Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, konsideron se autoriteti më i lartë kushtetues i vendit nuk do ta shqyrtojë kërkesën e presidentes Vjosa Osmani për një masë të përkohshme lidhur me afatin 30 ditor për konstituimin e Kuvendit.
Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, Kryeziu e cilësoi të vonuar kërkesën e Osmanit për sqarim të aktgjykimit të Kushtetueses.
Sipas tij, presidentja e Kosovës është dashur, që disa ditë pas shpalljes së vendimit, t’i kërkojë Gjykatës sqarime se si të veprohet pas datës 26 korrik, në rast të moskonsituimit të institucionit ligjvënës të vendit.
Kryeziu komentoi edhe se çfarë mund të ndodhë pas skadimit të 30 ditëshit; a u merren deputetëve mandatet, a zëvendësohen deputetët apo shkohet në zgjedhje të reja.https://www.evropaelire.org/embed/player/0/33481677.html?type=audio
Presidentja e Kosovës tha të martën se kërkesa në Kushtetuese “në esencë është kërkesë për sqarim të pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh”.
Sipas saj, qëllimi është që të sqarohet situata e moskonstituimit brenda afati, por edhe se si ushtrohen kompetencat e secilit institucion kushtetues, në mungesë të konstituimit të një prej shtyllave kryesore të parimit të ndarjes së pushteteve, që është Kuvendi.
Osmani tha, po ashtu, se “kërkesa për masë të përkohshme është mundësi që të shmanget futja e institucioneve në një bllokadë pa fund, dhe hyrja në një situatë ku institucionet do të mund të konstituoheshin në një mënyrë jokzushtetuese dhe do të ishin të pasafatshme”.
Disa deputetë të partive opozitare në legjislaturën e kaluar të Kosovës e kanë konsideruar të vonuar kërkesën e presidentes Vjosa Osmani drejtuar Gjykatës Kushtetuese, për sqarim lidhur me atë se çfarë do të ndodhë pas datës 26 korrik, në rast se deri atëherë nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës.
Osmani ka kërkuar gjithashtu një masë të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit – afat ky që ka filluar të llogaritet nga 26 qershori, data kur Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin.
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, tha se kërkesa e presidentes për masë të përkohshme është e gabuar, pasi i jep më shumë kohë Lëvizjes Vetëvendosje – partisë më të madhe në Kuvend – për të vazhduar bllokimin e institucioneve të Kosovës.
“Presidentja është dashur shumë më herët t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese, pasi që kemi kaluar një kohë shumë të gjatë. Kemi humbur muaj të tërë dhe ende nuk po arrijmë të gjejmë një zgjidhje”, tha Qalaj.
Në të njëjtën frymë u shpreh edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili theksoi se situata nuk është e mirë.
Ai shtoi se vendimi i Osmanit për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese i jep Vetëvendosjes edhe disa ditë kohë për bllokadën.
Haradinaj shfaqi shpresën që Kushtetuesja të mos vonojë me vendimet e saj.
Pavarësisht dhjetëra përpjekjeve, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet për shkak të mosmarrëveshjeve politike.
Fituesja e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Vetëvendosje, ka propozuar Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por ajo nuk ka kaluar në votim të hapur.
Vetëvendosje insiston që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë, por opozita e konsideron atë të papranueshme dhe jokushtetuese.
Në mes të këtij ngërçi politik, Gjykata Kushtetuese ka vendosur më 26 qershor që Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh, por nuk ka sqaruar se çfarë ndodh në rast të mosrespektimit të këtij afati.
Katër ditë para skadimit të afatit, më 22 korrik, presidentja Osmani ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese sqarime shtesë dhe një masë të përkohshme për pezullimin e afati 30-ditor./REL