Biznesmeni Elman Abule është marrë i pandehur për dosjen e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Ai ka mbërritur paraditen e sotme (22 Korrik) në Prokurorinë e Posaçme, ku iu janë komunikuar akuzat. Biznesmeni Elman Abule akuzohet për pastrim parash në dosjen e Erion Veliajt dhe ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie
Prokuroria e Posaçme do te marrë zyrtarisht si të pandehur kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj ndodhet në qeli prej datës 10 shkurt dhe akuzohet për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie.
Sipas gazetares Klodiana Lala, akuzat do t’i komunikohen zyrtarisht ditën e mërkurë (23 Korrik).
Erion Veliaj dhe avokatët e kryebashkiakut janë njoftuar zyrtarisht nga Prokuroria e Posaçme.
Nuk dihet nëse kryebashkiaku i Tiranës do të lërë për pak orë qelitë e paraburgimit në Durrës për t’u përballur me prokurorët e posaçëm, Altin Dumani dhe Ols Dado.
Ajo çfarë mbetet e paqartë është nëse SPAK do ta përcjellë dosjen për në Gjykatën e Posaçme apo do të shtyjë afatet e hetimit.
Erion Veliaj u arresua në zyrën e tij më 10 Shkurt dhe po hetohet së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, si edhe 6 biznesmenë.
Reagimi i plotë: Reagim i ekipit ligjor të z. Veliaj:
“Jemi thellësisht të shqetësuar që, praktika e nxjerrjes së informacioneve mbi procedurat e çështjes penale të z. Veliaj, vijon edhe në rrethanat e një takimi të prezumuar që do të mbahet nesër mes avokatëve të tij dhe SPAK-ut. Njoftimi i medias apo marrja e informacionit nga ana e medias përpara se vetë personit nën hetim, z. Veliaj, është një provë tjetër e faktit që kjo është një taktikë jo ligjore e prokurorisë për të sugjeruar në publik fajësinë e z. Veliaj.
Zbulimi i përsëritur dhe i paligjshëm i informacioneve që përbëjnë sekret hetimor mbi çështjen e z. Veliaj ka vijuar pa ndërprerje që nga dita e arrestimit të tij, në një përpjekje të qëllimshme për ta paragjykuar. Mosfillimi i asnjë procedimi penal nga ana e Prokurorisë së Posaçme për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 295/a (“Zbulimi i akteve ose dhe të dhënave sekrete”) i Kodit Penal, tregon qartë bashkëpunimin e këtij organi në realizimin e kësaj vepre penale.
Siç jemi njohur nga mediat e “SPAK”, që nesër pritet njoftimi i akuzës dhe përfundimi i hetimit nga SPAK, 163 ditë pas arrestimit të z. Veliaj, i jep për herë të parë mundësinë të shqyrtojë dhe të sfidojë siç duhet akuzat që janë ngritur ndaj tij, të analizojë provat e prokurorisë, të paraqesë prova dhe argumente ligjore në mbrojtje të tij.
Z. Veliaj kundërshton me forcë çdo akuzë për shkelje dhe vijon të theksojë bindjen e tij se ndalimi i zgjatur, i paarsyeshëm, i panevojshëm dhe joproporcional është në dëm të rëndë jo vetëm të të drejtave të tij kushtetuese si qytetar i këtij vendi, por edhe në dëm të rëndë të qytetarëve të Tiranës që kanë zgjedhur qeverisjen e qytetit dhe të vetë qytetit të Tiranës, që ka nevojën imediate të qeveriset nga kryetari i zgjedhur.”