HomePolitikeTek “Nisma Shqipëria Bëhet”, mandatin e merr kushërira e Lapajt. Soko ikën...

Tek “Nisma Shqipëria Bëhet”, mandatin e merr kushërira e Lapajt. Soko ikën nga Nisma Thurje. Ja kush merr mandatin e PSD në Tiranë

KQZ vendosi që mandatin në koalicionin e Nismës Shqipëria Bëhet ta marrë Kleana Xhuveli.

Në sherrin brenda koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” mandatin e mori Xhuveli, e cila është vajza e tezes e Lapajt.

Kandidatja e listës së mbyllur Kleana Xhuveli, e renditur e katërta, revokoi dorëheqjen dhe kërkoi të merrte mandatin.

Celibashi: Pretendimi se kandidatët e listës së mbyllur kanë dhënë dorëheqjen nga kandidimi dhe është pranuar nga KQZ, nuk qëndron. Kodi parashikon që emrat dhe renditja e tyre nuk mund të ndryshojnë pas miratimit përfundimtar. Nuk mund të ketë dorëheqje nga kandidimi pasi listat janë miratuar.

Kjo është e qartë në Kodin Zgjedhor. Si mundet një kandidat të tërhiqet në daën e zgjedhjeve apo një ditë pas? Nuk mund ta bëjë këtë. Për sa kohë KQZ nuk ka vendosur për të shpallur kandidatët fitues, është në të drejtën e ccdo kandidati për të hequr dorë.

Në rastin konkret Kleana Xhuveli ka pohuar se do të marrë mandatin nëse do jetë rasti. E ka bërë këtë deklarim edhe Zeqir Kordhoni, por Xhuveli është renditur më sipër, vlerësoj që i takon asaj e drejta për të marrë mandatin e deputetit.

Mandati i vetëm në Kuvend i koalicionit Shqipëria Bëhet shkaktoi përplasje në distancë mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit.

Sipas marrëveshjes së arritur mes dy partive përbërëse të koalicionit, kandidatët e listës së mbyllur ishin familjarë të drejtuesve që kishin firmosur paraprakisht një deklaratë dorëheqjeje nga mandati, për të hapur rrugën kandidatëve të listës së hapur, ku fitues do të shpallej kandidati me më shumë vota preferenciale.

Kandidati i listës së hapur që ka marrë numrin më të madh të votave është Adriatik Lapaj. Megjithatë, i afërmi i Endri Shabanit në listën e mbyllur, Zeqir Kordhoni, ka paraqitur kërkesë për të marrë mandatin.

Shabani dhe Kordhoni argumentonin se ky veprim është pasojë e premtimit të pambajtur të Lapajt, i cili sipas tyre kishte deklaruar më herët se nuk do të mbante mandatin nëse koalicioni fitonte vetëm një vend në Kuvend.

Kleana Xhuveli, kandidate në listën e mbyllur të koalicionit ‘Nisma Shqipëria Bëhet’, njoftoi se do të ushtrojë mandatin e deputetes, i cili iu akordua ditën e sotme nga kreu i KQZ Ilirjan Celibashi i cili shqyrtoi dokumentacionin.

Në një deklaratë për mediat pas marrjes së mandatit këtë, Xhuveli theksoi se ky vendim është marrë në bazë të rrethanave aktuale dhe dëshirës për të mbështetur misionin e listave të hapura, të cilat përbëjnë themelin e lëvizjes së tyre politike.

Ajo premtoi se do të përfaqësojë me dinjitet mandatin e shqiptarëve që votuan koalicionin, ndërsa theksoi se “në ditën që beteja ligjore do ta rikthejë mandatin tek i zoti, tek njeriu më i votuar i lëvizjes, Adriatik Lapaj, unë do të jem aty për të garantuar vijimësinë e këtij procesi”.

“Duke qenë se lëvizja jonë ka në themel garën me lista të hapura, zotohem se do ta përfaqësoj me dinjitet mandatin.

