Nuk do të ketë përsëritje të zgjedhjeve në Elbasan, Durrës dhe Fier. Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar sot, 24 korrik, ankimimin e Partisë Demokratike për pavlefshmëri të procesit të 11 majit, duke vulosur kështu rezultatin përfundimtar të këtyre tre qarqeve.
Vendimi u mor pas hapjes së kutive në dy bashki, Gramsh dhe Peqin, aty ku PD kishte depozituar pretendime për manipulim dhe parregullsi të rënda, duke folur madje për një “tren bullgar” me vota të fabrikuara. Po ashtu, u verifikuan kutitë për qarkun e Durrësit dhe atë të Fierit.
Megjithatë, Kolegji nuk konstatoi shkelje që të çonin në rrëzimin e rezultatit.
Mandatet në Tiranë, të certifikuara zyrtarisht nga KQZ
Kujtojmë se dje, 23 korrik, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi tabelën përmbledhëse për qarkun e Tiranës, duke zyrtarizuar shpërndarjen e mandateve.
-Partia Socialiste 19 mandate
-Aleanca për Shqipërinë Madhështore (koalicioni me PD-në) 13 mandate
-Partia Mundësia 1 mandat
-Nisma “Shqipëria Bëhet” 1 mandat
–Lëvizja Bashkë 1 mandat
Me vendimin për këto tre qarqe dhe certifikimin e mandateve për Tiranën, shënohet fundi i procesit paszgjedhor. Tashmë i takon kryekomisionerit Ilirjan Celibashi të vijojë me ndarjen e mandateve në këto tre qarqe.
Kolegji Zgjedhor rrëzoi sot ankimin e Partisë Demokratike për rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit në tre qarqe, Elbasan, Durrës dhe Fier. Ndërkohë kreu i PD-së, Sali Berisha në një konferencë me gazetarët tha se “vendimi i kolegjit zgjedhor është dëshmi e një nënshtrimi të plotë dhe total politik të atyre gjykatësve që vetëm ligjin nuk njohin”.

Po ashtu, ish kryeministri u shpreh se Partia Demokratike do të ndërmarrë të gjitha betejat që shqiptarët të votojnë të lirë.
“PD do të ndërmarrë të gjitha betejat që shqiptarët të votojnë të lirë. Vendimi i kolegjit zgjedhor është dëshmi e një nënshtrimi të plotë dhe total politik të atyre gjykatësve që vetëm ligjin nuk njohin dhe nuk respektojnë. Mbrojnë qeverinë, farsën zgjedhore me të shëmtuar dhe bëhen pjesë e saj”, tha Berisha.