HomeOP EDThethi dhe Modeli si duhej zhvilluar! nga Zak Topuzi

Thethi dhe Modeli si duhej zhvilluar! nga Zak Topuzi

nga Zak Topuzi

Situata në Theth është një shembull tipik i zhvillimit të pakontrolluar në mungesë të një kuadri të qartë planifikimi dhe menaxhimi. Përgjegjësia bie si mbi institucionet shtetërore, që kanë neglizhuar për dekada zgjidhjen e çështjes së pronësisë, mungesën e strategjisë për zonat e mbrojtura, mungesën e kontrollit te territorit, ashtu edhe mbi komunitetin lokal, i cili, ndonëse i braktisur, ka ndërtuar shpesh pa kritere, në përgjigje të thirrjeve për zhvillim dhe investim në tokat e veta. Në vend të dënimit të njëanshëm, do të ishte e nevojshme një qasje “Bashkëpërgjegjësie”, ku shteti duhet të merrte rolin udhëheqës në ofrimin e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe afatgjata.

Kush mund të ishte zgjidhja!

1. Hartimi i një Strategjie dhe Masterplani për zonat malore dhe të mbrojtura, sipas modelit të përdorur në studimin për bregdetin shqiptar, mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë si Banka Botërore.

2. Zbatimi i parimit të “ndërhyrjes së butë” (soft enforcement), të praktikuar në vende si Italia apo Sllovenia, ku ndërtime jashtë standardeve në zona të mbrojtura mund të legalizohen vetëm nëse integrohen në një model zhvillimi që respekton traditën, natyrën dhe karakterin lokal.

3. Mekanizma mbështetës për banorët. si grantet, kreditë e buta dhe asistenca teknike për transformimin e ndërtimeve ekzistuese në struktura të përshtatshme për turizëm të qëndrueshëm (kulla, bujtina ekologjike, etj.). Në rast se nuk mund të integrohet, prishja brënda 24 muajsh duke mbështetur kalimin në një biznes tjetër me qera apo kredi të buta.

4. Fuqizimi i bashkive për të ushtruar kontroll urbanistik dhe për të garantuar që zhvillimi turistik të ndjekë modele të qarta dhe të miratuara.

Fillimi i vjeshtës do të ishte koha për një pakt të ri zhvillimi për zonat malore, ku shteti dhe komuniteti lokal të mos shihen si palë kundërshtare, por si bashkëpunëtorë në ndërtimin e një modeli të qëndrueshëm dhe konkurrues të turizmit, në përputhje me standardet evropiane.

Zhvillimi i qëndrushëm mund të ndodhë mbi rrënoja por përmes respektit, planifikimit dhe dialogut reciprok. Do ta konsideroja të nxituar këtë aksion në sy të mijëra turistëve që qëllimin kryesor kanë natyrën e virgjër dhe qetësinë.

Para pak ditësh, në një bisedë informale me Luanin, ekspertin e GIZ-it, që në vitin 2008 financoi projektin e rivitalizimit të Thethit përmes grandëve deri në 5,000 euro, ai më tregoi për një takim të asaj kohe me banorët. Gjatë takimit, u shpjeguan mundësitë për t’u angazhuar në turizëm dhe për të kthyer kullat në bujtina. Në atë kohë, në Theth dimrin e kalonin vetëm shtatë familje. Të habitur nga ajo që dëgjonin, njëri prej tyre u përgjigj: “Ç ‘punë kemi ne me turizmin? Ne mezi presim të largohemi, nuk kemi ndërmend të kthehemi”!!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular