HomeKulture“Në emër të gjakut”, shkrimtarja Diana Çuli: Personazhet të duket sikur i...

“Në emër të gjakut”, shkrimtarja Diana Çuli: Personazhet të duket sikur i ke para syve dhe përpiqesh të gjesh se më kë të ngjajnë

Nga Diana Çuli/Fjala e mbajtur ne promovimin ne Qendren COD
Ja ku jemi përsëri me librin e tretë të Ahmet Prençit – Në emër të gjakut, një libër me tregime, pasi ka lënë për momentin romanin.

Për këtë libër është folur shumë, ai mori çmimin në Prishtinë, është vlerësuar nga studiues  të njohur si Behar Gjoka, i cili e ka përcaktuar librin “Në emër të gjakut”  si “një ditar, një pasqyrë ku shihemi çdo ditë, me të cilin Ahmet Prençi ja hoqi petët lakrorit të padrejtësisë.” Ose shkrimtari e poeti Rudolf Marku, që ka shkruar edhe parathënien e ku ka theksuar se:

Autori i këtij libri ka vendosur të flasë përmes gjuhës artistike të tregimit për ca të vërteta të hidhura, për ca karaktere njerëzore që janë pjesë e jona, për ca ngjarje që shumë kush nga ne nuk do t’i donte t’i kujtonte, po ashtu si ca njerëz që do të donin të mos shihnin veten në një fotografi kapur në një moment të shëmtuar dhe kompromentues. Dhe më tej – këtu kemi shkrirjen në një të skenave makabre me humanizmin e thellë të fshehur kujdesshëm, të autorit.

I mora si pikënisje këto dy citime nga dy personalitete të letrave tona, sepse më duken edhe si karakteristika kryesore të veprës së tij.

Ahmet Prençi trajton tema të drejtësisë – gjë që tek ne në këto tri dekada rrallë ose asfare nuk janë trajtuar, ose edhe nëse po, nuk kanë lënë gjurmë – ndoshta dhe jam gabim, por asnjëherë me një intensitet të tillë, temë, që te Prençi fillon që te Brenga e prokurorit. Dhe nuk është e lehtë,

Gjithashtu, si thotë Rudolfi, edhe mua më duket se humanizmi i fshehur e përshkon si fill i padukshëm letërsinë e tij.

Ajo që vërej në këtë libër me tregime e novela, është një kapërcim në stil të autorit. Nëse te Brenga e prokurorit zënë vend edhe kapërcime në kohë, backstory të personazheve, në këto novela – ndoshta nga vetë përcaktimi kohor-viti 1997 – stili është përfshirës dhe me suspense. Atmosfera e të papriturës, e rrezikut, e ankthit është shumë e pranishme. Rrëfimi është mjaft i strukturuar, nuk i shmanget rrjedhës kryesore të narracionit dhe synon të na japë një imazh sa më të gjallë të asaj që po përshkruan e po diskuton së bashku me ne.

Gjuha e personazheve është e drejtpërdrejtë, të përfshin në emocione, dhe subjekti po ashtu i strukturuar mirë, në të gjitha tregimet por edhe në ato që janë më të gjata, në kufinjtë e novelës.

Dhe, më kryesorja, personazhet e tij, si policët të cilëve u ka dedikuar dhe këtë libër,  si romët me të cilët pak janë marrë dhe që askush nuk kishte folur më parë për atë ngjarje të asaj kohe, si dhe njerëzit e tjerë, të duket sikur i ke para syve dhe nganjëherë përpiqesh të gjesh se më kë personazh real të ngjajnë.

Ajo që të bën përshtypje në të gjithë këto tregime, që pasqyrojnë shumica ndoshta periudhën më dramatike e më të vështirë të tranzicionit tonë, e që e kemi jetuar të gjithë, është se nuk të duket si kopje, si përsëritje, por si një realitet i ri, i cili të kthen mbrapsht me pamje të gjalla në realitetin e vjetër,: atë të jetës. Pra fiction-i ia ka arritur qëllimit: një botë e re e krijuar nga autori, por që trajton ato çështje që na rrethonin dhe për të cilat tani reflektojmë ndryshe, analizojmë një në një tjetër mënyrë, në atë që na jep mundësinë letërsia.

Ajo që më bën përshtypje në letërsinë e Prençit, është edhe trajtimi i çështjeve etike, të dilemave të prokurorëve, policëve, njerëzve të thjeshtë, por të ndershëm, përpara sfidave që i vendos krimi, shkelja e ligjit, agresiviteti, keqbërja, keqdashja.   

Dhe, më e rëndësishmja është mesazhet që ne perceptojmë përmes rrëfimit të këtyre ngjarjeve tragjike e tronditëse, përmes formës që ai i jep tregimit: në këtë realitet specifik ku na fut autori, në këtë moment specifik të historisë sonë moderne, ai ka përdorur një stil e një formë që i bën këto tregime mjaft origjinale. Sepse jo gjithnjë është e lehtë, për asnjë nga ne, që i jetojmë ngjarjet historike, të ruajmë atë peshore të vështirë mes realitetit dhe fictionit, të vërtetës dhe imagjinares dhe këtë peshore mendoj se Ahmet Prençi e ka gjetur me shumë saktësi. Nuk ka rënë në grackën e detajit historik dhe as të fantazisë së shfrenuar, as të hamendjeve kureshtare. Di ta përdorë mjaft mirë letërsinë si një burim edhe informativ mbi historinë dhe historinë për t’i dhënë atij një kontekst të caktuar e një frymëzim për krijimin letrar..

Ja si thotë dhe vetë në disa prej intervistave:

“Ky libër  është një përpjekje për të ndërtuar letërsi mbi realitete që i kam parë, dëgjuar, ndjerë apo që më kanë lënë një shenjë të pashlyeshme. Janë fabula që lindin nga ngjarje të vërteta, por që pastaj udhëtojnë përtej faktit, në tokën e dendur të imagjinatës, ku fjala nuk ka vetëm detyrën të tregojë, por edhe të kuptojë, të ndriçojë, të falë dhe ndonjëherë… të qajë në heshtje. E ndjej të domosdoshme të them se ky libër nuk është një libër kujtimesh, as një kronikë ngjarjesh, e aq më pak një pasqyrë personash konkretë. Letërsia nuk është pasqyrë e thjeshtë, ajo është shpesh pasqyrë e përmbysur, metaforë e thellë, shpirt i shndërruar në rrëfim.”

Dhe ne të gjithë, dëshmitarë të vitit 1997, por edhe të ngjarjeve të pmabrimta që prodhon shotëria jonë e vogël në numër, por e madhe në drama, tragjedi e madje dhe komedi të çuditshme, duke lexuar këtë libër reflektojmë mbi atë që është brenda nesh si shoqëri, mbi përpjekjet që bëjmë për të ndryshuar dhe mbi ato rrënjë që na mbjanë shpesh thellë në të shkuarën apo që kërkojnë të mbijnë në toka jo pjellore. Dhe, me anë të letërsisë, ndoshta, shpresojmë se mund të hedhim pak dritë mbi këto përsiatje tonat e të përparojmë sapak.

Siç shkruan edhe studiuesja Ajne Hibërhysaj, Ahmet Prençi “nuk shkruan për të fituar zemrat e lexuesve, por për të zgjuar ndërgjegjen e tyre. Ky libër nuk është një libër që lexohet lehtë, por është një libër që duhet lexuar. Ai nuk kërkon keqardhje, por reflektim.”

Dhe unë jam krejt në një mendje me të.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular