Ajola Xoxa është paraqitur sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, për t’u njohur zyrtarisht me akuzat. Ndërkohë për kryebashkiakun e Tiranës hetimet përfundojnë më 29 shtator, pasi prokurorët kanë kërkuar zgjatjen e afateve.
Erion Veliaj ndodhet në qeli prej 10 shkurtit, ndërsa Xoxa nën masën detyrim paraqitje.
Prokuroria e Posaçme e akuzon Xoxën për “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Fillimisht ndaj saj u vendos masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa pas seancës së vlerësimit të masës, GJKKO vendosi “detyrim paraqitje”.
Një ditë më parë edhe biznesmeni Elman Abule u mor zyrtarisht i pandehur për pastrim parash.
REAGIMI I AVOKATËVE
Ekipi ligjor i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas informacioneve se sot i komunikohen akuzat nga SPAK. Njoftimi i akuzës, sipas avokatëve, do t’i japë për herë të parë mundësinë të shqyrtojë dhe të sfidojë siç duhet akuzat që janë ngritur ndaj tij dhe të analizojë provat e prokurorisë.
“Siç jemi njohur nga mediat e ‘SPAK’, që nesër pritet njoftimi i akuzës dhe përfundimi i hetimit, 163 ditë pas arrestimit të z. Veliaj, i jep për herë të parë mundësinë të shqyrtojë dhe të sfidojë siç duhet akuzat që janë ngritur ndaj tij, të analizojë provat e prokurorisë, të paraqesë prova dhe argumente ligjore në mbrojtje të tij”, – theksohet në reagim.
Ata theksuan se: “Jemi thellësisht të shqetësuar që praktika e nxjerrjes së informacioneve mbi procedurat e çështjes penale të z. Veliaj vijon edhe në rrethanat e një takimi të prezumuar që do të mbahet nesër mes avokatëve të tij dhe SPAK-ut. Njoftimi i medias apo marrja e informacionit nga ana e medias përpara se vetë personit nën hetim, z. Veliaj, është një provë tjetër e faktit që kjo është një taktikë joligjore e prokurorisë për të sugjeruar në publik fajësinë e z. Veliaj.
Zbulimi i përsëritur dhe i paligjshëm i informacioneve që përbëjnë sekret hetimor mbi çështjen e z. Veliaj ka vijuar pa ndërprerje që nga dita e arrestimit të tij, në një përpjekje të qëllimshme për ta paragjykuar. Mosfillimi i asnjë procedimi penal nga ana e Prokurorisë së Posaçme për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 295/a (“Zbulimi i akteve ose dhe të dhënave sekrete”) i Kodit Penal tregon qartë bashkëpunimin e këtij organi në realizimin e kësaj vepre penale. Siç jemi njohur nga mediat e ‘SPAK’, që nesër pritet njoftimi i akuzës dhe përfundimi i hetimit nga SPAK, 163 ditë pas arrestimit të z. Veliaj, i jep për herë të parë mundësinë të shqyrtojë dhe të sfidojë siç duhet akuzat që janë ngritur ndaj tij, të analizojë provat e prokurorisë, të paraqesë prova dhe argumente ligjore në mbrojtje të tij”.