Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri bëri të ditur sot se, lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore, mbetet një sfidë globale e nxitur nga krimi i organizuar dhe emigracioni i paligjshëm.
Në konferencën përmbyllëse të projektit “Të Drejtat e Viktimave Nuk Kanë Çmim”, mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, shefja e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun, McKenzie Louw, së bashku me zbatuesin e projektit, qendrën Psiko-Sociale Vatra, dhe partnerët nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Gjykata e Lartë dhe forcat shqiptare të zbatimit të ligjit, theksuan nevojën për bashkëpunim mes organeve të rendit, institucioneve të drejtësisë dhe komuniteteve për të çmontuar rrjetet e trafikantëve dhe për të mbështetur viktimat.
Në njoftimin e Ambasadës, thuhet se “Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara në luftën kundër trafikimit, sigurimin e kufijve dhe çmontimin e rrjeteve kriminale ndërkombëtare që shfrytëzojnë individët më të cenueshëm”.