Teksa ende mbetet e paqartë se kush do të marrë mandatin e deputetit të qarkut Tiranë nga radhët e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, beteja verbale mes Adriatik Lapajt dhe kreut të Nismës Thurje Endrit Shabanit vijon.
Ditën e sotme, nënkryetarja e Lëvizjes Shqipëria Bëhet, Dorina Prethi është paraqitur në KQZ për të dorëzuar një kërkesë për miratimin e dorëheqjeve të listës së mbyllur të Tiranës.
Ajo u shpreh se votuesit e kanë ditur se koalicioni ka përdorur lista të mbyllura fiktive në zgjedhjet e 11 majit “për të garantuar garën e vërtetë në listat e hapura”.
Sakaq, ajo theksoi se “të gjithë kandidatët kanë hequr dorë nga kandidimi dhe nuk kanë qenë pjesë e garës, ndaj nuk mund të përfitojnë asnjë mandat”.
Kreu i Nismës Thurje, Endrit Shabani, ka folur në një intervistë për News24 rreth debatit të hapur me ish-aleatin Adriatik Lapaj, lidhur me mandatin e vetëm që koalicioni “Shqipëria Bëhet” arriti të siguronte në zgjedhjet e 11 majit.
Shabani sqaroi se mandati i Qarkut Tiranë i është dhënë Kleana Xhuvelit, e katërta në listën shumëemërore, dhe sipas tij, asnjë nga kandidatët më lart nuk ka shprehur pretendime.
“Ky është një debat për standard. Mandati i kalon Xhuvelit që i përket partisë Shqipëria Bëhet. Pavarësisht se përfaqëson edhe votat e Nismës Thurje, ne nuk kemi pretenduar për ta marrë”, tha Shabani.
Ai theksoi se, nëse votat do të ndaheshin në mënyrë mekanike, Xhuveli nuk do të arrinte të fitonte mandatin pa votat e Nismës Thurje. Më tej, Shabani tregoi prapaskenat e formimit të koalicionit dhe përzgjedhjen e Adriatik Lapajt si kryetar.
“Ramë dakord që Adriatiku të ishte kryetar. Nëse do të merrnim vetëm një mandat, ai u zotua publikisht se do hiqte dorë. Kjo sepse ideja ishte të punonim për ekipin, jo për karrierën personale të një individi”, theksoi Shabani.