Qytetarët pritet të kërkojnë më pak kredi për blerje banese në tremujorin e tretë, pasi bankat tregtare do t’i shtrëngojnë më shumë standardet e kreditimit. Siç është paralajmëruar edhe më herët, bankat do të kenë kritere më të rrepta për miratimin e një kredie, nisur edhe nga vendimi më i fundit i Bankës së Shqipërisë që përcakton tavane në vlerën e kredisë që do të japin bankat për blerjen e një shtëpie të parë ose të dytë, në euro ose në lek, si dhe peshës që duhet të zërë kësti në të ardhurat e kredimarrësit.
Po në tremujorin e dytë, si ishte kërkesa për kredi nga qytetarët?
Sipas vrojtimit të aktivitetit kreditues të Bankës së Shqipërisë, kërkesa e individëve për kredi ka qenë në rritje në tremujorin e dytë, si në blerjen e banesave, ashtu edhe në financimin e konsumit. Kjo rritje e kërkesës ka ardhur si rrjedhojë e normave më të favorshme të interesit, si dhe përmirësimit të besimit konsumator.
Kërkesës së lartë, bankat i janë përgjigjur me një numër më të madh kredish të miratuara. Faktorët që ndikuan më shumë në rënien e shkallës së refuzimeve për kredi të individëve ishin stabiliteti i punësimit në tregun e punës dhe ai i marrëdhënieve me bankën.
Për sa i përket standardeve të kreditimit, ato mbetën thuajse të pandryshuara në tremujorin e dytë të vitit 2025. Këto standarde përfshijë udhëzimet e brendshme ose kriteret e miratimit të kredisë në një bankë. Ato janë përcaktuar para negocimit të kredisë mbi kushtet dhe termat. Standardet përcaktojnë llojet e kredisë që banka i konsideron si të dëshirueshme dhe të padëshirueshme, karakteristikat e nevojshme të huamarrësit (për shembull kushtet e bilancit, gjendja e të ardhurave, mosha, statusi i punësimit), në mënyrë që të mund të merret një hua.
Ndërkohë, kushtet dhe termat e kreditimit, gjithashtu nuk u ndryshuan në tremujorin e dytë. Ato i referohen kushteve dhe afatit të kredisë të miratuar sikurse përcaktohet në kontratën e huasë, mbi të cilat është rënë dakord midis bankës dhe huamarrësit. SCAN