Një avion pasagjerësh me 40 persona në bord është zhdukur në rajonin Amur të Lindjes së Largët Ruse, sipas raportimeve të mediave lokale.
Sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS, një avion i tipit An-24 i kompanisë ajrore Angara nuk arriti të krijojë kontakt me kullën e kontrollit, disa kilometra larg nga aeroporti i qytetit Tynda.
Shërbimet e emergjencës raportojnë se në bord ndodheshin 40 persona, përfshirë dy fëmijë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit. Ndërkohë, guvernatori i rajonit Amur, Vasili Orlov, bëri të ditur në një deklaratë të tij se numri i personave në bord është 43, mes tyre pesë fëmijë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit.
“Bazuar në informacionet nga shërbimet e emergjencës, një avion pasagjerësh i tipit An-24 që po udhëtonte nga Blagoveshchensk drejt aeroportit të Tyndës, është zhdukur sot nga radarët. Të gjitha mjetet dhe burimet e mundshme janë vënë në dispozicion për kërkimin e avionit,” shkroi guvernatori në kanalin e tij zyrtar në Telegram.
Agjencia TASS thekson gjithashtu se nuk ka pasur asnjë shenjë që të tregojë se avioni kishte ndonjë problem teknik gjatë fluturimit