Në ditën që beteja ligjore do ta rikthejë mandatin tek i zoti, tek njeriu më i votuar i lëvizjes tonë, Adriatik Lapaj, unë do të jem aty për të garantuar vijimësinë e këtij procesi,” deklaroi Kleana Xhuveli.

Reagon Endri Shabani:

U mbars mali dhe…Njëmijë akuza.

Ndërkohë sot, njeriu im më i afërt dha dorëheqjen dhe mandatin e mori Kleana Xhuveli. Kleana nuk është daja im po motra e Adriatik Lapajt!

Deri dje na akuzonte do bëheshim vota e 84 e Ramës.

Sot që mori mandatin për motrën, Adriatiku na thotë që i qenka lutur Rama për bashkëqeverisje.

Medemek Rama që mezi e përzuri LSI-në kur kishte 74, po i lutet Adriatikut fiks tani që ka 83 dhe ka gllabëruar çdo pushtet!

Me sa duket, tullumbaci i 71 mandateve që Adriatiku përbetohej se do merrte, ende nuk qenka shfryrë në kokën e tij nga gjilpëra e realitetit të 11 majit, ku pa votat tona do kishte mbetur edhe e motra pa mandat.

Nejse, kjo ishte kostoja krejt e panevojshme që ne të Nismës morëm për ndershmërinë dhe seriozitetin tonë në koalicion me një politikan të ri që më mirë se sa ne, njeh të gjitha metodat e vjetra.

Megjithatë ne nuk e djegim jorganin për një plesht, kur për më tepër kemi njohur dhe vlerësojmë plot djem e vajza në radhët e Shqipëria Bëhet.

Ndërsa Adriatikut ia kam falur se nuk diti se ç’bëri dhe uroj të nxjerrë edhe ai mësimet e veta siç kam nxjerrë unë të miat.

Pas zhvillimeve të fundit në koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”, Panajot Soko ka njoftuar tërheqjen e tij nga çdo funksion dhe angazhim politik brenda partisë “Nisma Thurje”.

Në një deklaratë publike në rrjetin e tij social facebook, Soko e cilëson situatën si një “turpërim të pamerituar” për votuesit dhe një pikë-thyerje politike të pakthyeshme.

Ai pranon se mosfunksionimi i mekanizmit të premtuar për listat e hapura dhe fakti që mandati i vetëm i koalicionit i shkoi një personi që, sipas tij, as nuk e kërkoi dhe as nuk e meritonte, përbën një tradhti ndaj besimit të 65 mijë qytetarëve që votuan për një alternativë të re politike.

Ndërkaq, ai deklaron se do të vijojë kontributin e tij në jetën publike si qytetar aktiv, por jo më si pjesë e politikës së organizuar.

Njoftimi i plotë:

“Ngjarjet e fundit që ndodhën, ishin një turpërim i pamerituar në sytë e gjithë atyre që na votuan dhe që me votën e tyre na ngarkuan përgjegjësinë e rëndë për të qënë zëri dhe fytyra e tyre në jetën politike e publike të vendit. Ngjarje kjo që personalisht besoj se do të jetë në kufijtë e të pamundurës për t’u rekuperuar, si në aspektin politiko-elektoral, por deri diku edhe në imazh publik.

Dhe ky turpërim kërkon përgjegjësi

Pavarësisht se personalisht u përpoqa me sa munda që çështja të merrte zgjidhje nga palët në konflikt, tentova me çdo formë e mënyrë të sillja racionalitet në një mjedis tejet të ngarkuar emocional, fatkeqësiaht nuk arrita dot.

Prandaj unë sot dua të përmbush përgjegjësinë për aq sa më takon përballë gjithë atyre që na besuan ndaj venndosa të tërhiqem nga çdo funksion dhe angazhim politik që kam në partinë Nisma Thurje.

Ne, në vetëm një javë, arritëm me sukses të bënim pluhur e hì gjithë atë punë shumëvjeçare për ngritjen e një alternative të re, jo vetëm me fytyra të reja, por edhe me një koncept të ri të të bërit politik, larg intrigave dhe sherreve banale për karrige, larg egove të sëmura dhe inateve personale që shndërrohen në kauza të forcës politike, larg meskinitetit fëminor që përcakton sjelljen politike, apo konfliktit antagonist siç rëndom kemi parë politikën të servirë në këto 35 vjet.

Në këtë javë ne treguam që nuk jemi shumë larg tyre.

Në vetëm një javë ne zhbëmë gjithë atë iniciativë fantastike, që ishte sfidimi i sistemit të listave të mbyllura dhe garimi me lista të hapura.

Sot mandatin e koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet dhe Nismës Thurje si pjesë e koalicionit, e mori një person që as e donte, as nuk punoi për ta marrë, as e kishte ambicje, asgjë. Një person që me dëshirën e mirë për të ndihmuar, pranoi të hynte në listë fiktive dhe të luante rolin e saj si garante, por që sot e sheh veten me mandat.

Dhe kjo për mua është vijë e kuqe!

Ne iu premtuam njerëzve që në parlament do të çonim atë që ata vetë do të vendosnin me votën e tyre, do të çonim më të votuarit prej tyre.

Iu thamë që mos merakoseshin se e kishim të garantuar mekanizmin.

Dhe këto i bërtitëm me zë të lartë dhe pa pushim në çdo tubim, takim apo studio TV.

Por doli që i gënjyem! As nuk çuam dikë që u votua nga ata dhe as mekanizmin s’e patëm të garantuar.

Dhe në optikën time kjo është pikë-thyerje politike. Pas kësaj pikë-thyerje, unë nuk i shoh dot më njerëzit në sy. Më vjen turp kur më shkruajnë apo më ndalojnë në rrugë. Nuk më lejon cipa në faqe t’i shoh, sepse menjëherë skuqet.

Sepse personalisht besoj që morali dhe ndershmëria janë dy tipare themelore që i kanë munguar politikës deri më sot dhe që ne do të duhej të sillnim.

65 mijë votues sot përfaqësohen nga një person që as e njohin e as i njeh. Dhe pse? Sepse ne harruam idealet, kauzat dhe çdo gjë dhe u fokusuam tek një copë mandati.

PSD e Tom Doshit aplikoi listën e hapur me sukses. Ne që e ngritëm si kauzë dhe e shpikëm si mekanizëm, ne dështuam.

Ky është një turp!

Nuk dua të zgjatem, pasi për shumë elementë rreth kësaj që ndodhi jam shprehur në daljet e mia publike këto ditë dhe nuk do të doja të bija në përsëritje pasi vazhdoj të kem të njëjtin qëndrim.

Personalisht do të vazhdoj të jem aktiv në jetën publike, duke kontribuar me aq sa mundem në ndërgjegjësimin publik rreth çështjeve ekonomike, apo ato të korrupsionit e abuzimeve, siç kam bërë deri më sot. Sepse politika, për mua, ka qënë gjithmonë dhe vetëm vokacion. As kam përfituar ndonjëherë diçka prej saj dhe as e kam parë ndonjëherë si mjet përfitimi. Ka qënë dhe mbetet vokacion që do të vazhdoj ta përmbush.

Por tashmë si qytetar aktiv”

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka vendosur se mandatin e Partisë Social-Demokrate në Tiranë, të drejtuar nga Tom Doshi, do ta marrë Tedi Mula.

Tedi Mula ishte më i votuari në listën e hapur të kësaj force politike në kryeqytet dhe zgjedhja e tij erdhi pasi PSD kërkoi ditën e sotme djegien e listës së mbyllur të Tiranës, kërkesë që u pranua nga KQZ, e cila njohu dorëheqjet nga marrja e mandatit.

A2 CNN ka siguruar edhe kërkesat për dorëheqje të 12 kandidatëve të listës së mbyllur të Partisë Social-Demokrate në Tiranë.

Kujtojmë se më herët KQZ vendosi edhe për mandatin e koalicionit ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ në Tiranë, i cili i kaloi Kleana Xhuvelit. 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular