Shumë demokratë dhe zyrtarë të kësaj force politike kanë kërkuar ndryshim të kupolës drejtuese të PD-së pas humbjes në zgjedhjet e 11 Majit, por duket se Sali Berisha nuk është i këtij mendimi.
I pyetur nga gazetarët, Berisha tha se për momentin situata në PD është në rregull dhe sipas tij, nuk ka nevojë për ndryshime, ku fillimisht duhet të përqëndrohen te denoncimi i farsës elektorale.
“Tani, statuti është në rregull, nuk ka nevojë për momentin për ndonjë ndryshim. Sigurisht që pasi të finalizojmë denoncimin në Shqipëri dhe botë të farsës elektorale, PD do bëjë një analizë të plotë të të gjitha problemeve në mënyrë që të modernizohet dhe të hapet gjithnjë e më shumë.” – deklaroi Berisha
I pyetur nëse a do ta zbatojë nenin “Basha” të statutit dhe të japë dorëheqjen, Berisha sërish tha se ato nuk ishin zgjedhjet, por farsë elektorale.
“Unë deklaroj? Po më thuaj ti që flet që nuk janë farsë. Atë e ka marrë vesh e gjithë bota që janë farsë. A e more vesh që në raportin që u miratua në Këshillin e Europës nga delegacioni që vëzhgoi zgjedhjet, rekomandimi thotë në Shqipëri të ndahet partia nga shteti.
Tani, për çdo njeri që ka minimumin e njohurive elektorale, ky rekomandim do të thotë se zgjedhjet janë zhvilluar në kushtet e partisë shtet dhe se në kushtet e partisë shtet nuk ka zgjedhje, por ka farsë.. ..
Tani, siç e shihni jemi në kushtet e një farse të pashembullt elektorale në 32 vite. Besoj se kemi arritur të dokumentojmë dhe po dokumentojmë çdo ditë për shqiptarët dhe institucionet ndërkombëtare dhe partnerët tanë farsën e shëmtuar. Pastaj fjalën do e marrë populli opozitar dhe demokratët. Kjo është…
Ajo është një çështje që ka të bëjë, ai nen ka të bëjë kur zhvillohen zgjedhje dhe jo kur zhvillohet farsë elektorale.
Në kuptimin që farsat nuk mund të përdoren për mekanizma antiopozitë në një kohë kur ato janë mekanizma thelbësorë antidemokratike. Besoj se e ke të qartë, janë për përmbysjen e sistemit demokratik.” – tha Berisha.