Policia ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë në Pogradec ku 52-vjeçarja Kozeta Teço, dyshohet se u dhunua për vdekje nga shtetasi Ilirjan Selmani.
Nga hetimet ka rezultuar se zjarri në banesën e viktimës është shkaktuar nga një shtetas, informuan blutë.
“Bazuar në provat e siguruara, shërbimet operacionale të DVP Korçë kanë shoqëruar disa shtetas, në ambientet e Komisariatit të Policisë Pogradec, ndërmjet tyre edhe autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje”, raporton policia.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit të dhënë për zjarrin e rënë në lagjen nr. 1, në banesën e shtetases K. T., e cila humbi jetën, bëjmë me dije se:
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ngriti një grup të posaçëm hetimor, i cili në drejtimin e Prokurorisë, ka kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë dhe veprime eksperimentale, për të zbardhur dhe dokumentuar rrethanat e rënies së zjarrit dhe për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës së shtetases K. T., 52 vjeçe.
Nga tërësia e veprimeve të kryera deri tani dyshohet se zjarri në banesën e 52-vjeçares është shkaktuar nga një shtetas.
Bazuar në provat e siguruara, shërbimet operacionale të DVP Korçë kanë shoqëruar disa shtetas, në ambientet e Komisariatit të Policisë Pogradec, ndërmjet tyre edhe autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Veprimet hetimore vijojnë dhe në përfundim do të japim informacion të plotë në lidhje me këtë ngjarje.
Vrasja
Autori i dyshuar i krimit, i cili jetonte në periferi të Pogradecit, mësohet se ka pasur lidhje intime me viktimën, e cila u gjet e pajetë në banesën e saj të djegur, në lagjen nr.1 të qytetit.
Ai ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen duke iu drejtuar gazetarëve: “Nuk jam vrasësi unë ore jo”.
Gruaja u gjet e pajetë mëngjesin e sotëm në banesën, e cila ishte përfshirë nga flakët.
“Rreth orës 06:00, në lagjen nr. 1, në banesën e shtetases K. T., rreth 52 vjeçe, ka rënë zjarr.
Si pasojë e asfiksimit nga tymi, ka ndërruar jetë 52-vjeçarja.
Grupi hetimor dhe shërbimi zjarrfikës ndodhen në vendngjarje, ku kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit dhe po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, njoftoi policia në informacionin paraprak.
Fillimisht u raportua se ishte asfiksuar, por më pas u zbulua se kishim të bënim me një ngjarje kriminale.
Në trupin e viktimës janë konstatuar shenja dhune, duke ngritur kështë dyshimet se ajo ishte vrarë.
52-vjeçarja jetonte në katin e parë të pallatit në lagjen nr.1 të qytetit e vetme. Sipas burimeve, fillimisht viktima është dhunuar dhe më pas banesën iu është vendosur flaka për të zhdukur gjurmët e krimit.
Zjarri raportohet se është vendosur në dy ambiente të shtëpisë për të fshirë shenjat e krimit, por dhuna në trupin e gruas kanë bërë që hetimet të marrin tjetër kthesë.