Greqia po përballet me një valë ekstreme të të nxehtit që ka përfshirë vendin që prej fillimit të kësaj jave, me temperatura që më 25 korrik arritën gati në 46 gradë Celsius.
Sipas Vëzhguesit Kombëtar në Athinë, temperatura më e lartë u regjistrua në rajonin e Mesinisë me 45.8°C, ndërsa në kryeqytet u shënuan deri në 42°C.
Për shkak të kushteve ekstreme, autoritetet greke kanë ndërmarrë masa shtesë për të mbrojtur qytetarët dhe turistët.
Akropoli, një nga vendet më të rëndësishme arkeologjike në Greqi dhe atraksion i përditshëm për mijëra vizitorë, do të qëndrojë i mbyllur nga ora 12:00 deri në 17:00 – orët më të nxehta të ditës.
Shërbimi meteorologjik grek ka njoftuar se vala e të nxehtit do të zgjasë deri pas datës 28 korrik, duke përgënjeshtruar parashikimet fillestare që temperaturat do të uleshin gjatë fundjavës. Ndërkohë, priten erëra të forta nga veriu, të cilat rrisin rrezikun për shpërthimin e zjarreve.
Zjarret tashmë kanë përfshirë disa zona të vendit. Mbi 1.130 hektarë tokë pyjore janë djegur pranë fshatit Feneos, ndërsa në veri të vendit, afër qytetit Kilkis, autoritetet evakuuan një universitet, banesa dhe biznese për shkak të përhapjes së flakëve.
Valës së të nxehtit nuk i ka shpëtuar as vendi ynë, ku aktualisht janë aktive dhjetë vatra zjarri.
Në Delvinë dhe në Kakavijë, pranë kufirit grek, zjarret kanë përfshirë zona pyjore, ndërkohë që autoritetet shqiptare kanë ndërhyrë për t’i vënë nën kontroll.
Temperaturat ekstreme janë shënuar edhe në Kosovë. Të premten, qyteti i Klinës regjistroi një ndër vlerat më të larta – 42.5°C.
Ekspertët paralajmërojnë se kushtet klimatike ekstreme si këto do të bëhen gjithnjë e më të zakonshme për shkak të ndryshimeve klimatike, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve për mbrojtje ndaj të nxehtit.