NGA BEHAR GJOKA
Prej një rrethane rastësore, librin me proza të shkurtra “Në emër të gjakut”, të autorit Ahmet Premçi e rilexova, tashmë për të prekur tekstin dhe ndjesitë që ndanë me lexuesin. Ky libër, me proza të shkurtra, vjen pas dy romaneve, posaçërisht, “Anja” dhe “Brenga e Prokurorit”, që, në fakt, kanë zgjuar interes te lexuesi. Vetiu sipas radhës së botimit, në aspektin formal, ndesh në një rast të kthimit mbrapsht, nga proza e gjatë, te proza e shkurtër. Në fakt, libri i ri, ka edhe një novelë titulluar “Ditari i marsit të mbrapshtë”, që në fund përcillet me shënimin “Dhjetor 2004”. Pra, si shkrim nga autori, në fillesë jemi te proza e shkurtër, ose e mesme, kurse si akt/botim, jemi në botimin e librit me proza të shkurtra, pas dy romaneve që kanë zgjuar interes edhe kritika. Gjithsesi, jemi në prozëshkrim, ku me librat e botuar, si të gjithë autorët, pavarësisht diplomës dhe moshës, është vënë në kërkim të lexuesit.
Fakti që pjesa dërrmuese e këtyre prozave, ka në fokus vitin 1997, një vit i hidhur, vetiu sjell debat dhe keqkuptim, pranim dhe kundërshti, por edhe zgjon kërshërinë e një letërsie kujtese, që na sjell në mend idenë e M. Kunderës: “Lufta e njeriut kundër pushtetit është lufta e kujtesës kundër harresës…”, si një moment reflektimi ndaj mbrapshtisë kolektive të atij moti të marrëzisë. Megjithatë, sugjerimi nuk shmang larminë e leximeve, të lëvdimit dhe kundërvënies, përballë kësaj ndodhie, kohës së ngrirë, kur “dogjëm shtëpinë” e përbashkët. Nisur nga trajtimet e publikuara, është emërtuar si komisar i dritës, që si realitet faktik dhe historik, lidhet me emrin e Ndrec Ndue Gjokës, që ngriti shumë shkolla në Mirditë, rastësisht është krahasuar me prozën e N. Tozajt (autor i kohës së diktaturës), ndonëse krahasimi çalon, qoftë edhe si kohë dhe si mendësi kreative.
Pra, kredhur në marrëzinë e çmendurisë, rrënuam shtetin, ku ka gjasë që tekstit, do i kërkohet e vërteta e mbrapshtisë, ku djajtë e politikës që e kryen kanë bërë gjithçka për ta fshehur, duke lënë misterin enigmatik për qytetarin shqiptar. Leximi si ngjarje do na ofronte imazhin e betejës për jetë a vdekje, “engjëj-djaj”, të Vranickit, që vetëm ndërrojnë kolltuqet e pushtetit. Leximi si tekst, që merr shkas nga ajo kohë, ndonëse parashtron konceptin autorial mbi rrjedhën e ngjarjeve, pa qenë kurrëmos ngjarja, gjë që ka ndodhur edhe me romanin “Agonia” të shkrimtarit Odise Kote, e ndonjë tjetri. Pra, qasjet ndaj librit do të jenë të ndryshme, letrare dhe jashtëletrare, ku si lexues, unë edhe në këtë rast jam përpjekur të shoh mënyrën se si e sjellautori, si narrativë dhe shprehësi, “oazin” e etjes për pushtet. Në letërsi, madje më qartë, në mendimin mbi tekstet letrare, ka një rregull të pashkruar, ku mosdakordësia, është shans i një debati të hapur, sepse rënia në ujdi, përputhja e plotë e mendimit, në bindjen time e “asgjëson” letërsinë. Pika e hapur për reagim, pra nga njëra anë e adhurimit që ka hedhur dritë mbi vitin e hidhur 1997, si dhe e kundërvënies së ashpër, sepse nuk janë gjetur fajtorët, është tregues se ndaj letërsisë, janë të mirëseardhura, të gjitha qëndrimet, ku teksti në këtë rast është i hapur, sepse një pjesë e lexuesve, jemi dëshmitar të asaj kohe të pakohë.
