HomeKultureAgim Bajrami: Kronikat plot mjegull të një romani të arrirë të Bashkim...

Agim Bajrami: Kronikat plot mjegull të një romani të arrirë të Bashkim Hoxhës

Nga Agim L Bajrami
Thuhet se vepra të mëdha shkruhen nga dëshpërime të mëdha, në kohra të anatemuara dhe zgripe kombesh, ku politikat e mbrapshta fillojnë e shtresohen mbi njera tjetrën duke i dhënë të drejtën e qytetarisë absurdit. Pikërisht mbi këto dukuri është mbështetur ky roman me pelerinë të mjegullt, por që është shkruar dëshpërimisht bukur.

Bashkim Hoxha troket sërish tek lexuesit shqiptar me një roman me peshë të rëndë. Them kështu pasi ato që merr përsipër të trajtojë autori ,edhe pse me një ton të dukshëm sarkastik , janë ngjarje të nxjerra nga një ditar kombëtar, mbushur me momentet me kruciale të historisë së një populli, të gjendur përherë në udhëkryqet e ekzistencës. Janë ngjarje dhe ndodhi që zhvillohen në një territor të pushtuar nga absurdi dhe një mortajë injorance. Një absurd , sa i pabesueshëm aq dhe real. Shkrimtarit nuk i mbetet veçse ta zbulojë atë, duke kryer njëherësh me të edhe procesin e hulumtimit të tij.

Ç’është historia e një populli? Cilat kanë qënë raportet mes vërtetësisë dhe kronikave të shkruara për të, apo prej tij? Kush kanë qënë protogonistët dhe antagonistët e saj në fillesë dhe vijim? Ç’ideale dhe ç’hije i karakterizuan ata në vite dhe situata të vështira? Mos vallë këtë komb e ka mbrojtur rastësia, siç do thoshte dikur Konica i famshëm, apo sakrificat dhe gjaku i tij ?

Janë këto pyetje dhe dyzime që të rrijnë vazhdimisht pezull në mendje , sapo hyn në qerthullin e ngjarjeve historike dhe njihesh me personazhet që mbart ky roman.

Nuk është rastësi që oborri i këtij romani është i mbushur me gjarpërinj të zinj që fërshëllejnë refrene morti. Janë krijesa të krijuara në qindra shekuj sundim. Ka qënë detyrë e autorit evidentimi i këtyre fishkëllimave.

Që në krye duhet thënë se i gjithë romani karakterizohet nga një vështrim i thukët rreth një periudhe post otomane, me ngjarje dhe personazhe që kutërbojnë një erë të rëndë kalbësirash orienti. Largimi i ushtarëve të fundit pushtues duke përplasur këmbët fort në kalldrëmet, habija dhe hutimi që përshkojnë banorët e një qyteze të pamësuar me lirinë, krijimi i legjendës së pavarësisë dhe ngritjes së flamurit dhe rrjedhojat që dalin prej kësaj legjende të sajuar, janë gongu për të paralajmëruar fillimin e një tragjedie të re të pafund.

Jo më kot autori e hap romanin me personazhin tragjikomik të Hënës, pasi historia e saj është kaq e ngjashme me historinë e një populli që ecën si i hutuar në udhëkryqet e së panjohurës. Dhe nuk është rastësi që shumica e personazheve protogonistë të ideve të veprës, e kanë futur kokën

herë pas here në gjoksin e saj. Është një simbolikë e gjetur, që lind më pas simbole të tjerë.

Narracioni i shkrimtarit sa i ngrohtë dhe tërheqës, mbasi të ka futur në rrjedhë, di edhe të të nxjerrë prej andej mjeshtërisht. Vepra shquhet për rrjedhë narrative dhe shumë personazhe të gdhendur mjeshtërisht, por dy nga veçoritë më kryesore duket se janë; tonet e ngritur të satirës dhe dimensionet e pamata të mjegullës metaforike. Të gjithë të tjerët rrotullohen me hir a me pahir përreth tyre. Veçoria e parë qe lidhet me gjuhën e veçantë dhe fshikulluese është e aftë të krijojë nëpërmjet kontrastesh botën e kotësisë me pseudoheronjtë e saj, ndërsa veçoria e dytë (mjegulla ) është nga elementet më të gjetur dhe efikas në këtë vepër , e aftë jo per t’i mbuluar, por për të bërë funksionin e kundërt, atë të zgjimit të instiktit ndjesor të lexuesit.

Bashkim Hoxha nuk i pëlqen tekstet e shtrirë dhe linearitetin e rrëfimit. Ai e urren monotoninë ndaj herë pas here pëlqen përthyerjet e befta dhe të herpashershme. Si në “Kronikat e mjegullës” dhe në shumë vepra të tij lëvizjet e personazheve janë të dukshme, por edhe të nënkuptuara. Duket se fuqia e aksionit është e përqendruar më shumë tek kjo e fundit. Jo më kot mbas hapave të ushtarëve të fundit turq, reminishencat e tyre do t’i gjejmë të shfaqen më pas në trajta dhe forma të tjera.

