Nga Greqia në Spanjë dhe nga jugu i Francës deri në Qipro, sistemi satelitor i NASA-s po regjistron në kohë reale vatrat aktive të zjarrit që përfshijnë gjithë rajonin e Mesdheut.
Në imazhet satelitore, ku duket edhe Shqipëria çdo pikë e kuqe përfaqëson një vatër aktive, të vogël apo të madhe, e cila është aktualisht në zhvillim.
NASA ka publikuar imazhe që tregojnë përhapjen e zjarreve në tre periudha kohore: për sot, për 24 orët e fundit dhe për shtatë ditët e fundit.
Veçanërisht, pamja 7-ditore është shumë domethënëse, pasi java që lamë pas ka qenë ndër më të nxehtat e këtij sezoni veror.
Ballkani dhe Italia janë goditur nga një valë e gjatë të nxehti, që ka krijuar kushte të favorshme për shpërthimin dhe përhapjen e zjarreve në masë të madhe.
Shumica dërrmuese e vatrave që identifikohen me pika të kuqe ndodhen në zona pyjore, duke theksuar rrezikun që i kanoset mjedisit. Megjithatë, disa pika përfaqësojnë edhe aktivitete njerëzore, si fabrikat, djegiet bujqësore apo edhe zonat e konfliktit, si në rastin e luftës në Ukrainë.

