Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, vizitoi këtë të dielë më 20 korrik, një nga gjetjet më të rëndësishme arkeologjike të dekadave të fundit në Shqipëri: zbulimin e një vile romake të zbukuruar me mozaikë të rrallë, në zemër të qytetit bregdetar të Durrësit.
Sipas ministrit Gonxhja, vila romake e zbuluar përfaqëson një pasuri unike, e dalluar për cilësinë artistike dhe teknike të mozaikëve, të cilët sipas tij “mund të krahasohen me mozaikët e zbuluar në Italinë jugore dhe qendrore”.
Ai e cilësoi këtë si një prej “zbulimeve më domethënëse në territorin e Republikës së Shqipërisë në dekadat e fundit”, që hap mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit kulturor dhe për ngritjen e një modeli të ri të integrimit të trashëgimisë në jetën urbane dhe edukative.
Ministri theksoi se pas identifikimit të gjetjeve, u hartua një Raport i Gërmimit Arkeologjik të Shpëtimit, nën drejtimin e arkeologut të njohur Prof. Luan Përzhita, i cili ka shërbyer si bazë për nisjen e fazës së konservimit dhe studimit të detajuar. Sipas ministrit, ky zbulim ka sjellë edhe ndryshimin e projektit fillestar të shkollës.
“Pas këtij zbulimi, arkitekti i njohur spanjoll Toni Gironès është angazhuar në riprojektimin e shkollës ‘Gjergj Kastrioti’, duke konceptuar një qasje inovative që ndërthur edukimin me trashëgiminë, në një projekt që parashikon ekspozimin dhe mbrojtjen e gjetjeve arkeologjike.
Kjo nismë pritet të sjellë një transformim të jashtëzakonshëm urban dhe edukativ në qytet, ku nxënësit, komuniteti dhe turistët do të kenë akses të drejtpërdrejtë në një pjesë të gjallë të historisë.”– shkruan Gonxhe pas kësaj vizite.
Struktura është zbuluar gjatë punimeve për rindërtimin e gjimnazit “Gjergj Kastrioti” në lagjen nr. 1 të qytetit (i cili ishte i dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019 dhe po rindërtohej me fondet e BE-së) aty ku edhe më herët janë bërë gjetje të vlefshme arkeologjike, përfshirë një mozaik floreal i shek. I–II të erës sonë. Në maj të këtij viti, u zbuluan edhe elementë të tjerë me vlerë të jashtëzakonshme, duke e përforcuar më tej rëndësinë e kësaj zone


