastaj u rinumëruan 152 kuti?
3- Përse në Qarkun Durrës u anulua rinumërimi?! Çfarë fshihet pas?! Kush e urdhëroi?!
4- Përse u tërhoq KQZ nga rinumërimi ku diferenca ime u ngushtua me mbi 100 e kusur vota?!
5- Përse KAS nuk pranoi të hapeshin kutitë e parinunëruara ndërkohë që unë paraqita 8 video të reja si provë?!
6- A kam të drejtë të mar vesh se sa vota kam marë?! Një gerë më thanë se kam marë 8120, kurse tani më thanë se kam marë 8135 vota. Por për një gjë jam krenar, që nuk kam vjedhur asnjë votë, përkundrazi më kanë grabitur vota. Në respekt të qytetarëve që më besuan, do shkoj deri në fund.
Këto pyetje dhe shumë të tjera do i drejtoja sot Kolegjit Zgjedhor, por ata mbyllën veshët dhe sytë dhe u treguan gjyqtarucë-robotikë, që shohin vetëm hallet e veta dhe nuk japin drejtësi. Madje as nuk i lexojnë ankimimet. Për këtë gjë i paguajmë, apo jo?! Nga unë keni këtë koment: Shihemi në SPAK dhe Gjykatë Kushtetuese”, tha Kalaja.