HomeKultureHys Hasa: Disa mendime modeste për librin “Në emër të gjakut”të autorit,...

Hys Hasa: Disa mendime modeste për librin “Në emër të gjakut”të autorit, gjeneral AHMET PRENÇIT

Nga Hysa Hasa
Autori z.Ahmet Prençi vjen para lexuesit shqiptar dhe atij ndërkombëtar pas librave “ANJA” dhe “BRENGA E PROKURORIT”me librin e tij “NË EMËR TË GJAKUT” i autorit Ahmet Prençi,ku i bënë një analisë në mënyrë letrare ngjarjeve të vitit të vështirë bile i vitit te zi 1997. Ky libër nuk është një përmbledhje tregimesh dhe novelash; por është një thirrje, një gjëmë, një përulje përpara së vërtetës së hidhur që përshkroi Shqipërinë në vitin 1997, vitin e krizës më të madhe të pasluftës, vitin e zhveshjes së shtetit, të thyerjes së njeriut dhe të përplasjes mes jetës dhe instinktit për të mbijetuar. Libri “Në emër të gjakut”,është një libër gjithësej 161 faqeni ndarë në 7 kapituj dhe 2 novela.Autori siqë duket është edhe dishmitarë i gjallë ne këto ngjarje ,të cilatë i ka përjetuar duke qenë edhe spektator por edhe pjesëmarrës i drejtëpërdrejtë në to.
Ngjarjet e këtij viti janë shumë ngjarje tronditëse të historisë sonë moderne që janë lënë në harresë ose janë trajtuar me heshtje të qëllimshme, libri “Në emër të gjakut” i Ahmet Prençit,ku vjen si një akt i fuqishëm i kujtesës, një thirrje e zëshme kundër harresës kolektive dhe një përulje ndaj atyre që u flijuan përballë rrënimit të shtetit dhe strukturave të tij.
Autori nuk shkruan nga jashtë, si vrojtues , por si pjesëmarrës dhe dëshmitar i një kohe të vështirë, i një shoqërie që në vitin 1997 përjetoi kolapsin më të thellë moral, institucional dhe njerëzor pas diktaturës komuniste.
Autori, librin e fillon me një deklaratë të qartë: “Në emër të gjakut është një kujtim, një përulje dhe një zë që s’do të shuhet kurrë.” Kjo fjali nuk është vetëm hyrje e padëshiruar , por edhe një formë betimi. Në frymën e filozofisë ekzistenciale, ku njeriu është përgjegjës për të dhënë kuptim ekzistencës së tij, autori Prençi i jep kuptim të kaluarës përmes aktit të kujtimit dhe rrëfimit. Ai vendos të flasë për ata që nuk mundën me të tjerët të flisnin.
Autori z.Ahmet Prençi, ish-drejtues i Policisë së Shtetit, autor i librave “Anja”, “Brenga e Prokurorit”, edhe në këtë libër po ashtu ka ndërthur përvojën personale dhe dëshminë institucionale me rrëfimin artistik, duke ndërtuar një mozaikë letrar dhe dokumentues, ku historia e afërt merr formën e artit letrar. Ai nuk ka zgjedhur një rrugë të lehtë: Të shkruash për një plagë të gjallë kërkon guxim dhe ndershmëri. Por, më shumë se kaq, kërkon edhe dhembshuri.
Dhe këtë e gjejmë në çdo rresht të librit. Libri “Në emër të gjakut” është i ndarë në tregime dhe novela ku secila e shton një gur të rëndë në mozaikun e kujtesës. Nëpërmjet këtyre rrëfimeve, autori Gjeneral Prençi na fton të shohim, jo vetëm një të kaluar të afërt, por edhe peshën e asaj tragjedie,që ende nuk është tejkaluar. Kjo nuk është letërsi e së shkuarës, por letërsi e një plage, që akoma rrjedh. Këto tregime dhe novela flasin për katrahurat e kombit, por në to spikat një dimension tjetër: guximi i individit për t’i dalë zot vendit të tij, jo me fjalë, por me jetën e vet.
Për autorin, viti 1997 në Shqipëri nuk është thjeshtë një datë, por një rrëfim kolektiv i kolapsit moral dhe institucional. Këtë e ndjejmë në çdo faqe të këtij libri. Autori Prençi i afrohet asaj humnere të errët, që ka qenë dhuna, shteti i rrëzuar dhe drejtësia e zhdukur. Ai e sheh dhe e përshkruan atë, por mbi të gjitha, e bën lexuesin të ndjejë se kjo humnerë ende na shikon me kundërmimin e saj.
Z.RUDOLF MARKU në parathenjen e tij thekson: ”Tregimet e autorit Ahmet Prençi në ketë libër na flasin për një të kaluar jo shumë të largët,por që mbart peshën e rëndë të tragjedisë sonë si komb,atë të letërsisë vetshkatrruese,por edhe fisnikërinë e guximëshme të ca njerzëve të pakët,por mjftueshëm për shpresën tonë të ringjalljes”
Në “Pallati presidencial që nuk ra”, autori e përshkruan qartësisht rrezikun e zhdukjes totale të strukturave, por gjithashtu lartësimin e dinjitetit njerëzor si një formë rezistence të vetme. Ndërsa te “Masakra e romëve”, ballafaqohemi me një të vërtetë të hidhur: Kur humbet drejtësia, fillon ligësia të shfaqet pa maska. Janë rrëfime që përshkojnë dramën e një kombi, por që gjithashtu tregojnë se në rrënojat e një shteti të shkatërruar, njeriu mbetet e vetmja fije shprese ose akti i fundit i dhunës.
Nëpërmjet tregimeve dhe novelave të këtij libri si: “Në emër të gjakut”, “Ditari i marsit të zi”, “Pallati presidencial që nuk ra”, “Masakra e romëve”, “Emblema e kujtesës”, dhe “Pse më vrave?”, autori rindërton një tablo të thellë të shpërbërjes së shtetit dhe të përpjekjes njerëzore për të mos u shuar shpirtërisht. Këto rrëfime janë zëra që vijnë nga buzë humnerës, ku njerëzit nuk kanë më asgjë për të humbur, por ruajnë akoma një grimë nderi, besimi, dhe përgjegjësie për të mos rënë si kafshë në thikën e një çrregullimi total.
Në novelën “Masakra e romëve”, autori shkruan: “Në mendjen e një banditi gjithmonë mbetet një qelizë e errët, një fije instinkti, që nuk shuhet: për hakmarrje ose për marrëzi.”Kur shteti mungon, drejtësia ajo më e ftohta dhe më e egra e gjen vetë rrugën e saj. Në atë moment, populli që s’e pyet askush, vendos vetë të mos shkelet më. Revolta bëhet formë ekzistence. Në novelën tjetër, “Në emër të gjakut”, Shqipëria përshkruhet si një vend që “ziente”, një vend ku “ajri kishte aromën e frikës dhe të heshtjes së rëndë që pason para se të ndodhë e keqja”.
Autori z.Ahmet Prençi e sheh këtë, jo vetëm si krizë politike, por si çarje ontologjike, morale dhe shoqërore. Ky është çasti kur përmasat e dhunës nuk janë më vetëm fizike, por shkojnë deri në rrënimin e identitetit. Në atë botë të rebeluar,ku vleratë tradicionale zhduken dhe krijohet hapësira për një “Rilindje të vlerave të reja” por jo gjithmonë të drejta.
Për personazhin kryesor të novela ”Në emër të gjakut”, gjendja shpirtërore arrin kulmin kur ai thotë: “S’e bëra për hak. Jam bosh. E bëra në emër të gjakut”. Ai nuk ka urrejtje, por një boshllëk ekzistencial që ngjason me konceptin e absurdit,kur njeriu nuk gjen më kuptim në asgjë dhe veprimi i tij është një akt i fundit i revoltës dhe mbijetesës morale. Ai nuk kërkon drejtësi për hakmarrje, por për të shlyer një mallkim që nuk mund të lejohet të trashëgohet.
Në përmbyllje të kësaj novele, autori shkruan: “Jetojmë në një botë ku burratë flasin me plumba, gratë me heshtje dhe drejtësia ka çmimin e shpirtit”. Kjo është një botë ku e vërteta nuk është më objektive, por një zgjedhje morale. Nëse, “Njeriu është qenie për vdekje,” dhe është pikërisht kjo vetëdije që i jep thellësi jetës atëherë të shkruash për jetën në prag të vdekjes është akti më i lartë i përgjegjësisë ndaj të ekzistuarit. Këto janë histori, që nuk qëndrojnë vetëm në nivelin e një përshkrimi faktik, por hyjnë në psikikën e individit, në plagët që nuk shihen.
Viti 1997, “Ulërima që u shua në letër”, vit i cili për Shqipërinë përfaqëson një plagë të hapur. Rënia e skemave piramidale, përplasja civile, rënia e strukturave shtetërore dhe shpërbërja e rendit publik u kthyen në një spirale dhune, frike dhe anarkie. Autori Ahmet Prençi përshkruan këtë realitet me një stil të matur dhe emocionalisht të ngarkuar. “1997-ta, viti që la Shqipërinë pa frymë; nënat shikonin qiellin pa e ditur se për çfarë t’i luteshin Zotit.”
