HomeOP EDIntelektualë të rremë, të mbrapshtë, apo “modernistë” praktikë-politikë/Nga Luan Kondi

Intelektualë të rremë, të mbrapshtë, apo “modernistë” praktikë-politikë/Nga Luan Kondi

Advertismentspot_img

Nga Luan Kondi
Kemi parë të jenë të pandryshuar, të guximshëm, me kurajë të skajshme në qëndrimet e tyre disa intelektualë shqiptarë, të cilët do ti quaja një e mirë kombëtare dhe popullore, shembull që duhet të ishte ndjekur edhe nga të tjerë që nuk kanë dashur të ishin pjesë e zgjidhjes por me ndërgjegje, për arsye thjesht vetjake e praktike janë bërë tanimë pjesë e problemit.

Po pse ka ndodhur kështu në një vend si ky yni, i cili në këto 30 vjetët e fundit është rrudhur dhe për pasojë e ka të vështirë të “prodhojë” intelektualë.

Pse intelektualët mezi presin të përfshihen në politikë duke i dhënë asaj epërsi në përpunimin e mendimit të masës përmes tij.

Një klasë që sa herë përpëlitet e gjen përmes mendjes së trazuar së intelektualëve një zgjidhje që i zgjat edhe pak jetën në pushtet, por që si çdo gjë tjetër është e përkohshme.     

Aq shumë e molepsur është ndërgjegjja e intelektualëve sa ata e kanë braktisur kauzën e vet dhe i shërbejnë, nisur nga interesa vetjake, politikës edhe kur e dinë mirë se ajo vepron në kundërshtim me parimet dhe në dëm të popullit.  

Le të hedhim një vështrim në disa të vërteta, në gjendjen koherente dhe arsyet që çuan në tjetërsimin e intelektualëve nga tradicionalë me vlerë popullore dhe kombëtare në modernë, praktikë-politikë.          

Sot “Intelektualët Modernë” predikojnë shtetin e fortë, “dhunën” e të cilit e quajnë shteruese për zgjidhjen e çdo gjëje, edhe pse vet ata i zgjidhin problemet në rrethe të mbyllura, pa shkuar përpara jurive, gjykatave. Ata e quajnë nevojën për drejtësi si veçori të shtresës së ulët, pra e popullit. Kjo ide nuk është askund tjetër kaq e vërtetë sa në vendin tonë. Është e vështirë të gjesh raste kur intelektualë-politikë, njerëz me biznese, ndikim u drejtohen gjykatave për zgjidhjen e problemeve të tyre. Nga ana tjetër dosje pa fund të njerëzve të thjeshtë qëndrojnë stivë e të pashpresa në gjykatat e “Drejtësisë së Re”. Me gjasë nuk do të marrin drejtësi në këtë jetë.      

Ky soj intelektualësh dëshiron që ti lënë gjërat kështu siç janë që të mos ketë ndryshim në statusin e tyre, pra nga intelektualët do të lindin të tillë, nga politikanët do të lindin udhëheqësit dhe nga të varfrit vetëm të varfër. Shiheni me kujdes trashëgiminë intelektuale dhe politike në Shqipëri. U përpoqën ti shkollonin fëmijët jashtë vendit, edhe pse ne institucione arsimore fantazma, vetëm e vetëm që etërit të na tundnin përpara fytyrës diplomat e pinjollëve që do të zinin vendin e tyre lënë bosh për arsye moshe. Ndaj s’ndodh asgjë pasi bijtë e ish-ëve “Intelektualë Modernë” marrin pozicione në administratë e parti politike pa garë, pa test, pa filtër vende këto që u mohohen bijve të njerëzve pa pushte, pa parti, pa njohje dhe miqësi atje lart kanë thënë gjithmonë se “uji del i pastër, kristal, por turbullohet poshtë”.        

Qeverisësve nuk ka ç’u duhet fare njeriu që pretendon të mendojë për llogari të vet, për një jetë më të mirë, apo edhe për dinjitet shoqëror. Atyre u duhen dakordues dhe zbatues të ideve të tyre, njerëz pa gojë dhe pa ndërgjegje, mosmirënjohës dhe ligësisht të skajshëm. Moszgjidhës problemesh por ngatërrues në këmbët e hallexhinjve që trokasin në dyert e shtetit. Ata synojnë ti mërzisin  derisa të besojnë se halli i tyre është i pazgjidhshëm. Ndaj shumë shqiptarë e shohin si të vetmen shpresë largimin nga vendi i tyre.         