Teksti letrar, tek e fundit, mbetet i hapur, për gjykim dhe paragjykim, për pranim dhe mospranim, e mbi të gjitha për lexim dhe rilexim. Tekste në prozë të librit i lexova si letërsi, ku ende kam një mëdyshje, sa i përket zhanrit, ku botuesi dhe autori me të drejtën autoriale, i sheh dhe paraqet, tregime që shkojnë në gjashtë dhe dy novela. Si njohës dhe lexues i vëmendshëm i letërsisë shqipe, kur ndesh në proza të shkurtra, kam një gëzim të brendshëm, në syrin e vetëdijes sime, sepse “gara” e romancierit e ka vënë në zgrip ekzistencën e prozës së shkurtër. Po them një mendim, tepër të diskutueshëm, por nuk duhet harruar se “shkolla” e prozatorit është tregimi, pra proza e shkurtër. Në shfletimin e librit “Në emër të gjakut”, bazuar materien e teksteve, kam një mëdyshje, një “paragjykim” mbase, për zhanrin e lëvruar, ndonëse shënimi si tregime dhe novela, është adekuat dhe i njëmendtë. Materia tekstologjike e prozave, duke vënë në qendër vitin 1997, kryesisht dhe në pamje të parë të ofron një realitet konkret, që anëson edhe nga dëshmia, zbulimi i të cilës vjen përmes shestimit autorial, duke e imagjinuar dhe propozuar si letërsi, gjersa libri prezantohet si tregime dhe novela.
Prania e personazheve, konkretë dhe të përpunuar, e sidomos rrethanat e përçuara, mbizotërimi i ngjarjeve, e shpie gjendjen letrare nga proza dëshmi, që përmend si zhanër më vete nga një autore e shquar franceze, kur thekson: “Ka megjithatë një gjini ku shkrimi mund të ngrihet në rangun e veprimit: gjinia e dëshmisë”. Pra, në një kuptim kemi të bëjmë me grimca jete të shkëputura nga një realitet i vrazhdë, ku as në ëndërr mos shkofshim, madje shpesh shëmtia dhe shkatërrimi, tejkalon fuqinë e artit, me copëza dëshmish që na përplasen në fytyrë, pa grimën e mëshirës. Prania e dëshmimit, pa asnjë dyshim shoqërohet nga përpunimi autorial, siç ngjet në prozën “Në emër të gjakut”, që emërton edhe librin, e ndonjë tjetër, për situatat dramatike, rrjedhën ritmike të ngjarjeve, figurimin e protagonistëve dhe shprehësinë letrare, të bindin se shkalla e përpunimit autorial, ka tejkaluar ngjyrat e kohës së vrazhdë, të vitit 1997. Lidhur me ngjarjet e kësaj proze, të dëgjuar në atë kohë, të risjellë në prozën e shkurtër, kuptova se teksti është më përtej rrethanave të kohës, është kujtesë tragjike dhe imagjinare e autorit, për një gjëmë që mos i raftë në hise as armikut. Peneli shkrimor, në këtë tast është ngjyer në tragjiken e vitit ‘97, por diçka më tepër në kohën e ngrirë në kujtesën e autorit, që e rimerr, duke e përthyer në botën imagjinare. Prozave të librit, u paraprinë një thirrje klithëm e autorit, si përkushtim për bashkudhëtarët, pastaj vijon me një tekst hyrje të shkurtër të Rudolf Markut, ku pohimi: “Një libër që duhet lexuar me kujdes, për të arritur katarsin tonë kolektiv…” , që shenjon veçanësinë e librit më të ri të autorit. Në paratekstin e autorit, nënvizohet: “Ky vëllim nuk është vetëm një grumbull rrëfimesh. Është dëshmi. Është ulurimë e shuar në letër”, vetëm sa paralajmëron ngjyresat e prozës së këtij libri. Togfjalëshi “një grumbull rrëfimesh”, ma tërhoqi vëmendjen, duke e parë si kod të leximit të prozës së librit.