Ky përshkrim nuk është vetëm letrar. Ai është ekzistencial.Shqipëria e asaj kohe thekson autori nuk është më vetëm një vend pa rend, por një vend pa frymë, pa orientim, pa Zot. Në këtë boshllëk, njeriu përballet me thyerjen e plotë të kuptimit dhe qëllimit dhe ky është rreziku më i madh, që sjell dhuna kolektive: Jo vetëm shkatërrimin fizik, por rrënimin e ndjenjës së përkatësisë dhe shpresës për një të nesërme pa dhunë. “.
Libri i Ahmet Prençit është zëri i grave të atij viti ku në mënyrë të veçantë, autori sjell në qendër të vëmendjes dhimbjen e grave shqiptare: nënat që nuk dinë ç’t’i luten më Zotit, që ngelen me sy nga qielli, pa përgjigje, pa drejtësi. Në një prej faqeve apo shprehjeve më të fuqishme të librit thuhet: “Nëna shikon qiellin pa e ditur çfarë t’i lutet Zotit.” Është një imazh që bart brenda gjithë tragjedinë shpirtërore të asaj kohe. Jo vetëm për humbjen e jetëve, por për humbjen e besimit te një rend shoqëror dhe etik.
Autori nuk e shmang përgjegjësinë, as nuk e zbukuron të vërtetën. Ai e thotë qartë se: “E keqja shqiptarëve u vjen nga vetvetja, nga vetë gjaku i tyre.” Dhe në këtë mendim të dhimbshëm, por të ndershëm, qëndron qartësia më e madhe që ofron libri.
Në thelb, ky libër është një përpjekje e vetëdijshme për të mbajtur gjallë kujtesën kolektive në një shoqëri që ka tendencë të harrojë. “Është një ulërimë e shuar në letër,” thotë autori, duke i dhënë librit një dimension metaforik të thellë. Libri nuk është thjesht përshkrim i dhunës, por akt i ripërjetimit të saj, jo për t’i sjell shpjellim lexuesit, por për ta ndërgjegjësuar atë. “Është përpjekje për të mbajtur mend kur gjithçka rreth nesh na mëson e na dikton të harrojmë.”
Kjo thirrje nuk është vetëm për të mos harruar viktimat, por për të mos lejuar që një realitet i tillë të rikthehet. Për autorin, të shkruarit është një formë e aktit civil, e qëndresës kulturore dhe morale.
Një nga linjat më të forta të librit është raporti mes individit dhe shtetit. Në shumë prej tregimeve të autorit, protagonisti është një qytetar, një polic, një prind një njeri që papritur gjendet vetëm përballë një realiteti të egër ku shteti është zhbë dhe drejtësia është zhveshur nga kuptimi. “Nuk kemi shtet. Nuk kemi drejtësi. Kemi vetëm njëri-tjetrin.”
Kjo fjali përmbledh krizën themelore: Njeriu është lënë vetëm, pa institucione, pa garanci, në një hapësirë ku çdo vendim bëhet në bazë të ndjenjës, jo ligjit. Në këtë përmbysje të vlerave, njeriu përballet me zgjedhjen e madhe: të bëhet një me kaosin, apo të qëndrojë me dinjitet! Shumica e personazheve të Prençit zgjedhin këtë të fundit, duke i dhënë librit përmasën e tij më të thellë: njerëzimi në kohë errësire.
Stili i të shkruarit të autorit z.Ahmet Prençit është i matur, i ngjeshur, por jashtëzakonisht i ngarkuar emocionalisht. Ai nuk bie në retorikë,por me shumë thjeshtësi që zbërthen kompleksitetin dhe një rrjedhshmëri që ngjall reflektim. “Shtëpia jonë s’ka më oxhak, as zë, as jetë.” Me pak fjalë, autori arrin të përshkruajë një boshllëk ekzistencial. Ai nuk përpiqet që t`na bindë me argumente, por me ndjeshmëri dhe kjo e bën veprën më të thellë se një libër historik apo sociologjik. Është një libër që bën atë që nuk e ka bërë dot sistemi: gjykon padrejtësinë. Jo me urrejtje, por me kujtesë. Jo me dënime, por me rrëfim. Çdo faqe është një formë e hapur e shprehjes: “Ja çfarë ndodhi – mos e harroni”. Dhe kjo, në vetvete, është një akt i jashtëzakonshëm në një shoqëri që shpesh ka heshtur përballë të vërtetave të dhimbshme. Në këtë mënyrë, vepra e tij bëhet më shumë se një akt letrar bëhet një akt etik, një akt qytetar. Është një përkujtimore për ata që u flijuan dhe për ata që mbijetuan me plagë të heshtura. Është një udhërrëfyes për ata që sot kërkojnë të kuptojnë rrënjët e çarjes shqiptare, dhe një paralajmërim për brezat që nuk e kanë jetuar atë kohë. “Në emër të gjakut” nuk është libër që lexohet lehtë sepse nuk mund të lexohet pa u ndjerë, pa të dhënë të drejtën të mendosh dhe të kujtosh atë kohë. Është një vepër që nuk flet vetëm për vitin 1997, por për fragjilitetin e njeriut dhe shoqërisë përballë kolapsit institucional. Është një himn për qëndresën dhe një lutje për drejtësi.
