Miliarderi amerikan Jeff Bezos, i cili u martua së fundmi në Venecia, ka lënë një bakshish të majmë për stafin e hotelit luksoz me shtatë yje, ku qëndroi me bashkëshorten e tij të re, Lauren Sánchez.
Sipas informacioneve të publikuara nga gazeta italiane Il Gazzettino, Bezos ka lënë një bakshish prej 45.000 euro.
Sipas të njëjtave burime, Bezos nuk ka konfirmuar dhe as mohuar lajmin, por në rrugicat e qytetit venecian, banorët flasin prej ditësh për gjestin mbresëlënës dhe bujar të themeluesit të Amazon.
Mediat italiane kujtojnë gjithashtu se Bezos shpenzoi deri në 30 milionë dollarë për dasmën e tij madhështore që u zhvillua rreth tre javë më parë në qytetin e Venecias.
Sipas përllogaritjeve, kjo shumë përfaqëson vetëm rreth 0.013% të pasurisë së tij totale, e cila përfshin si pasuri të paluajtshme ashtu edhe kapital në lëvizje.
Ceremonia luksoze dhe bujaria e Bezos kanë bërë që emri i tij të jetë në qendër të bisedave në qytetin lagunor, ku stafi i hotelit është raportuar të jetë “thellësisht mirënjohës” për shpërblimin e pazakontë.