Nga Gëzim Zilja
Pas humbjes së tetë rradhazi, të PD-së, Berisha deklaroi se: “Unë jam misionar dhe si i tillë do të kryejë misionin tim.” Pastaj bëri atë qeshjen e tij karakteristike, duke lënë të nëkuptohej se ai nuk do të bëj dorëheqje. Një sjellje e tillë ku statuti ( kushtetuta e partisë) trajtohet si një leckë dhe strukturat e partisë nuk përfillen, bën që ky njeri vështirë të jetë i besueshëm për elektoratin që ka dy para’ mend në kokë. Që nga dita e humbjes ai ka marrë vetë përsipër çdo veprim të PD-së brenda e jashtë vendit, Çdo ditë ai jep konferenca shtypi, duke u këshilluar me veten e vet, duke personalizuar çdo veprim të PD-së, e paralizuar kryesinë dhe strukturat e tjera të PD-së.
Sa i përket autoritarizmit, (mbretërimit të njëshit në parti) Berisha dhe Rama janë të njëjtë. Të dy i kanë shndërruar partitë në kuaj që i tërheqin prej kapistalli. Vetëm se njëri është në pozitë dhe ka marrë përsipër ta shkatërrojë këtë vend përfundimisht, dhe tjetri i etur për pushtet, duke u paraqitur për tridhjetë vjet i njëjti njeri, autokrat i pandreqshëm, dredharak, që njeh e gjen gabime vetëm te të tjerët. Në PD listat e mbyllura e të hapura u vendosën sërish nga kryetari, duke i kthyer kandidatët në kërmij, që jargaviteshin rreth tij. Kurrë kandidatët e PD-së nuk kanë qenë kaq pak përfaqësues e të padëshiruar nga elektorati demokrat.
Kundërshtarë të fortë, që luftuan me hunjë e gaz helmues kundër Berishës dhe përkrahësve të tij, u panë të hanë gjellën, që kishin vjellë më parë, vetëm për t’u vendosur në listën e kandidatëve. Ndërsa primaret, mendimi ndryshe dhe fraksionet brenda partisë, premtime bombastike të liderit të shkruara në statutin e ri, mbetën përralla.
Sot PD-ja paraqitet një parti, që përfaqësohet vetëm nga Berisha, që del me një dosje në dorë, jep konferenca të përditëshme e paraqet faktet e vjedhjes së votës, duke injoruar plotësisht çdo strukturë partie. Një rezolutë e lodhur e partive të djathta europiane dhe deklarata e fundit e amerikanëve, qartësuan përfundimisht, se njohin zgjedhjet dhe qeverinë e Ramës. Ndërkohë lihet të kuptohet se shqiptarët duhet t’i zgjidhin vetë problemet e tyre me zgjedhjet dhe demokracinë. Vendimtar si përherë ngelet populli shqiptar.
Çfarë duhet të bëjë PD-ja që mos të rrudhet e mpaket edhe më, nëse vazhdon të përfaqësohet nga një njeri, e ca deputetë, që e mendojnë veten si rrogëtarë, që rrinë e presin se ç’do të thotë e bëj Berisha?!
E para: Partia Demokratike duhet të paktën një herë në këta 30 vjet të analizojë seriozisht zgjedhjet. Të bëjë analizën, duke filluar nga krerët, nga kryesia e PD-së, Këshilli Kombëtar, pastaj në bazë, te PD-të e rretheve, seksionet, grup seksionet. Në këto analiza duhet të dalin në dritë shkaqet e vërteta të humbjeve, duke mos u fshehur pas gishtit se na i vjedhin “ata” votat. PD-ja duhet të kuptojë, se nuk është mjaftueshëm e besueshme te shqiptarët se me ardhjen e saj në pushtet do të sjellë drejtësi dhe do të luftojë gangrenën e qeverive shqiptare, korrupsionin galopant. Ndër deputetët e PD-së dhe organet drejtuese në qendër e rrethe, ka shumë njerëz të paaftë, intrigantë, hajdutë madje edhe më keq me të kaluar të zezë. Nëse në analizat do të mungojë ideali, fjala e lirë, sinqeriteti, dëshira për ndryshim dhe domosdoshmëria e çlirimit të vendit nga rregjimi i hajdutëve dhe të korruptuarve të rilindjes, atëherë antishqiptari dhe mafiozi Edi Rama do të vazhdojë të rrijë në pushtet.
E dyta: Të zbatojë nenin 46, i cili nuk lejon interpretime ose të ndryshojë statutin, (kështu bëjnë autokratët e sotëm) të fshijë nenin 46 dhe të zëvëndësohet me një nen që përjetëson mbretërimin e kryetarit pavarësisht nëse humb apo fiton. Partitë në demokraci nuk janë pronë private dhe as çerdhe intrigash e kryetarit dhe njerëzve pranë kryetarit.
E treta: Të përgatitet që në parlamentin e ri, ditën e parë, të kërkojë:
-Ndryshimin e menjëhershën të ndarjes territoriale të Republikës së Shqipërisë, sipas një plani të mirëmenduar, para zgjedhjeve lokale.
-Ndryshimin e ligjit të kodit zgjedhor për zgjedhjet lokale e parlamentare, me projekt
E katërta: Të përgatisë pas analizës, zgjedhjet e reja në parti, por jo me komandë, udhëzime dhe emërime nga lideri apo servilët e tij siç është bërë këta 30 vjet. Të gjitha këto më sipër nuk e pengojnë PD-në të vazhdojë betejën ligjore për vjedhjen e zgjedhjeve.
PS. Statuti i P.D-së, aprovuar më 11.12.2021. Neni 46 pika 8:
Në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithëshme për Kuvendin, Partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë dhe automatikisht për shkak të Statutit. Në këtë rast, kryetarit që i përfundon mandati, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie.