HomeEkonomiShoqata e Bankave dhe ajo e Mikrofinancës mbështesin nismën e Qeverisë për...

Shoqata e Bankave dhe ajo e Mikrofinancës mbështesin nismën e Qeverisë për reduktimin e cash-it

Në një kohë kur ekonomitë e rajonit dhe të Evropës po përshpejtojnë digjitalizimin e shërbimeve financiare, edhe Shqipëria synon të hedhë hapa domethënës drejt reduktimit të parasë cash në qarkullim. Kjo është e përcaktuar edhe në Strategjinë Afatmesme të Mbledhjes së të Ardhurave, zbatimi i masave të së cilës pritet të nisin vitin e ardhshëm.

Shoqatat që përfaqësojnë sektorin bankar dhe atë të institucioneve financiare jobanka, të pyetura nga ekofin.al u shprehën se nisma për të reduktuar përdorimin e cash-it është jo vetëm e mirëpritur, por ajo sjell përfitime për ekonominë e vendit.

Shoqata Shqiptare e Bankave  (AAB) në një prononcim për ekofin.al thekson se “kalimi në një ekonomi me pagesa digjitale nis nga kufizimi i përdorimit të parasë cash në blerje, njësoj për biznesin dhe individin.”

Së dyti, – thekson AAB, – përmes projekteve tashmë të bëra të ditura si “open banking” që konsiderohet i kryer teknikisht, SEPA që pritet të jetë operacional në tetor të 2025, si dhe “instant payment” që fillon më pas.

“Para se të minimizojmë përdorimin e cash-it, duhet të sigurojmë alternativën e detyrueshme për pagesë përveç cash-it në çdo njësi biznesi kudo në territor. Pra, blerësi të mos jetë i detyruar që patjetër të ketë cash me vete, por që të paguajë nga llogaria në çdo moment. Kjo kërkon rregullim ligjor dhe përmirësim të infrastrukturës. Me instant payment besojmë se e sigurojmë këtë alternativë”, thekson AAB.

Por, përpara se të ndërmerren këto hapa teknikë, sipas AAB, ka nevojë për shumë ndërgjegjësim në tërësi. Gjithashtu është i nevojshëm të mbahet qëndrim jotolerues ndaj moszbatimeve apo fenomeneve të tjera negative frenuese. P.sh., Shoqata konstaton njësi biznesi që u kërkojnë blerësve çmim më të lirë në cash dhe më të lartë me kartë, për të njëjtin shërbim apo mall! Kjo është shumë e dëmshme dhe aspak ligjore. Praktika të tilla e mbajnë të gjallë cash-in dhe dekurajojnë pagesat digjitale, thekson AAB.

Shoqata Mikrofinanca Shqiptare (AMA) përshëndet iniciativën e Kryeministrit dhe Qeverisë për reduktimin e parasë cash në ekonominë shqiptare, në të mirë të rritjes së formalizimit dhe potencialit të saj.

AMA shprehet për ekofin.al se institucionet e saj anëtare kanë investuar për të krijuar infrastrukturën e nevojshme për ofrimin e shërbimeve dhe produkteve të tyre nëpërmjet kanaleve digjitale, duke mundësuar komoditet dhe shpejtësi për klientët. “Reduktimi i transaksioneve cash do të rrisë transparencën e situatës financiare të klientëve, duke mundësuar një analizë rreziku reale dhe brenda një kohe të shkurtër edhe për klientët huamarrës që i drejtohen institucioneve mikrofinanciare”, shprehet AMA.

Tranzicioni nga cash në pagesa digjitale nuk është vetëm shqiptar. Në vende si Rumania apo Kroacia, autoritetet kanë nxitur pagesat elektronike me lehtësira tatimore dhe investime në rrjetin POS, ndërsa Estonia, një prej kampionëve të digjitalizimit, ka krijuar një mjedis ku cash-i përdoret në më pak se 20% të transaksioneve. Në këtë kontekst, roli i ndërgjegjësimit publik dhe zbatimit të një kuadri ligjor efektiv janë vendimtarë për suksesin e Shqipërisë në këtë transformim të domosdoshëm ekonomik./ekofin.alhttps://ekofin.al/shoqata-e-bankave-dhe-ajo-e-mikrofinances-mbeshtesin-nismen-e-qeverise-per-reduktimin-e-cash-it/

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular