Universiteti Bujqësor i Tiranës, tashmë është gati të ofrojë 9 programet e Universitetit BOKU të Vjenës, me synimin për t’u bërë lider në rajon. Në aktivitetin e mbajtur në kuadër të kësaj, kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij u shpreh se UBT deri në 2030, do të jetë antenna e BOKU-t në rajon.
“Ajo që është arritur është diçka që mua personalisht më bind që në 2030 UBT dhe BOKU do të jenë një dhe UBT do të jetë antena e BOKU-t në rajonin tonë,”- u shpreh Rama.
Ndër të tjera, kryeministri Rama theksoi se rëndësia e universitetit Bujqësor do të ndihet edhe në kapitujt e negociatave për anëtarësimin në BE.
“Me anëtarësimin në BE numri i profesionistëve që vijnë nga fushat që mbulon UBT është shumë më i madh se ai i juristëve duhen profesionistëve që të dinë për çfarë bëhet fjalë, si ti rimodelojnë zhvillimet. Mungesa e ujit, konfliktet për burimet po kthehen deri në konflikte midis shteteve. Janë mbi 2 mld njerëz që përballen me etje. Bujqësia konsumon 70 % të ujit të ëmbël ndaj bota flet për menaxhim të zgjuar të ujit. Politika për ujin për të shmangur kriza konflikte. Janë tema që janë pjesë e axhendës së punës së universitet Boku dhe UBT. Siguria ushqimore, çështje të inovacionit dhe teknologjisë të lidhura me fshatin dhe zhvillimin. Pa fshat, s’ka qytet, pa prodhimin në fshat nuk mbijeton dot qyteti, ndaj na duhen njerëz të ditur për të gjithë teknologjinë që ka nisur të hyjë me shpejtësi të madhe, për satelitët, dronët, kërkimet për të dhënat. Jemi në kohë, por jemi në zgrip të kohës,”- tha kryeministri.
Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në aktivitetin për Universitetin Bujqësor të Tiranës, i cili tashmë do të ofrojë 9 programe të reja sipas modelit të universitetit BOKU në Vjenë. Në fjalën e tij, Rama e vlerësoi reformën në UBT si një transformim rrënjësor dhe një ndërhyrje të domosdoshme për ta “çliruar nga pushtuesit”.
“UBT ka kaluar dy faza, atë të lavdisë dhe më pas të rrënimit. Në fillimet e tij ishte qendër ekselence në kushte të vështira, me pedagogë të jashtëzakonshëm. Më pas u shndërrua në një hapësirë të braktisur dhe të degraduar”, tha Rama.
Ai shtoi se ndërhyrja për reformimin e universitetit ishte “e rëndë dhe e turpshme për nga nevoja”, pasi UBT, sipas tij, ishte kthyer në një territor të pushtuar nga ndërtimet e paligjshme dhe aktivitetet tregtare.
“Nuk mund të hyje në klasë pa kaluar nëpër një pazar të paligjshëm ndërtimesh. Ishte dramatike. Së bashku me rektorin bëmë një ndërhyrje për ta çliruar”, theksoi ai.
Rama vlerësoi transformimin aktual të UBT-së si një nga reformat më serioze në arsimin shqiptar, duke theksuar se Shqipëria ka nevojë për profesionistët që formon ky universitet, veçanërisht për sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.