Këshilli i Ministrave vendosi dje autorizimin e ministrit përgjegjës për Çështjet Vendore për negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes me njësitë e vetëqeverisjes vendore për krijimin e Akademisë së Pushtetit Vendor, një strukturë të përbashkët me bashkitë që do të trajnojë në mënyrë të vazhdueshme të gjithë punonjësit e bashkive, nga kryetari deri te stafi më i thjeshtë.
Sipas vendimit të marrë nga qeveria, Akademia do të drejtohet nga një komitet i përbërë nga përfaqësues të bashkive dhe nga qeveria, përmes Ministrit të Pushtetit Vendor.
Të gjitha bashkitë do të kontribuojnë financiarisht për funksionimin e saj, ndërsa qeveria do të mbulojë gjysmën e kostove për tre vitet e para. Fondet do të përdoren për trajnime profesionale që synojnë të rrisin aftësitë dhe performancën e administratës vendore në shërbim të qytetarëve.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku u shpreh në një postim në rrjetet sociale sot se, me këtë vendim të Këshillit të Ministrave çelet rruga për krijimin e Akademisë së Pushtetit Vendor, ku për herë të parë Bashkitë e Shqipërisë do të mund të themelojnë një institucion të përbashkët që do të ofrojë trajnime të vazhdueshme për administratën vendore.
Mazniku theksoi se, 50% e kostos në 3 vitet e para për punën e Akademisë do të mbulohen nga qeverisja qendrore dhe bashkitë do të përfitojnë trajnime, zhvillim profesional të qëndrueshëm dhe forcim të kapaciteteve të tyre profesionale për dhënien e shërbimeve cilësore e të standardeve europiane për qytetarët.
Në Akademinë e Pushtetit vendore pritet të trajnohen 26 097 punonjës në 3 vjet.
