Kryetari i Partisë Demokatike, Sali Berisha, priti sot në një takim deputetin dhe një nga drejtuesit e Forza Italia, Z.Alessandro Battilocchio, Kryetar i Komisionit hetimor të Parlamentit Italian.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Berisha zbardh diskutimin që zhvilloi me deputetin Italian.
Teksa e cilëson ‘mik të vyer të Partisë Demokratike’, Berisha thotë se falenderoi deputetin Italian për mbështetjen e ofruar nga Forza Italia gjatë zgjedhjeve të fundit duke e siguruar atë se Partia Demokratike nuk do të reshtë së luftuari farsën zgjedhore të 11 majit.
Në takim morrën pjesë gjithashtu dhe Dott. Amadeo Folgone, këshilltar pranë Komisionit hetimor parlamentar italian për sigurinë e qyteteve, Deputeti i qarkut Lezhë nenkryetar i parlamentit Z. Agron Gjekmarkaj, z Akil Kraja drejtori i kabinetetit te kryetarit te PD si dhe kryetari i Partisë Demokratike në Itali, Z. Bardhok Doda.

Postimi i plotë
Forza Italia, gjithmonë në krah të Shqipërisë!
Pata kënaqësinë e veçantë të prisja në takim Deputetin dhe një nga drejtuesit e Forza Italia, Z.Alessandro Battilocchio, Kryetar i Komisionit hetimor të Parlamentit Italian për sigurinë e qyteteve dhe një mik i vyer i Partisë Demokratike i cili ndjek në një mënyrë tejet aktive zhvillimet e Shqipërisë dhe demokracisë shqiptare.
E falenderova Deputetin Battilocchio për mbështetjen e ofruar nga Forza Italia gjatë zgjedhjeve të fundit duke e siguruar atë se Partia Demokratike nuk do të rreshtë së luftuari farsën zgjedhore të 11 majit.
Shqipëria është kthyer nën drejtimin e Edi Ramës në të parin dhe të vetmin narko-shtet në Europë duke u kthyer në një rrezik real për BE-në dhe në veçanti për vendet fqinje si Italia. Një narko-shtet i cili është ndërtuar mbi vjedhjen sistematike të zgjedhjeve siç ishte dhe rasti i fundit ku partia-shtet organizoi mbi 4.500 aktivitete zgjedhore brenda dhe jashtë shtetit. Mijëra aktivitete keto të mundësuara nga abuzimi me burimet publike, njësoj si me tenderat elektorale të cilën kapin vlerën e gjysëm miliardi eurosh. Cfarë të thuash për 29.000 ha e parcelave kanabis në vend të 200 që parashikonte ligji?
Rasti i kartelit të Troplinëve, është shembulli më domethënës i këtij kriminalizimi dhe sesi pavarësisht hetimeve Italiane, shteti shqiptar për arsye të pastra elektorale e kriminale, bëhet palë me krimin e organizuar ndërkombëtar.
Një sistem tjetërsimi kriminal i votës së lirë i cili mbështetet nga një administratë e marrë peng nga patronazhistë të shtrirë në çdo hallkë të institucioneve publike dhe që i kërkon çdo nëpunësi civil minimalisht 10 vota familjarësh. Ky presion synonte në veçanti diasporën siç u provua nga faktet e shumta që Partia Demokratika ka publikuar nga farsa e votës në Greqi e Itali në veçanti.
E garantova Deputetin Battilocchio se Partia Demokratike do ta vijojë luftën e saj në çbërjen e farsës së 11 majit duke denoncuar me fakte dhe raporte të pakontestueshme çdo krim zgjedhor, të çdo niveli dhe të çdo individi të përfshirë në to.
Në takim morrën pjesë gjithashtu dhe Dott. Amadeo Folgone, këshilltar pranë Komisionit hetimor parlamentar italian për sigurinë e qyteteve, Deputeti i qarkut Lezhë nenkryetar i parlamentit Z. Agron Gjekmarkaj, z Akil Kraja drejtori i kabinetetit te kryetarit te PD si dhe kryetari i Partisë Demokratike në Itali, Z. Bardhok Doda.