NGA XHEVAT MUSTAFA
Gjatë mbi 34 viteve të sajimit dhe të ekzistencës së saj PD, viktimë e realitetit, mentalitetit, trashëgimisë, strategjisë ramiziane apo për jo pak DEMOKRATË, “katoviciane”, ka përjetuar në ditët dhe vitet e para të saj, por edhe më vonë e deri më sot, edhe dukurinë e përmbytjes dhe pushtimit të saj nga turma apo kope bijsh dhe bijash të bllokmenëve, aparatçikëve të lartë në administratën komuniste, përfshirë edhe të Sigurimit enverian. Apo të “demokratëve” të telekomanduar! Pa dozën as minimale të vetëmburrjes, por thjeshtë për vërtetësi historike, në shkrime të mi, botuar qysh nga mesi i vitit 1991, edhe në “Rilindja Demokratike”(RD), duke qenë në stafin dhe në drejtimin e saj, këtë kontigjent apo “ushtri”, e kam cilësuar “mish i huaj” në PD si dhe “kuaj e pela Troje, Blloku, Sigurimi, Ramiz Alie, Sorosi, Edi Rame…”dhe vlerësuar si një nga rreziqet më të mëdha për PD-në dhe DEMOKRACINË Po kujtoj vetëm 3 shkrime që kam botuar më 1991 e 1992, pa kujtuar të tjerë më vonë. Së pari, intervistën imagjinare me Enver Hoxhën, botuar në RD më 15 qershor 1991 me titullin “Mos kujtoni se kam vdekur, i kam dy duart jashtë”! Pastaj “Çmim të parë për skenarin ramizian “Antidemokracia”(Katovica”), botuar në gazetën “Republika” më 5 dhjetor 1991! Të tretin, “Kuajt e Trojës” në revansh kundër demokracisë: pas maskave- fytyrat e vërteta”(RD, 5 gusht 1992). Nga shkrimi i tretë po citoj një fragment, që gjykoj se është shumë shprehës për skenarin e Ramiz Alisë, për ta marrë nga brenda “kalanë PD”!
Në ditët e para të dhjetorit 1990 duhej të shkonin në sheshin “Demokracia” të ngjiteshin në tribunë e të mbanin fjalime “bombë e flamur” kundër komunizmit, duke mos lënë gjë pa thënë kundër Enver Hoxhës së vdekur, por edhe kundër profesorit të tyre Ramiz Alisë. Dhe ata u ngjirën, duke i sharë e mallkuar, duke lëshuar “shigjeta” e “rrufe”. Profesori i dëgjonte dhe i përcillte me buzëqeshjen e tij enigmatike, i përgëzonte me vete, apo me mesazhe sekrete “Ju lumtë vazhdoni se e keni nisur mirë. Jepini edhe më shumë se nuk na mbetet qejfi”!
Dihet se humica e tyre, arritën të ngjiten edhe në majën e piramidës drejtuese partiake, qeverisëse dhe shtetërore, ndonjëri deri në postin e presidentit të republikës e të tjerë të zv. kryeministrave, ministrave, zv. ministrave, kryetarëve bashkiakë…Edhe si drejtues të lartë në institucione të drejtësisë, përfshirë edhe prokurorinë, sidomos gjatë 12 viteve të qenies së PD- së në pushtet!? Më 1997- 2005 dhe masivisht pas 2013, shumica e këtyre e braktisën me dëshirë apo urdhër, edhe duke llogaritur se e kishin përfunduar me sukses misionin, duke e dëmtuar PD- në nga brenda jo më pak se nga jashtë, prej PS- së dhe levave të saj të hapura e të fshehta! Kjo braktisje e PD- së prej tyre nuk është rrjedhojë dhe shprehje më së shumti e mosgjetjes më të vetvetes në gjirin e saj apo metamorfozë e tyre e brendshme, e vullnetshme apo e ndërgjegjshme! Apo e humbjes përfundimtare të durimit ndaj autoritarizmit e bajraktarizmit të Berishës!? Sipas gjykimit tim, të gjithë këta misionarë 1-2 mandatesh në qeverisje, kanë hyrë në PD falë “naivitetit” dhe “përgjumjes”, apo me humor, “të mungesës së vigjilencës revolucionare” të Berishës e të Bashës. Prej tyre kanë përfituar edhe poste të lartë, të cilët as i kishin ëndërruar dhe për të cilët kanë qenë të bindur edhe vetë se nuk i meritonin dhe justifikonin!?! Prandaj, edhe pas vitesh vegjetimi në detyra të larta, ndryshe për nga pasurimi financiar, nuk janë “pasuruar” për nga demokratizimi dhe kanë mbetur po ata, që kanë qenë…!? Domethënë, po “mish i huaj” apo “kuaj, pela, kukulla…Troje, Blloku, Sorosi…”! Si të tillë “i molën” PD- së “qumësht dhe gjak” si “thithlopa” dhe ikën prej saj, kur nuk ishte më në pushtet, pa përjetuar pikë mëdyshjeje, drame, keqardhjeje dhe pendese! Sepse kishin marrë prej saj çfarë deshën apo edhe më shumë…!? Natyrisht, me bindjen dhe sigurinë se do të shpërbleheshin nga PS me mirënjohje të madhe për kryerjen me sukses të detyrave e të misionit!? Për më keq, ia kanë shpërblyer PDsë me lehje disa vjeçare kundër saj dhe me goditje tinzare pas kurrizit!? Pra, pas largimit nga PD, katandisur “kockë e lëkurë”, shumica u rikthyen në origjinë apo në “familje”, ku prej vitesh “po korrin çfarë kanë mbjellë”!?
Të mirëkuptohemi: për deri sa ka divorce familjare, edhe kur çiftet janë martuar me dashuri e janë bërë me fëmijë, do të ketë edhe divorce partiake, për mospërputhje e sherre karakteresh, bindjesh, interesash…! Largimi nga PD i disave, në kohën kur shpresat për rikthim në pushtet të PD-së janë bërë edhe më të largëta e më të akullta. Mund të justifikohet edhe me arsyen pragmatiste të marrjes së një page mujore, qoftë edhe në një zyrë qeveritare apo në një ojq të Sorosve, për të mbajtur edhe familjen e për të siguruar shkollimin sa më të mirë të fëmijëve… Apo për të vazhduar karrierën profesionale, studimore, pedagogjike, shkencore, qoftë edhe me një pagë e me sponsorizime, edhe nga Akademia e Shkencave e Edi Ramës dhe Skënder Gjinushit. Por, për të gjithë ata që i kanë mizat nën kësulë, nuk mund të flitet për divorce të natyrshme e të justifikueshme. Shumica e këtyre i kanë bërë hyrjen në PD, angazhimin, braktisjen, “divorcin politik”, rikthimin në “gjirin e ngrohtë të partisë së zemrës”…me skenar, paramendim, llogari, telekomandim…!? Kjo shpreh jo vetëm mungesë karakteri, bese, ideali, por edhe bollëk mosmirënjohjeje, pandershmërie, egoizmi, ligësie! Është shprehur, kuptuar apo nënkuptuar se copëtimi, dobësimi, kufomëzimi, formalizimi…i PDsë dhe opozitës, ka gëzuar krahas enveristosocialistëve “të mykur”; këtë kontigjent “demokratësh” të përkohshëm…dhe një tufë gjase të pavarurish, që e mbulojnë lakuriqësinë e tifozllëkut të tyre politik apo partiak me letra aplikimesh për fonde të reja nga Soros dhe burime të tjera më të afërta, pa përjashtuar edhe ato nga Athina dhe Beogradi!? Është edhe më tepër diskredituese për këtë “tufë misionarësh” në PD lumturimi i tyre nga gjendja e saj dhe e opozitës, sidomos gjatë këtyre 10 viteve të fundit!? Vazhdojnë të mos e përmbajnë dhe shprehin gëzimin edhe pse e kanë kuptuar qysh në fillim dhe e kuptojnë edhe sot shumë më mirë se duke e dëmtuar rëndë Partinë Demokratike të parë e të vërtetë kanë dëmtuar ndjeshëm e për një kohë të gjatë edhe pluralizmin dhe demokracinë, Shqipërinë dhe Kombin, pra shumicën e shqiptarëve të sotëm e të ardhshëm…! Për “hemorragjinë”, “erozionin” apo braktisjen e PD-së nga “demokratë” dhe “opozitarë” për poste drejtuese partiake dhe qeverisëse si dhe për përfitime, shpreh edhe organika e Bashkisë Socialiste të Vlorës e publikuar më 2 e 3 qershor 2025, mbush me plot “demokratë” e “ish- demokratë” apo “opozitarë” dhe “ish- opozitarë!? Kjo listë, pa kundërshtuar prerazi edhe interesa pragmatiste e mbijetese, flet e shpreh shumë me emra e mbiemra apo me fakte! Por, edhe të mendosh se vazhdon prej mbi 33 vitesh të zbatohet “direktiva” e Saliut: “Opozitarë, por vëllezër”!?
Gjatë gjithë 34 viteve, deri më sot, më ka gërryer në tru si turjelë pyetja: si është e mundur që Sali Berisha, një burrë i pjekur, intelektual elitar, politikan dhe lider me karrierë rreth 34 vjeçare, me përvojë të pasur drejtuese e jetësore, “u mashtrua” kaq lehtë e gjatë nga kaq shumë bashkëpunëtorë të pasinqertë, “misionarë të përkohshëm”, që e sulmonin apo stërkëmbnin pas kurrizit? Për më tepër, kur shumicës u njihte mirë dosje e cv si dhe u dinte edhe pseudonimet…?! Një kritikë fare e freskët, pas atyre për “humbjen e thellë e nën hundë” më 11 maj, për Berishën dhe dy krahët e tij në PD e në ndonjë partiçkë aleate të saj! Sikur në shumicën e vendeve të tjerë, opozitat, rinia studentore, sindikatat, qytetarët e fermerët nuk ngrihen në protesta duke u interesuar më parë për parashikimet e Shërbimeve sinoptike nëpër ekrane televizive apo në celularë? Domethënë, duke pasur parasysh se një vit kalendarik ka 365 ditë, nuk i vendosin dhe zhvillojnë protestat në varësi të motit, vetëm në ditë me temperatura 15-25 gradë në verë e 5-15 gradë në dimër? Kjo “çudi” apo jo rastësi, të paktën prej rreth 10 vitesh, ndodh vetëm në Shqipëri!? Për më tepër e më keq, kur “humbja” në një maskaradë zgjedhore apo panair shit-blerjeje votash si dhe disa flakëza protestash në Tragjas, Tiranë, Elbasan, Patos, Theth…i kanë dhënë PD-së dhe aleatëve të saj të pakët e të mpakët shanset apo mundësitë për t’u bashkuar me ata dhjetëra e qindra protestues, thuajse krejt pa organizim e pa mbështetje nga ndonjë sindikatë dhe parti opozitare!?