Përdorimi i imazhit të një personi për të hapur një profil fals në rrjetet sociale do të konsiderohet si krim në Kodin e ri Penal të hartuar nga Ministria e Drejtësisë.
Sipas draftit, që pritet të hidhet në konsultim publik, kur ky profil fals në rrjete sociale i shkakton mbajtësit të imazhit gjendje ngacmimi, përndjekje ose poshtërim, autori dënohet me gjobë ose me burg deri në tre vjet.
Të tjera dispozita, të lidhura me zbatimin e gjerë të teknologjisë, që nuk janë në Kodin aktual, janë ato të përndjekjes dhe ngacmimeve online. Në draft parashikohen nga 2 deri në 6 vite burg për ata që ndërmarrin në mënyrë të vazhdueshme sjellje kërcënuese ndaj një personi përmes teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, të tillë që t’i bëjë ata të kenë frikë për sigurinë e tyre, apo që mbajnë nën mbikqyrje përmes teknologjisë një person, pa pëlqimin e tij.
Në të njëjtën frymë, në rastet e sulmit në botën online të një personi, duke i shkaktuar dëmtim psikologjik një personi, parashikohet dënim nga gjobë deri në tre vjet burg. Dënim me burg deri në 4 vjet rrezikojnë edhe ata që me pa të drejtë nisin çdo komunikim elektronik, me qëllim për të frikësuar, ngacmuar ose krijuar shqetësim emocional një personi tjetër.
Njëlloj edhe kur shpërndan foto të tij, apo të të afërmve, që e bën personin të neveritshëm apo degradues në opinionin publik.
Në risitë e Kodit të ri Penal është edhe detajimi i gamës së shkeljeve të rënda të rregullave të qarkullimit rrugor, duke i kategorizuar jo vetëm për pasojën e ardhur. Kështu, parashikohen dënime nga gjobë deri në 3 vjet burg për shoferët që bëjnë parakalim të gabuar, për ata që kalojnë limitin e shpjejtësisë, apo që futen në rrugë në kundërvajtje, duke vënë në rrezik jetë personash apo rrezikuar seriozisht aksidentet.
Sipas draftit, hetimi penal për secilën nga shkeljet do të fillojë vetëm në rastet kur më herët për autorin e shkeljes është marrë masë administrative për të njëjtën lloj shkeljeje.