Për lexuesin shqiptar, ky libër është një thirrje për reflektim. Për brezat e rinj, është një mundësi për të mos e harruar atë, se çfarë ka ndodhur në atdheun e tyre. Për studiuesit dhe kritikët, është një dëshmi letrare e një periudhe, që duhet trajtuar, jo vetëm me qetësi e durim historik, por edhe me ndjeshmëri njerëzore, për të vërtetën.
Autori z.Ahmet Prençi nuk shkruan për të fituar zemrat e lexuesve, por për të zgjuar ndërgjegjen e tyre. Libri “Në emër të gjakut” nuk është një libër që lexohet këndëshëm, pra është një libër që duhet lexuar. Ai nuk kërkon keqardhje, por reflektim. Nuk kërkon lavdërim, por drejtësi. Dhe kjo e bën librin e tij një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë shqiptare bashkëkohore, që merret me tragjeditë e kombit në mënyrë të ndershme, të thellë dhe njerëzore. Edhe vet titulli i librit “Në emër të gjakut” në kontekstin e autorit z.Ahmet Prençit, ai përfaqëson kujtesën, përgjegjësinë dhe ndëshkimin moral që mungon nga institucionet e shtetit. Ai shfaqet si një etikë individuale, një nevojë për të lënë gjurmë në një vend ku e vërteta mbulohet: “si bora mbi varre – mbulon gjithçka por nuk ngroh asgjë. Dhe krejt në fund ky libër është një dëshmi e fortë për brezat e ardhshëm, sepse ata duhet të mësojnë nga e kaluara e tyre, për ta ndërtuar një të ardhme më të drejtë dhe humane për atdheun e tyre..
Tek novella”EMBLEMË KUJTESE”autori ka vënë përballë përsonazhet drejtuesin “Besnik Mali”dhe Ago Kulaçin,ku Besnikun e paraqet një burrë që flet pak,por me zë që peshon…….i rritur në terrene të vështira të vendit…..ai është bubullima që prêt rrufe,me istiktin e e ushtarakut gatitu…..ka drejtuar operacione të ndërlikuara ,hetime të pastërta dhe vendime të drejta…..kurse për zevendësinë e tij ago Kulaçin një enigmë me lidhje të dyshimta dhe shpirt të shitur.I paskruptullt,i paaftë,një merimangë e zezë në rrjetën e frikëshme të politikave të bodrumeve të errta,ku futen intriga,duke qenë ish mburoja e krerve politikë….që tani ecën koridoreve më një autoritet të pamerituar……ai kishte një shpinë plotë ligësi,,,,,?!?!
Autori i jep zgjidhjen e duhur,por që është edhe sot aktuale tek kudrotë që kan përkrahjen e njerzëve të politikës së lartë,janë edhe të aftë profesionalisht ,janë të ligë e shpirtë zinjë,janë të lidhur më krimin dhe kriminelët……disa operacione dështuan sepse Agua ishte i lidhur me kriminelin Sokol Deja,prandaj ai disa operacioneve ju shpëtoi dhe kur u kap ai arriti të vriste 4 nga efektivat e policisë, djemtë më të mirë që sot janë dëshmorë të atdheut.Autori e ka qëndisur bukur mardhënjet në ditët e vështira të ngjarjeve të vitit zi 1997.
Unë si lexues i këtij libri kam evidentue disa nga nga frazatë më të bukura për mendimin tim si shprehje të autorit Ahmet Prençit si ma poshtë:
-Shteti ishte vetëm një fjalë boshe.Frika ishte mbret.
-Grykat e armëve shoqëronin nga pas çdo frymëmarrje.
-Njrëzitë e zakonshëm morën përsipër të bëjnë drejtësinë.
-Një qetësi e dyshimtë e përkundëte si gjumi para stuhisë.
-Ajri kishte ajromën e frikës dhe heshtjen e rëndë që pason para se të ndodh e keqja.