Theksimi i situatës që rimerret qysh në prozën e parë, titulluar “Masakra e romëve”, kur shkruan “…në rrëfime të mjegullta”, një metaforë e beftë që të fut në një gjendje tjetër shkrimi. Pas titullit të përmbledhjes “Në emër të gjakut”, vjen shënimi “Një rrëfim për heshtjen, drejtësinë dhe dhimbjen që nuk harrohet”, që kryen funksion të një mbuloje të ligjërimit të kësaj proze. Për prozën “Pse më vrave?”, pas mbarimit të tekstit kemi një shënim: “Kjo ngjarje është një rrëfim i treguar nga miku im Llesh Doçi, në Lurë, më 12. 09. 2020)”, pra duke e lënë gjurmën e rolit të rrëfimit në fund të prozës. Në prozën: “Një kujtim nga Varshava”, qysh në fillim shkruhet: “Ky rrëfim është një udhëtim përmes kujtesës…”, ku sërish shfaqet si pikë reference termi rrëfim, që brenda tekstit rimerret në formën: “E më pas nisi rrëfimi…”, pra procesi narrativ, por ndërkaq theksohet po në hapësirën tekstologjike të prozës: “… e atij rrëfimi:”, ku më tepër duket si shënimi tipologjik zhanri. Në prozën “Liria për të mos vrarë”, në paragrafin e dytë, kemi këtë formulim: “Ky rrëfim fillon me dy paragrafë të një libri”, që vjen si një bindje autoriale, se jemi në tipologjinë e rrëfimit. Diku tjetër, po në këtë prozë, ndeshim situatën: “Kjo histori nuk është vetëm rrëfim, është një thirrje”, që pëson një pasurim si shestim etik. Në materien e prozës/novelës “Ditar i marsit të mbrapshtë”, ndeshim frazën: “… lexojmë një rrëfim të vërtetë, të dhimbshëm, por edhe me shpresë”, që natyrshëm termin “rrëfim” e shpërndërron në një stilemë të përdorur gjerësisht. Përsëri brenda tekstit kemi këtë nënvizim: “Ky rrëfim është një thirrje për kujtesë”, si një përveçim zhanri, duke funksionuar si një çelës për të hyrë në atmosferën e prozëshkrimit, ndonëse ndeshim hije të një ditari. Pas titullit të novelës “Emblemë kujtese”, vjen shoqërimi me nëntitullin “Një rrëfim për luftën që vazhdon edhe pas heshtjes”, për ta përmbyllur praninë e përcaktimit dhe të rolit të rrëfimit.
Pra, materia tekstore, dhe mëtimi autorial, ka endur një prozë që anësohet nga rrëfimi, që si narrativë sendërton tregimin dhe romanin. U ndala te libri, për dy arsye: E para, sepse libri bart një element të guximit krijues, për të hedhur dritë në natën dhe terrin e ’97-s, vetëm që të mos përsëritet. E dyta, ngjizja e tregimeve, novelave, me tharm rrëfimi, që me kujtoj mjeshtrin e rrëfimit Mitrush Kutelin, jo si përqasje, po si një rastësi. Në përmbyllje të shënimeve rastësore po sjell një gjendje të pazakontë të shprehur nga Sophie Kepes: “Të lexosh, është për ty një nevojë jetike si ngrënia; kurse të shkruash, është më tepër një nevojshmëri”, që kundron dhe shenjtëron të dyja anët e medaljes të ekzistencës së letërsisë.
*Shkrimtar-studiues