Një rast i rëndë trafikimi dhe shfrytëzimi për prostitucion është goditur nga Policia e Durrësit, në kuadër të operacionit të koduar “Gjuetari”.
Në pranga ka rënë K. D., 46 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës, i dyshuar për një sërë veprash penale të rënda si: trafikim të personave të rritur, shfrytëzim prostitucioni, dhunë në familje, dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut.
Sipas hetimeve të Policisë, 46-vjeçari kishte futur ilegalisht në Shqipëri, në tetor të vitit 2023, një shtetase 20-vjeçare nga Rusia, të cilës i kishte premtuar punësim si kameriere. Por në vend të kësaj, ai e kishte dhunuar dhe kërcënuar, duke e detyruar të ushtronte prostitucion në hotele të ndryshme, për një periudhë prej afro dy vitesh.
K. D. përfitonte shuma nga 250 deri në 300 euro për çdo klient, ndërsa e reja ishte mbajtur nën kontroll me dhunë dhe frikë.
Njoftimi i policise
Finalizohet operacioni policor i koduar “Gjuetari”, i ndjekur me metoda speciale të hetimit
Futi në mënyrë ilegale në Shqipëri një shtetase ruse dhe më pas e shfrytëzoi për prostitucion, identifikohet dhe vihet në pranga 46-vjeçari.
46-vjeçari e mashtroi 20-vjeçaren se do ta punësonte si kameriere dhe më pas, nëpërmjet dhunës dhe kërcënimeve, e shfrytëzoi për prostitucion për afro dy vite.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një armë gjahu teke e markës “KralArms”, dy palë dylbi dhe tre aparate celularë.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara për goditjen e rasteve të shfrytëzimit për prostitucion, bazuar në informacionet e marra dhe të ndjekura me metoda speciale të hetimit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës organizuan dhe finalizuan një tjetër operacion, të koduar “Gjuetari”.
Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit K. D., 46 vjeç, banues në lagjen nr.13, Durrës, i dyshuar për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, “Prostitucioni”, “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”, “Trafikimi i personave të rritur”, “Dhuna në familje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”.
Nga veprimet hetimore të kryera u bë i mundur dokumentimi i shfrytëzimit të prostitucionit të 20-vjeçares nga Rusia, pasi rezultoi se 46-vjeçari e ka dhunuar fizikisht dhe e ka shfrytëzuar në fushën e prostitucionit në hotele të ndryshme, me persona të ndryshëm, kundrejt vlerave monetare që varionin nga 250 deri në 300 euro për person. Këto vlera monetare i përfitonte shtetasi K. D.
Po nga hetimet rezulton se kjo shtetase është trafikuar nga shtetasi K. D., në tetor 2023, kur është futur ilegalisht në Shqipëri nga Podgorica.
Në kuadër të operacionit u shpall në kërkim shtetasi E. S., 39 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar si i implikuar në këtë rast për prostitucion.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë pranë Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.