-Shtëija janë s’ka oxhak,as zë,as jetë.
-Ishte një gjygj pa gjykatës,një dëmin pa prokuror,një drejtësi që se kishte shkruar ligji….por që e kishte uluritur shpirti.
-Fjalët më të mëdha na i kan thënë duart,shikimet,heshtja.
-Jetojmë në një botë ku burratë flasim me plumba,gratë me heshtje dhe drejtësia ka çmimin e shpirtit.
-Heshtja që lëvizte në errësisë si grabitqare.
-Gjumi nuk ishte gjumë,vetëm një ndalim fryme.
-Ishte kujtesa e një brezi të përvëluar nga dashuria dhe dhuna ,nga shresa dhe prerja e saj në mes.
-Kishte vetëm Heshtja,një pendesë e gjatë,e thellë,që mbyste.
-Dashuria nuk humbet vetëm ndryshon formë.
-Jeta nuk është një vijë e drejtë.Është një mozaik rrefimesh,dhimbjesh dhe shpresa të humbura e të rigjetura.
-Dritaret e saj pasqyronin ende hijen e një njeriu që dikur fliste për Migjenin e Fishtën,për revoltën e shpirtit e për revoltën që lind në varfëri.
-Fjalët në mërgim janë më të mprehtat se thikatë,nuk të godasin në trup,por në atë pjesë të shpirtit që përpiqet të mbijetojë.
-Vetmija e tij nuk ishte një zgjidhje,por një formë mbijetese.
-Ai mbetet aty ku vetmija nuk njihet dhe drejtësia ka çmim,aty ku burrëria matët me plumba dhe heshtja quhet dobësi.
-Liria pa drejtësi është vetë shkatrrim.
-Përgjegjësia jonë më e madhe si shoqëri nuk është të mbijetojmë,por të mos lejojmë që e keqja të bëhet zakon.
-Kaosi kishte mbulluar vendin si një hije e zezë,që shtrihej pa mëshirë mbi çdo qytet,rrugë e shpresë.
-Ajri kishte ngjyrën e plumbit.
-Koka e policit tani ishte me e lira.
-Nuk kishim më emër,as histori dhe as identitet.
-Pas vdekjes nuk ka më frikë.
-Flisnim me armët përqafuar,gjasmë në gjumë,gjysmë në pritje.
-Dita e mësuesit,libratë dhe germatë kishin humbur.
-Një qetësi e mbeshtjellë me indiferencë.
-Një vend i coptuar mes dhimbjes dhe urrejtjes,frikës dhe shpresës,nderit e tradhëtisë.
-Kujtesa nuk mbetet gjithëmonë në libra.
-Kjo fletë ditari nuk është vetëm për të kaluarën.Jnë për të ardhmen.
-Pas cdo brezi që vejen pas,duhettë dijë se çfarë ndodhë kur ligji hesht,kur frika behet normë dhe kur bandittët marrin pushtet.Le të jetë kjo dëshmi jo si varr i hapur,por si një këmbanë që bie për të mos harruar.Që të mos përsëritet më. Kurrë më.
-Qyteti mban mbi shpinë halle dhe drama të heshtura,të cilat,shpesh,shqyjnë shpirtin e njeriut.
-Shpna e tij ngjanë si një trastë plotë ligësi.
-Si një nxënës i zënë në faj,i pambrojtur përballë një autoriteti që nuk frikësonte,por e turpëronte.
-Ajri dukej i ngarkuar,si para një shkreptime të madhe.
-Në zyratë e departamentit,flisnin vetëm me sy,dosjet hapeshin vetëm kur kishte prova që ulurinin.
-Shteti nuk dorëzohet para krimit.
-Nuk ishte ngritur përmes karrikes,por përmes dinjitetit.
-Hija nuk zhduket nga drita,zhduket nga guximi për ta ndjekur….gjerë në fund.
z.Rudolf Marku thekson:”Pra ky libër duhet lexuar me kujdes,për të arritur katarsin tonë kolektiv,qoftë dhe përmes një romani si ky,me tregimet shkrimtarit njohur e të respektuar Gjeneral AHMET PRENÇIT.Unë po e mbylli keto vlerësime modeste më thenjen e autorit”NË EMËR TË GJAKUT” është një kujtim,një përulje dhe një zë që s’do të shuhet kurrë.Ai u kushtohet oficerve të policisë që u flijuan dhe atyre që mbijetuan me plagë të heshtura.E kam shkruar me respektin dhe mallin e një bashkëudhëtari,që ka ndarë me ta disa vite shërbimin,dhimbjen dhe heshtjen”.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular