Aftësimi dhe kualifikimi i stafeve është një nga problematikat me të cilat përballen bashkitë e vendit. Për këtë arsye, qeveria ka vendosur ngritjen e Akademisë së Pushtetit Vendor, që do të drejtohet nga ministri Arbjan Mazniku. Ai shpjegon arsyet që nxitën krijimin e kësaj akademie.
“Aftësimi i stafeve të bashkive dhe pasja e stafeve të kualifikuara ishte një nga problemet më të mëdha që bashkitë e vendit kanë. Ne krijuam këtë strukturë të re e cila është e bashkëqeverisur nga vetë bashkitë bashkë me qeverinë që do mbështesë gjysmën e buxhetit, duke përzgjedhur edhe praktikat më të mira të funksionimit mes bashkive. Akademia do jetë mekanizmi institucional i cili do të aftësojë stafet teknike të bashkive që të ofrojnë shërbim sa më cilësor për qytetarët.”
Mazniku shprehet se kjo akademi ka si synim që të trajnojë bashkitë për të përfituar nga nismat e qeverisë.
“Aftësimi i stafeve që të kemi bashki efektive duhet jetë një proces që ndodh në mënyrë permanente, qoftë për detyra teknike. Ne kemi nisur para pak kohësh paketën e maleve ku bashkitë kanë disa detyra. Duhet të aftësohen stafet e bashkive për proceset që janë krijuar si rrjedhojë e këtij procesi. Kjo strukturë do të kushtojë 80 milionë lekë, gjysma nga bashkitë dhe gjysma nga qeveria.”
Sipas Maznikut, duke qenë se 70% e rregullave në Bashkimin Europian aplikohen në nivel vendor, kjo akademi do të ndihmojë edhe në procesin e integrimit të vendit.
“Akademia është ngritur si një mekanizëm në mënyrë që stafet teknike të bashkive të vendit të aftësohen. Kjo do vijojë në mënyrë periodike, veçanërisht në një moment të rëndësishëm për vendin, që është afrimi ynë me BE.”
Janë afro 26 mijë punonjës që do t’i nënshtrohen trajnimeve të ndryshme, jo vetëm në nivel vendor mes vetë bashkive, por edhe me ekspertë të huaj. Për ngritjen e Akademisë po bashkëpunohet me qeverinë dhe Akademinë e Pushtetit Vendor të Holandës, me qeverinë zvicerane me projektin “Bashki të Forta” dhe qeverinë suedeze.