Në mungesë të reformave strukturore në arsim, punësim dhe teknologji, dhe analizës së produktivitetit, Shqipëria rrezikon të ngelet një vend ku punohet shumë, por ku shpërblimi ekonomik për më punëtorët, krijuesit, produktivët dhe të talentuarit, mbetet modest. Ligjet e tregut siç rezervojnë një panoramë të zymtë për ndërmarrjet, kur merita dhe përfitimet shkojnë për dembelët dhe manipuluesit e tregut të punës, nëse kjo ndodh masivisht; e njëjta panoramë do të mbizotërojë në ekonomi. Kjo është arsyeja pse punët shkojnë keq për shumë ndërmarrje shtetërore dhe private dhe shpjegon shkretimin masiv të zonave rurale dhe largimin e pandalshëm të të rinjve, për një të ardhme në një vend tjetër ku vlerësohen puna dhe produktiviteti.
Pra, cilat vende janë vërtet të pasura?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, The Economist analizoi 178 vende duke përdorur tre masa: PBB-në për person, të ardhurat e rregulluara për kostot lokale (të njohura si pariteti i fuqisë blerëse, ose PPP) dhe të ardhurat e rregulluara si për çmimet lokale ashtu edhe për orët e punës.

Të jesh i pasur nuk do të thotë vetëm të fitosh më shumë, siç tregon ky grafik.
Çmimet ndryshojnë midis vendeve dhe një pagë modeste mund të shkojë më tej aty ku gjërat janë më të lira. Orari i punës ndryshon gjithashtu: disa vende arrijnë të gjenerojnë të ardhura të larta me më pak orë pune, duke lënë kohë për kohën e lirë.
Luksemburgu, Irlanda, Norvegjia, Katari, Danimarka, Belgjika, Zvicra, SHBA, Holanda dhe Singapori janë 10 vendet e individëve më të pasur në botë sipas analizws sw The Economist.
Treguesi i dytë rregullon të ardhurat në raport me koston lokale të jetesës (i njohur si barazia e fuqisë blerëse, ose PPP). Ky jep një pasqyrë më të saktë të standardit të jetesës, por nuk merr parasysh kohën e lirë: pjesëmarrja në tregun e punës dhe gjatësia e orarit të punës ndryshojnë nga një vend në tjetrin.
Treguesi i fundit kombinon të dyja aspektet: çmimet lokale dhe orët e punës, duke ofruar kështu një matës më të plotë të mirëqenies reale.
Në renditje përfshihet dhe Shqipëria e vendet e tjera të Ballkanit Perëndimore pa Kosovën.
Në treguesin e të ardhurave për frymë, me 10 mijë dollarë, Shqipëria lë pas si Bosnjë Hercegovinën (gati 9 mijë dollarë), ashtu dhe Maqedoninë e Veriut (9.3 mijë dollarë), ndërsa Mali i Zi dhe Serbia kanë përkatësisht 13 dhe 13.5 mijë dollarë të ardhura për frymë në vit. Shqipëria është e teta në gjithë Europën për renditjen nga fundit të vendeve që kanë të ardhura më të ulëta për frymë, duke lënë pas Azerbajxhanin, Moldavinë, Bjellorusinë, Armeninë, Bosnjë-Hercegovinën, Gjeorgjinë, Maqedoninë e Veriut.
Por, kur kalohet në dy treguesit e tjerë, që marrin në konsideratë si diferencat e çmimeve (që përshtat të ardhurat për ndryshimet e kostos së jetesës në vende të ndryshme) ashtu dhe treguesi i fundit që llogarit të ardhurat duke u bazuar në çmimet dhe orët që punohet (Tregon sa pasuri gjenerohet realisht për orë pune në çdo vend.
Ky është treguesi më i drejtë për të krahasuar efikasitetin ekonomik të popullsisë punëtore), të ardhurat relative ulen, duke reflektuar çmimet e shtrenjta, ndërkohë që orët e punës janë të gjata. Shqiptarët kanë të ardhurat më të ulëta në rajon, krahasuar me fuqinë blerëse, pas Bosnjë Hercegovinës dhe janë të katërtit në Europë, pas Moldavisë, Bosnjë Hercegovinës dhe Armenisë.
Të ardhurat e rregulluara për çmimet dhe orët që punohet, në Shqipëri në vitin 2024 ishin 26.4 mijë dollarë, nga 22 mijë dollarë në Bosnjë Hercegovinë. Të dhënat tregojnë qartë se shqiptarët janë ndër punëtorët, që ndonëse kanë orë të gjata pune, janë më pak më të shpërblyerit.
Ndërkohë që në Maqedoninë e Veriut kjo shifër arrin në mbi 30 mijë dollarë dhe, në Serbi 31.6 mijë në Mal të Zi në mbi 36 mijë, Shqipëria mbetet shumë më pas në vlerën ekonomike që prodhon për çdo orë pune. Madje, edhe Bosnja dhe Hercegovina, me një PBB nominale më të ulët për frymë, arrin të ketë një produktivitet të krahasueshëm me Shqipërinë kur bëhet fjalë për të ardhurat efektive të punës.
Ky pozicionim i dobët lidhet jo me numrin e ulët të orëve të punës, përkundrazi Shqitarët punojnë një rekord prej 43.7 orë në javë, nga 36.1 orë mesatarja europiane, por me strukturën e tregut të punës dhe natyrën e ekonomisë shqiptare.
Pjesa më e madhe e punës kryhet në sektorë me vlerë të ulët të shtuar – si bujqësia informale, tregtia e vogël apo shërbimet jo-produktive – të cilat nuk gjenerojnë të ardhura të mjaftueshme krahasuar me kohën e investuar.
Në krahasim me vendet e Bashkimit Europian, hendeku është edhe më i madh. Sipas The Economist, vendet si Zvicra dhe Irlanda arrijnë të gjenerojnë mbi 90 mijë dollarë për frymë në vit të korrigjuar për orë pune. Edhe vende me ekonomi më të strukturuara si Gjermania, Austria apo Suedia luhaten në shifrat 70–80 mijë dollarë. Shqipëria, me pak më shumë se 26 mijë, mbetet larg këtij standardi.
Analiza e The Economist jep mesazhin e qartë për vendet në zhvillim si Shqipëria: rritja e produktivitetit nuk vjen vetëm nga më shumë punë, por nga punë më efikase, më të mirëpaguar dhe në sektorë me teknologji më të lartë dhe me më shumë vlerë të shtuar.