Ambasadorët e 27 vendeve të Bashkimit Europian kanë vendosur me unanimitet këtë të mërkurë, më 23 korrik, hapjen e negociatave për grupkapitullin e pestë me Shqipërinë, i cili përfshin Bujqësinë dhe Kohezionin. Ky është edhe grupkapitulli i fundit i negociatave të anëtarësimit për vendin tonë drejt BE-së.
Lidhur me këtë zhvillim të rëndësishëm kryeministri Edi Rama reagoi përmes një postimi në Facebook, duke thënë se “Shqipëria nuk ndalet”.
Pritet që në fillim të muajit shtator të mbahet edhe konferenca e gjashtë ndërqeveritare për të shënuar hapin final zyrtar të hapjes së të gjithë kapitujve me qëllim anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në vitin 2030.
Në konferencën e shtatorit do të diskutohet grupkapitulli i katërt i negociatave, ai për Axhendën e Gjelbër dhe Lidhshmërinë e Qëndrueshme.
BE-ja i ka kërkuar Shqipërisë që në muajin qershor të paraqesë pozicionin e saj negociues për këtë grup kapitujsh. Grupkapitulli 4 përfshin: transportin, rrjetet trans-evropiane, përmirësimin e infrastrukturës rrugore asaj hekurudhore si dhe sigurinë. Po ashtu trajtohen çështje që lidhen me sektorin e energjisë, mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike.
Kujtojmë se në fillim të këtij muaji, komisionerja e Zgjerimit Marta Kos, vlerësoi në mënyrë të veçantë ecurinë që po bën Shqipëria në lidhje me reformat që po ndërmerr në kuadër të integrimit, për të cilën ajo me bindje tha se deri në vjeshtë do të jenë hapur të gjithë grup-kapitujt e negociatave.
“Jemi dëshmitarë të një progresi të dukshëm. Shqipëria, i nderuar Kryeministër Edi Rama, ka hapur tre grup-kapituj gjatë gjashtë muajve të fundit. Ju falënderoj për rolin dhe kontributin tuaj në suksesin e këtij procesi të zgjerimit. Nëse vazhdojmë me të njëjtin përkushtim, mund të arrijmë të hapim të gjithë grup-kapitujt brenda këtij viti. Dhe, siç ju thashë edhe dje, mezi pres që të festojmë së bashku hapjen e grup-kapitullit të fundit në vjeshtë.”– ishin fjalët e Kos në Samitin e mbajtur në Shkup.
Kryeministri Rama, nga ana e tij, e ka përsëritur shpeshherë që e sheh anëtarësimin e Shqipërisë brenda kësaj dekade mëse të mundshëm dhe të merituar.
Qeveria e kryeministrit Edi Rama synon që të përfundojë negociatat deri në vitin 2027 si dhe anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030.
Kryeministri Edi Rama thote se Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare të BE-së (COREPER) ka autorizuar Presidencën Daneze të ftojë zyrtarisht Shqipërinë për të paraqitur Pozicionin e saj Negociues për Grupkapitullin 5: “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”.
Ky zhvillim shënon një tjetër moment të rëndësishëm në procesin e negociatave, duke reflektuar përparimin e Shqipërisë në përmbushjen e kritereve teknike dhe politike për integrimin evropian.
Kryeministri Edi Rama reagoi përmes rrjeteve sociale, duke theksuar se “Shqipëria nuk ndalet”, në rrugëtimin e saj drejt familjes evropiane.
Reagimi i kryeministrit Rama
SHQIPËRIA NUK NDALET – Sot, më 23 korrik 2025, në vijim të progresit të vazhdueshëm e dinamik të Shqipërisë në rrugën e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Vendeve Anëtare të Bashkimit Europian autorizoi Presidencën Daneze të ftojë Shqipërinë për të paraqitur Pozicionin e saj Negociues për negociatat lidhur me kapitujt që përbëjnë Grupkapitullin 5 “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”

Kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me ftesën e presidencës daneze në BE për hapjen e grupkapitullit të pestë për Shqipërinë në rrugëtimin drejt integrimit europian.
Spiropali thotë se Shqipëria është pranë përmbylljes së hapjes së të gjithë kapitujve të negociatave me BE-në, pas ftesës së Danimarkës për Grupkapitullin 5 (Bujqësia, Burimet dhe Kohezioni).
Ajo shtoi se Kuvendi do të mbështesë fuqishëm këtë proces dhe do të intensifikojë diplomacinë parlamentare për anëtarësimin e vendit në BE deri në vitin 2030.
Reagimi i Spiropalit:
Ftesa e Presidencës Daneze për paraqitjen e Pozicionit Negociues për Grupkapitullin 5 “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni” dhe Konferenca Ndërqeveritare që do të mbahet së shpejti përmbyllin çeljen e të gjithë kapitujve të negociatave.
Kuvendi do të vijojë të mbështesë maksimalisht paraqitjen e Pozicionit Negociues dhe përpjekjet, kontributet dhe investimet për zhvillimin e qëndrueshëm rural, modernizimin e bujqësisë dhe kohezionin social e territorial të Shqipërisë, si dhe do të intensifikojë diplomacinë parlamentare për arritjen e objektivit tonë kombëtar për Shqipërinë 2030 në BE