Numri i pensionistëve në Shqipëri po vjen gjithnjë e në rritje kjo për shkak të plakjes së popullsisë, fenomenit të emigrimit dhe rënies së lindshmërisë, duke bërë që presioni mbi skemë të jetë i lartë.
Por cilat janë qytetet më të “plakura”?
Referuar të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore për vitin 2024, numri i pensioneve urbane të pleqërisë arrin 525,421.
Qarku me numrin më të lartë të pensionistëve është Tirana me 138,506 pensionistë, kjo edhe për shkak se ka numrin më të lartë të popullsisë në shkallë vendi, duke regjistruar dukshëm një kapërcim me qarqet e tjera. Më pas renditet Qarku Fier me 62,309 pensionistë, Vlora regjistron 52,218, ndjekur nga qarku Korçë me 49,186 pensionistë, Qarku Durrës me 48,479 dhe Elbasan me 42,395 pensionistë.
Qarku me numrin më të ulët të pensionistëve urbanë është Kukësi me vetëm 8,542 individë të moshuar që gëzojnë përfitime financiare.
Sa i takon pensioneve të pleqerisë në fshat, në total numri në fund të vitit 2024 ka arritur në 82,146.
Qarku me numrin më të lartë është sërish Tirana me 12,908 pensionistë, të cilët përfitojnë mbështetje financiare, ndjekur nga Qarku Fier me 11,321 pensionistë dhe më pas renditet qarku i Elbasanit me 9,785 pensionistë.
Edhe sa i takon pensioneve rurale, qarqet më me pak përfitues janë Gjirokastra me 3,550 dhe Kukësi me 2,626 pensionistë.
Ndërkohë, pensioni mesatar mujor në qytet ka arritur në 19,609 lekë në muaj dhe në fshat 11,878 lekë në muaj.