Kjo intelektual-politikë u lë njerëzve të kuptojnë se duhet të sigurojnë jetesën ne kurriz të mjedisit shoqëror, pronës së përbashkët, publike. E patë se sa shumë hapësira publike dhe të përbashkëta ishin zaptuar nga individë që nën hundën e shtetit, strukturave ligj-zbatuese, që kanë bërë symbyllurin teksa ligji shkelej “ditën për diell”, e këtë jo ndoshta falas. Kundërvajtësit shprehen tavolinave për aq e kaq lekë-euro të dhëna tek zbatuesit e ligjit në shkëmbim të heshtjes. Por doli “Udhëheqësi Suprem” dhe pasi nxori nga brezi shkopin magjik ndëshkoi disa nga shkelësit e ligjit, por kurseu ata zyrtarë se me gjasë nuk i kanë lejuar pa bekimin e eprorëve grabitës që me paturpësinë më të madhe në kohë fushatash, ua dinin shkeljen, u kërkonin favor votën për të mbajtur pushtetin. Pra ja ku doli edhe roli i “Udhëheqësit Suprem” që sapo mori mandatin e radhës, pas kaq vitesh anarki, kërkon të bëjë shtet. Publiku, ai që ka mbetur u kënaq me veprimet e “Udhëheqësit Suprem”, shpirt lig sa s’ka më, fërkoi duart për atë që i ndodhi fqinjit, ndoshta kushëririt apo vëllait, nesër vihet në radhë të votojë “Supremin”, e ai shndërrohet në i pazëvendësueshëm. Ngjan pak me krimin e mëndafshit që nga një larvë grykëse, e pangopur u shndërrua në flutur që të verbon me ngjyrat e saj.              

Në të gjithë këtë situatë “Intelektualët Modernë” i thurin elozhe veprimeve të qeverive dhe miratojnë gjithçka ato bëjnë gjoja në të mirë të shoqërisë. Ata shkojnë edhe më tej teksa lartësojnë mënyrën e jetesës që është realitet i mirë përkohësisht. I keni ndjekur statistikat? Oh sa shumë  turistë, sa shumë të interesuar duan ta vizitojnë vendin tonë, që në fakt nuk është jeta jonë e vërtetë. Pas pak kohësh do ta gjejmë veten të huaj në vendin tonë, pasi bukuritë e natyrë së tij do të jenë mollë e ndaluar për ne.

Përbuzja është një tjetër karakteristikë e “Intelektualëve Modernë”.  Kjo i bën ata të jenë të dhënë pas sjelljes së tyre krenare duke cenuar të tjerët, masë shumë e madhe, ndoshta jo pa dashje por qëllimisht. Kjo vjen nga kurimi me kujdes që politika i bën sot kultit të suksesit. Intelektualëve u pëlqen kjo dhe ndaj edhe ata nuk reshtin se mbështeturi këtë linjë. Ky grup u lodh së foluri, paraqituri sistematikisht ata që “ia dalin”, se kanë epërsi të aftësive praktike kundrejt studimit, leximit. Tendenca e tyre për të injoruar njeriun e studimit, tregon se tipi i jetës që ata ekspozojnë ç’intereson njerëzi për dijen dhe pa dije je thjesht një analfabet dhe kur ia ke veshur vetes disa diploma të paqena je analfabet funksional. Sa të tillë ndeshim rreth e rrotull me funksione drejtuese edhe pse s’dinë as të shkruajnë e as të lexojnë. Kështu ata përbuzin ata që nuk kanë mundur, ose kanë qenë të pafat në këtë drejtim. Por modelet e tyre janë të shtrembra janë njerëz që kanë pasur alergji nga libri, madje nuk kanë mbaruar as arsimin bazë, mbështetja e modeleve të tyre po i largon të rinjtë nga shkolla, ata që janë të interesuar për këtë trokasin dhe u hapen dyert e universiteteve më të mira në mbarë botën. Ndërsa këtu shkolla sa vjen dhe bëhet një vend ku nuk merren dije por kalohen disa orë të ashtuquajtura mësimi. Me drejtues politikë dhe mësues që vijnë në rrethana jo profesionale, me diploma të dyshimta dhe më shumë nga rrethet ku universitetet e tyre janë shndërruar në kioska të arsimit të lartë, që mbahen me paterica nga buxheti i shtetit, pa përzgjedhje. Kështu shkolla ka humbur misionin, ADN ja e kombit po shkon drejt zhdukjes. Shqiptarët e zgjidhin privatisht rrugën e arsimimit të fëmijëve të tyre. Një pjesë e mirë pavarësisht moshës marrin rrugën e kurbetit, duke lënë këtu vende pune të mirë-paguara, vetëm e vetëm që të kenë arsim të qenësishëm për fëmijët e tyre. Kjo është e vërteta, të tjerat ose janë propagandë ose janë fundshpinë-lëpirje.      

Qeveritë e sotme i kanë kthyer intelektualët në qytetarë, të cilët u nënshtrohen të gjitha broçkullave të qeverisjeve. Ku qëndrim i ri i intelektualëve është edhe pasojë e kushteve shoqërore që u janë imponuar atyre. Pra ne jemi përpara një të keqeje të madhe, tmerrësisht të dëmshme, po vuajmë zhdukjen e intelektualëve, e shkak për këtë është pamundësia për të pasur mirëfilli një jetë intelektuale.

Është përgjegjësia e politikë-qeverive që nuk ruajtën, e madje përjashtuan shumë intelektualë nga funksionet publike, duke i zëvendësuar ata me militantë partiakë. Për këtë grup njerëzish detyra e vetme e tyre do të kishte qenë përkujdesja për vlerat jopartiake.

