XHEVAT MUSTAFA/ Letrën për Ramiz Alinë e dërgova me postë rekomande më 11 korrik. Të nesërmen, më 12 korrik, aty rreth orës 12.00, më thërrasin në Komitetin Qendror të Partisë. Në fillim, në paradhomën e kabinetit të Ramiz Alisë, më priti Guro Zeneli, me të cilin kisha njohje. Më siguroi se letra ishte lexuar nga shoku Ramiz dhe më këshilloi që të mos flisja me asnjeri për letrën dhe për ato që kishin ndodhur në Kavajë. Më pas u takova me miqtë e mi gazetarë Spiro Dede dhe Mehmet Elezi. Edhe këshilla e tyre, me dashamirësi e sinqeritet, ishte “heshtja e plotë”…Atë natë nuk mbylla sy.
Përjetova dramë dhe dilemë të fortë. Me të drejtë, më mbyti me qortime edhe gruaja. „ “Si nuk mendove as për mua dhe dy fëmijët?! Ty mund të të arrestojnë, ne na internojnë…!” E qetësova disi, duke u përpjekur ta bindja se”shumë shpejt do të vinin ndryshime të mëdha edhe në Shqipëri e ky regjim nuk do ta kishte të gjatë…!” Po kështu, isha në dyshime edhe për mënyrën e veprimit tim. Po të bëja siç më këshilluan miqësisht, Guro Zeneli, Spiro Dede dhe Mehmet Elezi, llogarita mundësinë se duke mos qenë publike kjo letër, njerëz të sigurimit mund të më arrestonin, duke sajuar një akuzë të zakonshme për kohën, “agjitacion dhe propangandë”, “veprimtari armiqësore kundër partisë dhe pushtetit popullorr”…!?
Ndërsa bërja publike e të vërtetës nga terreni në Kavajë dhe në letër mu duk alternativa më e mirë për vetëmbrojtje. Nëse do të më ndodhte gjë, do të kuptohej se shkaku ishte letra dhe guximi për të vënë në dijeni vetë Ramiz Alinë për të vërtetat e Kavajës…Kështu bëra. Të nesërmen ua lexova letrën disa kolegëve në redaksi dhe u tregova për ngjarjet e Kavajës plot miqve të mi në RadioTirana, në Televizion dhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë…Për fatin tim të mirë, falë edhe shpejtimit të krijimit të PD-së, nuk më ndodhi asnjë e keqe prej kësaj letre, me përjashtim të vënies nën survejim… Gjithsesi, në Kavajë e dinin vetëm njerëzit e mi familjarë, më të afërt si dhe shoku im i fëmijërisë, Josif Doja. Shumica e protagonistëve dhe viktimave të protestave demokratike dhe antienveriste në Kavajë nuk e dinë as sot e kësaj dite, sepse nuk u kam dalë përpara duke rrahur gjoksin për atë letër, që mund të më kushtonte shumë shtrenjtë… Ndryshe nga ata që ishin me mijëra në Kavajë, unë isha i vetëm në Tiranë. Për më tepër 500 metra larg Ministrisë së Brendshme, 150 metra larg Komitetit Qëndror të PPSHsë, 100 metra larg Kryeministrisë…Kjo letër më nxiti që po ato ditë të nisja romanin tim të parë “Zë i prerë”, botuar më 1993, në të cilin një fragment prej rreth 20 faqesh i kushtohet demonstratës të rinisë së Kavajës më 10 korrik 1990 dhe vrasjes së Josof Budos, natyrisht përpunuar artistikisht…
Gjithashtu, kjo letër shënon edhe fillimin e “divorcimit” tim politik me PPSH-në, përfunduar zyrtarisht më 20 shkurt 1991, me kalimin si gazetar dhe drejtues tek “Rilindja Demokratike”. Kjo letër mund të cilësohet edhe shkrimi im i parë, në stivën prej rreth 2500 editorialesh, analizazh, komentesh, opinionesh gjatë këtyre 35 viteve, botuar në të gjitha gazetat e përditshme në Shqipëri dhe Kosovë, me përjashtim të “Zëri i Popullit” Sinqeritetin tim për këtë letër e dëshmojnë edhe libri i Mehmet Elezit “Nuk isha student i Dhjetorit”, 2016 dhe libri i Josif Dojës, “Baladë për Josif Budon”, 2017.
PAS 35 VITEVE, ZHGËNJIM DHE KEQARDHJE…
Sot, pas 35 viteve, kur përkujtojmë Demonstratën e 10 Korrikut 1990 dhe vrasjen e “Dëshmorit të Parë të Demokracisë”, Josif Budo si dhe protestën masive popullore të varrimit e tij më 11 korrik, tek shumica e banorëve të Kavajës dhe popullit në Shqipëri, është i fortë dhe masiv zhgënjimi për mos përmbushjen e shumicës së kërkesave në sheshet e protestave antikomuniste dhe të premtimeve nga qeveritë, 21 vjet “të majta” e 12 vjet “të djathta” !? Po kaq e fortë është edhe keqardhja, që nuk mund të themi me zemër dhe bindje se sakrifica e djemve të Kavajës, Shkodrës, Tiranës dhe e të gjithë martirëve të demokracisë në mbarë vendin, të vrarë, të vdekur apo të gjallë, kanë sjellë atë “Liri dhe Demokraci” në standardet që ëndërronin dhe dëshironin Josif Budo me shokë e shoqe në mbarë Shqipërinë. Vërtetë u rrëzua diktatura komuniste dhe prej mbi 33 vitesh jetojmë me liri dhe demokraci të gjerë, por, përsëri nuk mund të shprehemi me zë të lartë dhe me krenari para Josif Budos dhe martirëve të tjerë të vrarë apo të gjallë se e kemi bërë Shqipërinë siç e deshën ata, “Zvicër dhe si gjithë Evropa”.
Fakti që në qeverisjen aktuale, 4 mandatëshe, janë në majë të piramidës bij e bija, nipër dhe mbesa, dhëndurë e nuse të ish nomenklaturës komuniste; që tufa veteranësh sfidojnë apo provokojnë DEMOKRACINË me portretet e Enver Hoxhës në duar në festimet e 29 Nëntorit, 5 majit… apo në ditët e tij të lindjes e vdekjes; nuk të lejojnë të thuash me bindje të plotë se kanë vdekur përgjithmonë enverizmi dhe komunizmi në Shqipëri!? Edhe se vendi është për nga standardet në zbatim një demokraci e vërtetë, e plotë, funksionale. Shprehur në mënyrë figurative, atje në parajsë Josif Budo, ashtu si bijtë dhe martirët e Shkodrës, të vrarë më 2 prill 1991 e të tjerë pas tyre, mund të përjetojnë zhgënjim, fyerje, keqardhje. Për më tepër, edhe që edhe pas 35 vitesh, ata që për 47 vjet e mbajtën në këmbë diktaturën komuniste e që më 1991-1998 dhe deri më sot, vranë shqiptarë më shumë se pushtuesit italianë dhe gjermanë bashkë, nuk e kanë çuar ndërmend as të ndjejnë faj, vrasje në ndërgjegje dhe as të shprehin pendesë e të kërkojnë falje për krimet monstruoze, që kanë kryer mbi bashkëkombësit dhe bashkëqytetarët e etiketuar dhe të masakruar si “armiq të partisë e të popullit”. Pasardhësit apo trashëgimtarët e tyre kanë rrëmbyer në Demokraci të gjitha pushtetet dhe janë të bashkuar e të vendosur t’i mbajnë fort, me mashtrime e demagogji, të kthyera në art e shkencë, me armë dhe me miliarda korrupsioni, kanabisi, krimi, biznesesh me copa toke e nëntoke si dhe detrash Shqipërie…
Nga ana tjetër, PD-ja dhe opozita në përgjithësi, po përjetojnë një periudhë të tejzgjatur kukullizimi, formaliteti apo kome, duke mbetur shumë larg vetvetes më 11 dhjetor 1990 dhe 22 Mars 1992 si dhe pritshmërive ndaj tyre. Apo, në mënyrë figurative, si një garniturë pluralizmi dhe demokracie!? Kjo gjendje e PD-së dhe brishtësia e koalicionit opozitar, pa fuqi rrotacioni politik dhe qeverisës, kanë dëmtuar ndjeshëm e për një kohë të gjatë edhe pluralizmin dhe demokracinë, Shqipërinë dhe Kombin, pra shumicën e shqiptarëve të sotëm e të ardhshëm…! Harresa, braktisja apo nëpërkëmbja e idealit dhe sakrificave të Josif Budos dhe të martirëve të tjerë të demokracisë nga politikanë dhe qeveritarë të këtyre 35 viteve shpreh mosmirënjohje, zbrazëti ideali, morali, përgjegjshmërie…Ndërsa diskriminimi shumëformësh dhe i lehtëkuptueshëm i Kavajës dhe Shkodrës, edhe nëpërmjet papunësisë, varfërimit, emigracionit dhe kriminalitetit masiv, shpreh hakmarrje tinzare për kontributin e tyre historik për shembjen e komunizmit dhe për fitoren e demokracisë.
******
Policët e droguar që mësynë vajzat në plazh e vrasja e Josif Budos më 10 korrik 1990 në Kavajë
Duke iu lutur të mos më keqkuptoni për vetëlavdërim, sot, pas 35 vitesh, thjeshtë si fakt historik e si ngjarje të përjetuar, po ju bëj të njohur letrën, që i kam dërguar më 11 korrik 1990, ish-Sekretarit të Parë të KQ të PPSH-së, Ramiz Alia. E kam përmbledhur për t’u mos u ngrënë më shumë kohë. Është e kuptueshme, që kjo letër mban frazeologjinë dhe frymën e kohës.
LETRA E PLOTË
I dashur shoku Ramiz! Jam Xhevat Mustafa, redaktor në redaksinë e Kulturës në Radio Tirana prej 20 vitesh. Po ju shqetësoj për ngjarjet në Kavajë më 10 korrik…Nga sa kam parë me sytë e mi si dhe ato që më kanë treguar njerëzit e mi të familjes si dhe disa shokë e miq, kundërveprimi i forcave të policisë dhe të sampistëve atë ditë ka qenë tejet i ashpër dhe i dhunshëm. Disa nga sampistët, me ato veprime që kryen në plazhin e Golemit paraditën e 10 korrikut ndaj disa femrave të reja, duke u futur duart në gjinj e kofshë si dhe në qytetin e Kavajës, ndaj disa qytetarëve, edhe të moshuar e anëtarë partie, nëpër trotuare, rrugë e lokale, si dhe nga pamja, jepnin arësye të dyshohej se mund të ishin injektuar me doza droge, për të humbur vetëpërmbajtje dhe logjikë.
Egërsimi i tyre arriti kulmin mbasdite, me sulmin ndaj njërit prej pjesëmarrësve në protestën e paradites, Josif Budos dhe vrasjen e tij të paramenduar, kur nëpër dyert e shtëpive përdhese dhe nëpër ballkone, ishin plot qytetarë, që i shikonin nga afër dhe fare mirë. Mendoj se kjo nuk është bërë rastësisht. Urdhëri nga lart dhe synimi ka qenë për t’u dhënë një mësim të mirë jo vetëm rinisë, por të gjithë qytetarëve të këtij qyteti, ku qysh nga muaji mars, janë organizuar protesta me kërkesa jo vetëm sociale dhe ekonomike, por edhe politike. Sipas gjykimit tim këto protesta nuk janë të nxitura nga jashtë, por janë rrjedhojë e papunësisë dhe varfërisë masive në këtë qytet.
Edhe drejtuesit dhe shumica e protestueve, nuk janë sipas propagandës sonë zyrtare, “njerëz të hurit e të litarit”, “rrugeçë odinerë, bij familjesh problematike dhe prindërish me të shkuar nëpër burgje. Sipas meje si kavajas, që i njoh shumicën dhe sipas disa njerëzve të mi të familjes, përfshirë xhaxhanë tim, komunist prej më shumë se 30 vitesh, që nga tmerri që përjetoi paradite, ndërsa po pinte kafe me shokë, pësoi bllokim të kanalit të urinimit apo shock urinar, përgjithësisht ata janë djem korrektë e nga familje të mira…Sipas gjykimit tim, përgjegjësi të drejtpërdrejtë për terrorin masiv në Kavajë dhe për vrasjen e Josif Budos, më shumë se autoritetet partiake, qeverisëse dhe policorë të Kavajës, ka sekretari i parë i Komitetit të Partisë të Rrethit të Durrësit, Muho Asllani…, që me autoritetin e vet ka thirur dhe dërguar forca speciale, sampistët në Kavajë.
Sipas meje, pa apo me dashje, ai ka dëmtuar në sytë e popullit të Kavajës imazhin e forcave speciale, të pushtetit popullor si dhe dashurinë dhe unitetin e tyre ndaj partisë. Nga ky këndvështrim shoku Muho Asllani i ka bërë një shërbim të qartë armiqve tanë të jashtëm, sidomos atyre jugosllavë…Ju lutem, ndërhyni sa më shpejt që të zbardhet plotësisht e vërteta mbi ngjarjet në Kavajë… Identifikimi i përgjegjësve kryesorë të atij akti terrori dhe ndëshkimi i tyre, ndërprerja e arrestimeve dhe e burgosjes së drejtuesve kryesorë të protestave, do të ndikonte për qetësimin e situatës tejet të trazuar dhe me mundësi shpërthyese në këtë qytet, me një popull tradicionalisht paqësor e të lidhur me partinë dhe pushtetin popullor…
Me respekt dhe urimet më të sinqerta për Ju, Xhevat Mustafa