Kuvendi i Shqipërisë ka nisur konsultimet për hartimin e një projektligji të ri Për financimin e partive politike”. Përfaqësues nga institucionet publike, shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë kanë diskutuar për punën përgatitore të draftit në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit.
Kryetari i Komisionit Fatmir Xhafaj, tha se përgatitja e draftit duhet adresuar me shpejtësi edhe për shkak të detyrimeve që lindin nga negociatat me Bashkimin Europian.
Përfaqësues i Institutit Demokratik Amerikan tha se në tërësi kuadri ligjor që rregullon financimin e partive politike nuk është i keq. Por ai tha se drafti i ri nevojitet për t’i dhënë një rëndësi të shtuar kësaj fushe. Sipas ekspertëve Kristaq Kume, Afrim Krasniqi dhe Valbona Kuko, legjislacioni italian është një model të mirë për t’u marrë shembull në këtë pikë.
Armela Krasniqi, kryetare e Autoritetit të Mediave Audiovizive përmendi fushatat zgjedhore që sot zhvillohen kryesisht online në rrjetet e kompanisë “Meta”, në Tik Tok etj. Ajo sugjeroi për të marrë në konsideratë Aktin Europian të Lirisë së Medias, ku flitet edhe për reklamën politike, si dhe Aktin për Shërbimet Dixhitale.
Përfaqësuesja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve tha se KQZ është e detyruar të auditojë një numër të lartë të partive politike dhe ky është një proces shumë burokratik. Sipas saj është mirë të vendosen prioritete, ndoshta të auditohen ato parti që kanë përfituar fonde publike.