HomeEkonomiShqipëria në zonën SEPA, Sejko: Më 7 tetor të gjitha bankat plotësisht...

Shqipëria në zonën SEPA, Sejko: Më 7 tetor të gjitha bankat plotësisht operacionale

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një intervistë për Këshillin Evropian të Pagesave (EPC), foli për rrugëtimin e Shqipërisë drejt aderimit në SEPA (Tregu Unik i Pagesave në euro) dhe përfitimet që kjo arritje do të sjellë për qytetarët, bizneset dhe ekonominë shqiptare.

Sejko njoftoi se në nëntor 2024, Shqipëria u pranuar në zonën SEPA dhe deri në maj 2025 të gjitha bankat shqiptare kanë përfunduar regjistrimin, duke u përgatitur të jenë plotësisht funksionale më 7 tetor 2025.

Guvernatori e vlerësoi këtë anëtarësim si një hap kyç, jo vetëm për integrimin financiar me Evropën, por edhe për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, pavarësisht se Shqipëria nuk është ende anëtare e Bashkimit Evropian.

Ai shpjegoi se ofrimi i pagesave në euro brenda zonës SEPA do të sjellë përfitime të menjëhershme, duke ulur kostot, duke lehtësuar remitancat dhe duke nxitur inovacionin në sektorin bankar.

“SEPA pritet të ulë kostot me të paktën 20 milionë euro gjatë vitit të parë të funksionimit. Deri në 80% e remitancave do të kushtojnë deri në pesë herë më pak, ndërsa përdorimi i standardit ISO 20022 dhe zhvillimi i pagesave të menjëhershme rajonale do të avancojë proceset e digjitalizimit dhe përfshirjes financiare,” theksoi Sejko.

Ai nënvizoi se ky është një hap konkret drejt integrimit evropian dhe modernizimit të ekonomisë shqiptare.

“Skemat SEPA përfaqësojnë një standard referencë në sistemet e pagesave në Evropë, dhe pjesëmarrja është e rëndësishme në disa aspekte. Së pari, ato promovojnë sisteme pagesash efikase dhe të besueshme për vende të vogla si Shqipëria. Duke standardizuar pagesat ndërkufitare dhe duke përdorur teknologji moderne, do të krijohet një treg më i avancuar pagesash në përputhje me politikat evropiane, duke përmirësuar depërtimin e teknologjisë së informacionit. Së dyti, pjesëmarrja në SEPA do të rrisë tregtinë, duke pasur parasysh se Bashkimi Evropian është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, që përbën mbi gjysmën e shkëmbimeve të mallrave dhe shërbimeve. Së treti, kjo do të ndihmojë në formalizimin e remitancave, duke përmirësuar kursimet dhe mirëqenien e familjeve që mbështeten në to. Dhe së fundi, por jo më pak e rëndësishme, vizitorët evropianë do të përjetojnë të njëjtat kushte të favorshme për pagesa si në vendet e tyre të origjinës,” u shpreh Guvernatori.

Ai theksoi gjithashtu se një nga synimet kryesore për Shqipërinë deri në vitin 2030 është përafrimi i plotë me acquis-në evropiane, në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

“Synimi ynë tjetër afatshkurtër është krijimi i një sistemi të pagesave të menjëhershme që do të mundësojë pagesa ndërkufitare brenda rajonit, si dhe pjesëmarrja në TARGET Instant Payment Settlement (TIPS). Trend-i i rritjes së përdorimit të pagesave elektronike dhe uljes së përdorimit të parave në dorë do të vazhdojë, ndërsa Shqipëria bëhet gjithnjë e më e lidhur me tregjet evropiane. Presim që përfshirja financiare dhe edukimi financiar dhe digjital të zgjerohet nëpërmjet programeve të veçanta për shkrim-leximin financiar,” përfundoi Sejko

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular