Është zbardhur dinamika e vrasjes së 52-vjeçares Kozeta Teço, e cila u gjet pa shenja jete mëngjesin e sotëm, rreth orës 06:00, në banesën e saj të përfshirë nga flakët.
Fillimisht u raportua se viktima ishte asfiksuar nga tymi, por hetimet kanë marrë tjetër kthesë, duke zbuluar se kishim të bënim me një krim.
Sipas burimeve, në trupin e viktimës janë konstatuar shenja mbytje dhe dëmtime me mjet prerës.
Autori i dyshuar Ilirjan Selmani, i cili dyshohet se kishte lidhje intime me Kozeta Teçon, fillimisht e ka vrarë 52-vjeçaren, më pas ka fshirë gjakun duke pastruar vendin e krimit dhe në fund i ka vënë zjarrin ambienteve të shtëpisë.
Burime bëjnë me dije se i riu ka ndezur disa vatra zjarri në banesë për të humbur gjurmët.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, policia ka gjetur peshqirë dhe kartopeceta me gjak në koshin e mbeturinave afër pallatit ku jetonte viktima, të cilat dyshohet se janë përdorur nga Ilirjan Selmani për të zhdukur provat dhe për të pastruar vendin e ngjarjes.
Këqyrja e kamerave të sigurisë të bizneseve përballë pallatit ku ndodhi krimi kanë ndihmuar blutë të identifikojnë dhe të shoqërojnë Ilirjan Selmanin.
Për të dokumentuar dyshimet ndaj të riut nga Pogradeci, i cili dyshohet se ka pasur një lidhje intime me viktimën, policia e ka shoqëruar nga komisariati drejt banesës ku ndodhi vrasja për të kryer eksperimentin hetimor.
Autori i dyshuar i ngjarjes, pas daljes nga banesa, ka mohuar ta ketë kryer ai vrasjen.
Ndërkohë, policia po vijon hetimin për të zbardhur motivin që shtyu të riun nga Pogradeci të vriste partneren e tij.