Oligarku moldav Vladimir Plahotniuc, i njohur për një nga skandalet më të mëdha financiare në historinë e Moldavisë, ndodhet prej ditës së djeshme në duart e policisë greke.
Ai u arrestua në territorin grek, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për përvetësimin e 850 milionë eurove, ekuivalente me një miliard dollarë, përmes mashtrimeve bankare.
Plahotniuc, një figurë shumë e njohur në vendin e tij, u largua nga Moldavia në vitin 2019, për t’iu shmangur një sërë akuzash për korrupsion, përfshirë bashkëpunimin në një skemë që çoi në zhdukjen masive të fondeve nga një bankë shtetërore.
Sipas autoriteteve moldave, shuma e përvetësuar përfaqësonte të paktën një të tetën e Prodhimit të Brendshëm Bruto vjetor të vendit.
Pavarësisht se ai ka mohuar çdo shkelje ligjore, aktivitetet e tij janë përshkruar nga analistët si skenar i denjë për një film hollivudian. Policia moldave njoftoi se kishte marrë informacion nga Interpoli në Athinë për arrestimin e dy shtetasve moldavë, mes tyre edhe vetë Plahotniuc, i cili që prej shkurtit ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Sipas Policisë Helenike (ELAS), Interpoli kërkon Plahotniucin për akuza të rënda si pjesëmarrje në organizatë kriminale, mashtrim dhe pastrim parash.
Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Moldavisë kanë nisur procedurat për shkëmbimin e informacioneve dhe përgatitjen e kërkesës zyrtare për ekstradimin e Plahotniuc dhe bashkëpunëtorit të tij, duke mbyllur kështu një kapitull të gjatë të një thriller-i politik që kishte në qendër Partinë Demokratike të Moldavisë.
Plahotniuc, dikur një nga njerëzit më të pasur të vendit, u largua drejt SHBA-së në qershor të vitit 2019 pasi nuk arriti të formonte qeveri me Partinë Demokratike. Një vit më pas, në vitin 2020, ai shpallet person “non grata” nga autoritetet amerikane, ndërsa vendndodhja e tij mbeti e panjohur për një kohë të gjatë.
Në vitin 2022, Departamenti Amerikan i Shtetit e përfshiu atë në listën e sanksioneve për korrupsion të nivelit të lartë, duke e akuzuar për kontroll të institucioneve të rendit dhe ndërhyrje në proceset zgjedhore.
Në të njëjtin vit, edhe Mbretëria e Bashkuar vendosi sanksione ndaj tij, duke i ndaluar hyrjen në vend dhe duke ngrirë asetet e tij në Britani dhe territoret e saj përtej detit. Masat ndaj Plahotniuc u ndërmorën gjithashtu për akuzat mbi përfshirjen e tij në fushata politike pro-ruse dhe përpjekje për të devijuar orientimin pro-evropian të Moldavisë.
Arrestimi i Plahotniuc pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në fushatën për zgjedhjet parlamentare të shtatorit në Moldavi. Lajmi është mirëpritur nga kampi i presidentes pro-evropiane Maia Sandu, në një kohë kur Kremlini dyshohet se është përfshirë në fushata të gjera dezinformimi dhe manipulimi të votuesve moldavë.
Për forcat politike me orientim pro-evropian, kapja e oligarkut paraqet një fitore të madhe.
Plahotniuc u arrestua ndërsa përpiqej të arratisej drejt Dubait, ndërkohë që ndaj tij ishte lëshuar “njoftim i kuq” nga Interpoli për përfshirjen në skandalin bankar ku përvetësoi një miliard dollarë përmes një periudhe pesëvjeçare.
Ish-kreu i Partisë Demokratike zotëronte disa pasaporta, të Moldavisë, Rumanisë dhe Rusisë, ndërkohë që në fund të marsit kishte siguruar edhe dokumente false identiteti meksikan, të cilat i kishte marrë nga një shtetas meksikan në emër të një gruaje të re ruse me banim në Dubai, Irina Ustina.
Që prej vitit 2019, ai nuk kishte një vendbanim të qëndrueshëm, por kohët e fundit kishte zgjedhur të jetonte në një vilë luksoze në jug të Athinës.
Sipas burimeve, aty ndodhej së bashku me Elizaveta Kuznetsova, e shpallur Miss Moldavia 2019, dhe me ish-boksierin dhe ish-deputetin moldav Konstantin Tutu.