nga Arben Iljazi
Miku im Bujar Hudhri, botues i “Onufrit”, më kish folur për romanin e Bashkim Hoxhës, “Kronikat e mjegullës”, duke e cilësuar krejtësisht të veçantë. Gjithmonë kam qenë entusiazt ndaj krijimtarisë së Bashkimit, jo vetëm si shkrimtar por edhe si dramaturg. Mendoj se tani krijimtaria e tij ka hyrë në një fazë shumë të rëndësishme, ku ai “vuan” bashkë me personazhet dhe heronjtë e veprës së tij dhe, jo rrallë, e mbërthejnë “zemërata apokaliptike”. Këtë e vura re sapo fillova leximin e romanit. Një ngrehinë e stërmadhe narrative, ku historia konfronton heronjtë e vet. Autori, i pezmatuar, përdor të gjitha mjetet për ta bërë copë-copë vullnetin për pushtet dhe fshikullon me padurim gjithë kreninë e rreme të atyre që pretendojnë se kanë bërë historinë. Ky nuk është cinizëm, por është vetë historia që, për fat të keq, është shkruar gabim. Duket sikur shkrimtari bën një apel nga thellësitë e shpirtit. Personazhet lëvizin përtej çdo imagjinate, në kushtet e një harku të tendosur, në një zbrazëti të frikshme deri në shkatërrim, që historia e vërtetë të konfirmojë ekzistencën shpirtërore të saj. Duket si kompozim i një kënge të trishtuar. Kënga e rikthimit tek e vërteta dhe braktisja e historisë false. Në roman ndihet toni i ankthshëm, shpirti sfidues i shekullit të ri , që u ofron bashkëkohësve të vërtetën, përmes veprave të mëdha realiste, që lehtësojnë ngërçet, duke shtendosur mitet.
Vepra ka ngjallur interes edhe jashtë kufijve. Nga një njoftim në facebook, të publikuar sot nga shkrimtari, mësova se po përgatitet botimi në anglisht dhe në gjuhë të tjera. Kështu ky libër e shton dalëngadalë forcën tërheqëse magnetike mbi njerëzit.
Vepra është shkruajtur me një kthjelltësi të habitshme, pa tejsforcime, me një ritëm të zhdërvjellët, me një gjuhë ku spikat bollëku i fjalive dhe mundësitë stilistike të shprehjeve verbale, duke i përballur personazhet me realitetin e ndërgjegjes intencienale, që është me natyrë absolute. Nuk ka asnjë “kod sekret” të tekstit, por ndihet tërësisht një koherencë tekstuale.
Bota narrative është mëse e thjeshtë dhe e pranueshme. Autori nuk preferon të futë semioza hermetike, ku gjithçka të lidhet me gjithçka, në bazë të një ligji “sekret” ngjashmërish dhe hipermotivimi.
Mund të themi se me këtë vepër Bashkim Hoxha është ndër të paktët shkrimtarë që ka hyrë në hullitë artistike të eksplorimit të ndërgjegjes, e cila nuk mund të jetë e kapshme veçse nëpërmjet ndërtimit të kuptimit nga vetë ndërgjegjia. Mendoj se kjo është një ngjarje në letërsinë shqipe bashkëkohore, që tejkalon përvojat normale, drejt një kuptimi universal univok e transhedencial, që lidhet me kontekstin e ri historik.