Do të ishte shumë e padrejtë që qëndrimi i intelektualëve të varej vetëm nga interesi i tyre vetjak. Lidhja e intelektualëve me kombin apo me klasën e tyre, qoftë kjo e diktuar nga interesi apo dashuria, duhet të jetë e sinqertë. Ky sinqeritet tanimë më duket se ndodh rrallë për të mos thënë se nuk ekziston fare.

Ndjenja kombëtare tek intelektualët e sotëm konsiderohet si naivitet. Madje, në vendin tonë, qëndrimi i intelektualëve të sotëm, që shpesh e quajnë veten modernë, bie në kundërshtim edhe me atë të etërve të tyre.

Tek intelektualët e sotëm shoh interesin për karrierë. Nisur nga ky fakt intelektualët sot kanë një qëndrim që më duket i vërtetë. Fama e tyre nis që nga momenti kur ata marrin anë politike. Të etur për lavdi personale, të cilën nuk mund ta kenë askund tjetër përveçse duke kalitur vullnetin për të luajtur një rol politik. Ata shprehen të gatshëm për tu angazhuar për të vepruar në mesin e një force politike, dikush kërkon mandatin e deputetit e futet në listat e mbyllura, të hapura e kjo propagandohet nga politika si bashkëpunim i saj me intelektualët për interes shtetëror, në të mirë të popullit, kombit.

Do të ishte ndryshe nëse një lëvizje e tillë do të vinte si kërkesë popullore dhe jo dëshirë e politikës dhe nevojë e intelektualëve që me këtë bashkëpunim midis tyre e para (politika) i largon ata (intelektualët) nga masat, se ata mund ti udhëheqin ato në kundërshtinë ndaj vendimeve, veprimeve të padrejta, duke i lënë tanimë pa mendim kritik, rrjedhimisht pa reagim. Intelektualëve u bëhet mirë se ata gëzojnë privilegjet që i jep pjesëmarrja në politikë dhe politika e paraqet këtë si arritje të sajën se “programi” i saj është e mirë popullore dhe këtë e dëshmon pjesëmarrja e intelektualëve. I humburi në këtë rast është populli i thjeshtë, masat që gënjehen nga pleksje të tilla. 

Të qenit intelektuali i vërtetë ishte më e lehtë dikur sesa sot. Kjo është një tjetër arsye që i shtyn intelektualët të mbajnë qëndrim politik. Dikur intelektualët ishte autoritarë, kritikë dhe qëndrim-mbajtës ndaj politikës, kishin mendim të pavarur dhe në të mirë kombëtare dhe popullore. Tani u duhet të jenë liberalë, të heshtur, e dinë se qëndrimi i tyre nuk mund të kapërcejë linjën politike. Pra e thënë ndryshe ata shndërrohen nga idealistë në praktikë për tu pëlqyer nga drejtuesi politik, udhëheqja, paria e cila u jep vlerësime, nderime, çmime… Nevoja e intelektualëve për të trajtuar me respekt pasionet e kësaj klase është më e fortë se kurrë kur dihet edhe fati i atyre që u janë kundërvënë.

Politika dhe ata që janë pas tyre, duan të ruajnë me çdo kusht privilegjet, ndaj i detyron intelektualët të cilët kërkojnë favoret e tyre, të mbajë lart flamurin politik.

Intelektualët modernë tani i shërbejnë politikës që është edhe zotëruesja e të gjithë të mirave materiale të vendit, ndonëse edhe ajo është e shqetësuar pasi çdo gjë e ka një fund, pra nuk është e përjetshme. Këta lloj intelektualësh me vetëdije janë bërë gjithnjë e më shumë pjesë e shpues politiko-përfituese të pajisur me të gjitha atributet sociale dhe të gjithë nderin dhe vlerësimin që e përcaktojnë këtë gjendje.   

Qëndrimi i ri i intelektualëve e ka bazën në ndryshimet e bëra në bazën e tyre shoqërore, në strukturën e mendjes së tyre, ndryshimin e ambientit ku ushtrohen, në ndryshimin e doktrinave estetike dhe parimeve morale.

Sjellja politike e intelektualëve buron nga ankthi i atyre që drejtojnë vendin që mesa shihet e kanë të vështirë të largohen, zhduken edhe pse veprimet e tyre janë turp dhe e keqe kombëtare.

Intelektualët duhet të vijnë në vete për të thënë jo atë që do të dëgjojë politika por atë që ata duhet ta thotë në të mirë popullore dhe kombëtare. Ata duhet të marrin përsipër barrën e gabimeve që kanë bërë dhe të braktisin çdo qëndrim jashtë kësaj vije.

Intelektualët e vërtetë nuk duhet të pranojë certifikimin e sjelljes së tyre nga politika kur ata manifestojnë përbuzjen e institucioneve demokratike.

Intelektualët nuk mund ta ruajnë emrin e mirë duke luajtur rolin e një klase jeta e së cilës çdo ditë e më tepër bëhet edhe më e trazuar. Rritja e shtuar e pranisë së intelektualëve në këtë shtresë është njëkohësisht edhe e tatëpjeta e tyre, e cila zor se mund të ndalet. Ndaj duhet reflektuar…..                                  

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular