Rituali i Dollisë është shpallur zyrtarisht si një Pasuri Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, pas vendimit të marrë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale. Lajmin e bëri të ditur ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili në një postim në Facebook theksoi se ky ritual përfaqëson një traditë të lashtë të mikpritjes shqiptare.
“Riti i Dollisë Shqiptare, të shpallur Pasuri Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore si një traditë e lashtë e mikpritjes shqiptare, nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jo Materiale”, shkruan Gonxhja.
Dollia është një ritual familjar dhe shoqëror që përqendrohet në bashkimin e njerëzve gjatë ngjarjeve të ndryshme familjare apo sociale. Ky zakon përbën një shprehje të lartë të mikpritjes shqiptare, duke vënë theksin në respektin dhe vëmendjen ndaj mysafirit, përmes krijimit të një atmosfere të ngrohtë dhe bujare.
Një nga elementët karakteristikë të ritualit është roli i dollibashit, i cili qëndron në krye të tryezës, përballë pritësit të dollisë. Këta dy personazhe ndryshojnë rolet gjatë ritualit, ndërsa marrëdhënia e tyre reflekton urimet dhe respektin reciprok, që manifestohen përpara të gjithë të pranishmëve.
Gjatë shekujve, Rituali i Dollisë është përshkallëzuar në një kod moral që ruhet dhe praktikohet në të gjithë hapësirën shqiptare, duke integruar shumë elemente të tjera të trashëgimisë shpirtërore të kombit tonë.