Duke shfletuar këtë roman unë i jap të drejtë Borges kur thotë se libri është zgjatim i kujtesës dhe imagjinatës së autorit. Parë në këtë rrafsh, mund të themi se autori ka ditur ç’të marrë dhe ç’të lerë nga kujtesa e shuar e një historie vicioze, shpesh e mbushur me drama dhe tragjedi, por më shumë me folkorizëm patriotik brenda, me retushime faktesh dhe heronjsh te vetëshpallur, por më vonë të pranuar në heshtje nga turma dhe historishkruesit, duke i shoqëruar ato me një nënqeshje të hollë sarkastike. Romanet e këtij autori gjithmonë shquhen për kreativitet krijues

dhe dialogje të fuqishëm dramatikë. Edhe ky roman është në të njejtën rrjedhë krijuese, por me thekse dhe tonalitete më të larta alegorie. Është një histori e shkruar në ngutje e sipër, me heronj dhe antiheronj të çdo lloj tipi dhe ngjyre, që popullojne si të mundin territoret e absurdit,që nga shpallja e pavarësisë e më tutje. Synimi i autorit është përcaktimi i natyrave të absurdit dhe roli i tij pervers në histori. Ai tenton dhe shpesh ja arrin kësaj.

Një tjetër tipar i spikatur në këtë vepër mbetet fuqia përfytyruese. Eshte kjo që e bën më reflektiv dhe më intensiv procesin e rrëfimit. Edhe pse ngjarjet në këtë roman zhvillohen në katër epoka qe mbajnë emra të ndryshëm, emrues i përbashkët mbetet mjegulla.

Vepra vizaton plane të hapura të anarkisë dhe harbutllikut, në një shoqëri që s’bën asgjë për t’i ikur sadopak atyre, dhe që egzistencën e paqenë të dinjitetit e maskon me thirrje folklorike.

Është një mjegull që nuk të ndahet asnjëherë dhe metastazat e saj të përhapen si pa u ndjerë në çdo pjesë të shikimit. Operimi me këtë simbolikë është mjaft domethënës dhe reflektiv. Është kjo mjegull nën të cilën lëvizin hijet dhe ngjarjet.

Janë dhjetra portrete personazhesh rreth të cilëve vërtiten copëza historish dhe jetëshkrimesh të veçanta. Të tillë janë Hëna, Masari, Prifti i fshatit, Cubi, historiani, etj. Duke qënë një qestisës i mirë karakteresh, autori thekson ironikisht se sado vite mbi shpinë të kenë bartur ata, rrathët e tyre të jetës janë shumë të pakta. Them këtë sepse asnjeri nga ta nuk ka arritur të krijoj nje trung apo asht të tij. Te gjithë ata ngjan se i ka mbledhur në këtë kënd absurdi ose një shaka e fatit.

Azis beu, një bej tipik shqiptar i leçitur dhe i dalë nëpër botë , mbi të cilin reflektojnë herë herë dritëza intelekti dhe humanizmi, megjithatë nuk del dot përtej vendit dhe kohës që i përket. Fundi tij në bodrumin e errët mbas lidhjes së tij me gjermanët është i pritshëm dhe shumë sinjifikativ. I biri i tij Ferdinanti edhe përkunder koncepteve të tij të përparuara europiane për shkrimin e historisë, me qendrimin e tij statik dhe të ftohtë, është i pafuqishëm të ndryshojë, qoftë edhe një gur në ngrehinën mjerane të vendit të tij. Ndofta karakteri më i spikatur në vepër mbetet Hëna. Ajo është një personazh të cilen autori është munduar ta vizatojë në shumë kënde Shumë nga vetitë e saj mbartin në vetvete tonelata të tëra mjegulle dhe klithma virgjëreshash të cilat herë me dëshirë, e herë pa dëshirë humbnin në shtratin e kohës virgjërinë. Amplituda e jetës së saj më kujton modele heroinash të krijuara nga hiçi në kohën e diktaturës, me kostume ushtarake dhe me revole në brez. Dhe në fakt, Hëna më shumë se personazh është një karikaturë e një epoke populiste, shoqëruar më së miri me refrenin hakmarrës Në ato maja rripa ripa/ Herë ma hipe, herë ta hipa. Eshtë një refren mjeran që më shumë se ngjitjen të kujton mjerimin e turmave të gënjyera nga propoganda e kohës. Interesant është edhe Cubi. Figura e tij s’është gjë tjetër veçse zgjatim nëpër shekuj i njeriut që jeton vetëm për të vrarë dhe vritet më në fund nga zakoni i tij prej vrasësi. Shumë nga tiparet e tij u bënë evidente edhe në sivllezër të tij të një gjaku në vitin e mbrapshtë ‘97. Kjo lloj cubërie edhe pse në forma të ndryshme është ende profesion i parapëlqyer tek ne. Kjo është arësyeja që autori krahas stigmës së tij gërvishtëse, fut në figurën e tij edhe një ndjenjë të thellë keqardhje. Personazhe të tillë e kanë të shkruar në ballë anarkinë edhe pse pretendojnë në forma të ndryshme ide egzistencialiste.

“Kronikat e Mjegullës” është pasqyrë e një anarkije totale dhe njerzish me historira të sajuara. Lëvizjet e tyre si në jerm, shërbejnë si pretekste që autori të formulojë mendimin e tij të guximshëm, se nuk mund të bëhet kurrë shtet me një histori të përdhunuar që në krye dhe të mbarsur nga mjegulla. Le të citojmë vetëm dy pasazhe mjaft kuptimplotë për këtë: Mjegull në natyrë ,mjegull brenda teje (brenda nesh).

Thuhet se vepra të mëdha shkruhen nga dëshpërime të mëdha, në kohra të anatemuara dhe zgripe kombesh, ku politikat e mbrapshta fillojnë e shtresohen mbi njera tjetrën duke i dhënë të drejtën

e qytetarisë absurdit. Pikërisht mbi këto dukuri është mbështetur ky roman me pelerinë të mjegullt, por që është shkruar dëshpërimisht bukur.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular