Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) do të shqyrtojë të mërkurën, 30 korrik, ankesën e Adriatik Lapajt, i cili kundërshton vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, për t’i dhënë mandatin e vetëm të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” kandidates së katërt në listën e mbyllur, Kleana Xhuveli.
Edhe pse Xhuveli është kushërirë e Lapajt, kreu i koalicionit kërkon që të njihen në bllok dorëheqjet e kandidatëve në listën e mbyllur, duke kërkuar që mandati t’i kalojë vetë atij. Ky vendim ka krijuar përplasje mes drejtuesve të koalicionit dhe ka çuar në një situatë të tensionuar politike, me një mandat të diskutueshëm që mund të ndryshojë përfaqësimin parlamentar të forcës politike.
Seanca për shqyrtimin e këtij ankimimi do të nisë në orën 12:00, sipas njoftimit zyrtar.