Arben Çejku, ish-Ambasador dhe Drejtor i Qendrës ACGG, me ftesë të Qendrës “Carter”, dhe mori pjesë në një takim të rëndësishëm kushtuar zgjedhjeve në shtetin e Gorgias dhe rëndësisë që ka integriteti i votës së lirë. Në këtë takim referuan drejtues të proceseve zgjedhore të këtij shteti, në të cilin hendeku mes votave republikane dhe atyre demokrate historikisht është i ngushtë, përfshi edhe dy zgjedhjet e fundit presidenciale. Në tërësi iu kushtua rëndësi zbatimit të ligjit dhe respektimit të mendimit ndryshe, duke theksuar se garat elektorale zhvillohen për idetë dhe përfaqësuesit më të mirë, por kjo nuk do të thotë që ka humbës të përhershëm ashtu siç nuk ka fitues të përhershëm! Pjesë e panelit ishin përfaqësues të partisë Republikane dhe të partisë Demokratike dhe ajo që u vu re ishte se, përtej dallimeve të kuptueshme, ata konverguan gjatë gjithë kohës tek rëndësia që ka integriteti i procesit zgjedhor dhe interesi i përbashkët për Gorgian!
Gjatë qëndrimit në “The Carter Center”, z. Çejku pati takime me drejtues të saj si znj. Paigi Alexander, z. Tom Crick, z. Jonathan Stonestret, z. Royan M. Mahoney, z.Jasson M. Shepherd, z. David Felsen dhe me personalitete të tjera si senatorin Don Balfour, ish-kryebashkiaken e Atlantas Shirley Franklin etj.
Në bashkëbisedim me të pranishmit, z. Çejku përcolli disa nga problemet kryesore të zgjedhjeve në Shqipëri, duke vënë theksin tek humbja e besimit mes palëve që administrojnë procesin e votimit. Kriza e përfaqësimit të drejtë dhe të ndershëm e mban vendin nën një presion të vazhdueshëm politik, duke u bërë pengesë për reformat dhe zhvillimin e nevojshëm ekonomik. Një nga pjesmarrësit, vëzhgues në zgjedhjet lokale të Shqipërisë në vitin 2011, kujtoi se si u nda rezultati vetëm me një grusht votash në Tiranë.
Sipas z. Çejku, drejtuesit e kësaj Qendre shprehën interes për bashkëpunim me ACGG në Shqipëri për çështjet elektorale, forcimin e institucioneve demokratike dhe dialogun e bashkëpunimit në rajon.