HomeKryesore“Kodi i ri penal ka tendencë represive”, kryeprokurori Çela kundër draftit: Ashpërsimi...

“Kodi i ri penal ka tendencë represive”, kryeprokurori Çela kundër draftit: Ashpërsimi i dënimeve me burgim nuk është zgjidhja e vetme

Kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me draftin e propozuar për ndryshimet në Kodin Penal, duke e cilësuar atë si një nismë të nxituar, të pakonsultuar dhe të rrezikshme për sistemin e drejtësisë në vend.

“Kodi aktual, i miratuar në vitin 1995, është përditësuar në mënyrë të vazhdueshme për të reflektuar nevojat e kohës dhe nuk paraqet vështirësi serioze në zbatimin e tij. Por mungesa e një procesi paraprak për identifikimin e problemeve të pakapërcyeshme me Kodin në fuqi, e minon legjitimitetin e një nisme që prek të gjithë qytetarët”, tha ai.

Një tjetër kritikë nga kryeprokurori është edhe teknika ligjvënëse e përdorur në draft, që sipas Çelës krijon konfuzion në zbatim dhe rrit mundësinë për interpretime të ndryshme në raste të ngjashme.

“Nisur edhe nga produkti i sjellë për diskutim, unë vlerësoj se ai do të sillte shumë konfuzion tek magjistratët në aplikimin e normave dhe krijon premisat për interpretime tërësisht të ndryshme të tyre në raste të ngjashme. Për më tepër, teknika e përdorur për ndërtimin e dispozitave, e bën të pamundur përmirësimin e tyre përmes procesit të konsultimit publik”, u shpreh Çela.

Po ashtu, Çela paralajmëron për një rrezik të shtuar të kriminalizimit të individëve, si pasojë e zgjerimit të veprimeve që cilësohen si të rrezikshme dhe që parashikohen me dënime burgimi.

“Fryma e përgjithshme në draft për të zgjeruar rrethin e veprimeve që kategorizohen si të rrezikshme në një masë të tillë sa të klasifikohen si vepra penale e të dënohen me burgim, tregon një tendencë represive që rrit potencialin e kriminalizimit të individit në shoqëri e që sjell pasoja të rëndësishme në jetën e qytetarëve”, shprehet Çela.

Ai gjithashtu theksoi se sistemi i drejtësisë në vend është aktualisht i mbingarkuar, me mungesa të mëdha në organikë dhe me një volum të lartë dosjesh. Sipas Çelës, ndryshimet e propozuara do të sjellin kaos të shumëfishtë në hetime dhe gjykime, duke i vështirësuar edhe më shumë proceset ekzistuese.

Kryeprokurori e konsideron më të nevojshme dhe urgjente ndërhyrjen në Kodin e Procedurës Penale, për të korrigjuar problemet e zvarritjes së hetimeve dhe burokracive të panevojshme, sesa hartimin e një Kodi Penal të ri.

Reagimi i plotë:

Përpara se të diskutohej mbi draftin e prezantuar do të kishte qenë e nevojshme që ky diskutim të ishte paraprirë nga një reflektim mbarëshoqëror mbi nevojën e pasjes së një kodi të ri. Kodi në fuqi është miratuar në vitin 1995 dhe ka pësuar ndërhyrje të shumta për t’ja përshtatur nevojave të ndryshme që ka pasur vendi, ndaj nuk mund të thuhet se ai nuk është i përshtatshëm për kohën apo ka vështirësi serioze në zbatimin e tij.

Mungesa e një procesi paraprak në drejtim të identifikimit të problemeve të supozuara pakapërcyeshme me kodin në fuqi dhe që shtronin nevojën për të ndryshuar tërësisht një ligj thelbësisht të rëndësishëm në jetën e vendit, i cili prek jetën e gjithë qytetarëve, natyrshëm që nuk i shërben gjetjes së një konsensusi me bazë të gjerë.

Në vitin 1995, për shkak të një konteksti të caktuar historik, ishte mëse e qartë nevoja për t’u shkëputur nga një konceptim autoritar i kodit të vjetër penal drejt një kodi të përshkuar tërësisht nga një frymë demokratike liberale, i cili duhej të përfaqësonte vlerat e shoqërisë që synonim të ndërtonim. Kjo do të duhej të kishte qenë pikënisja edhe për procesin e draftimit të një kodi të ri, si një nevojë reale për shkak të evoluimit të vlerave shoqërore dhe përshtatjes me ndryshimet e vrullshme në nivel global në shumë aspekte, shpesh herë edhe mjaft delikate e për të cilat nuk është e lehtë të gjendet konsensusi. Ky proces do të kishte shtruar bazamentin e duhur filozofik moralo-juridik mbi të cilën të ndërtohej struktura e një kodi të ri.

Mungesa e këtij procesi përbën një gabim fatal strukturor në ngritjen e kësaj ngrehine, që në vend se të ishte produkt i një rrjedhe të natyrshme institucionale dhe shoqërore si domosdoshmëri historike, në fakt nuk përfaqëson më shumë se një veprim të nxituar që rrezikon të minojë në mënyrë të pariparueshme mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në vend.

Nga ana tjetër, nisur nga mënyra se si operohet për miratimin e një kodi, për shkak të volumit dhe kompleksitetit të jashtëzakonshëm, procesi i konsultimit publik dhe ai parlamentar më pas, ndikojnë pak ose aspak në thelbin e tij, çka e shndërron procesin e debatit publik në formal dhe të padobishëm, pasi nuk do të lejonte një ndërhyrje sistematike në tërësinë e draftit. Nisur edhe nga produkti i sjellë për diskutim, unë vlerësoj se ai do të sillte shumë konfuzion tek magjistratët në aplikimin e normave dhe krijon premisat për interpretime tërësisht të ndryshme të tyre në raste të ngjashme. Për më tepër, teknika e përdorur për ndërtimin e dispozitave, e bën të pamundur përmirësimin e tyre përmes procesit të konsultimit publik. Tendenca për të paravendosur në dispozita çdo interpretim të mundshëm të normës ligjore përkeqëson cilësinë e zbatimit të saj dhe bllokon zgjidhjen e problemeve të shumta të pamundura të parashikohen të cilat shfaqen për zgjidhje tek ata që zbatojnë ligjin.

Gjithashtu, fryma e përgjithshme në draft për të zgjeruar rrethin e veprimeve që kategorizohen si të rrezikshme në një masë të tillë sa të klasifikohen si vepra penale e të dënohen me burgim, tregon një tendencë represive që rrit potencialin e kriminalizimit të individit në shoqëri e që sjell pasoja të rëndësishme në jetën e qytetarëve. Nga ana tjetër, vihen re rregullime të caktuara në pjesën e përgjithshme të draftit që rrezikojnë ta kthejnë sjelljen e kundërligjshme të individit në një moment të caktuar në kohë në potencialisht të dënueshme përgjatë gjithë jetës, duke i shkuar ndesh parimeve të sigurisë juridike dhe humanizmit. Janë pikërisht këto disa nga parimet që do të duhej të ishin qartësuar që në nisje të punës për draftimin, si produkt i atij reflektimi mbarëshoqëror të munguar, por thelbësisht të domosdoshëm, për të ndërmarrë ose jo këtë iniciativë.

Përtej sa më sipër, nisur edhe nga çfarë diskutohet këto ditë në media mbi draftin, nuk mendoj se ashpërsimi i dënimeve me burgim është zgjidhja e vetme dhe më e mirë për morinë e problemeve që kalon vendi, në një kohë që kemi një nga kodet me dënime nga më të ashpra në nivel evropian. Këtë qëndrim ne e kemi mbajtur institucionalisht edhe në të gjitha proceset ligjbërëse kur na është kërkuar opinion ligjor. Po ashtu duhet kuptuar që rregullimet në ligjin penal ndikojnë drejtpërdrejtë në aplikimin e normave procedurale dhe harmonizimi i tyre nuk mund të bëhet pa u paraprirë nga një qasje vizionare për ku duam të shkojmë.

Eksperienca ka treguar se procesi i ligjbërjes në vend, të paktën sa i përket sistemit të drejtësisë dhe sidomos kuadrit ligjor penal, është difektoz dhe shpesh herë ndikohet nga nevojat dhe emocionet e çastit, duke mos sjellë efektet e dëshiruara. Për shkak të nivelit të përmasave të pasojave për dekada të tëra kur bëhet fjale për një kod, nuk duhet të lejohet që ky gabim të përsëritej për një ligj kaq të rëndësishëm, aq më tepër për momentet në të cilat po kalon sistemi i drejtësisë në vend, ku debate të tilla do të mund të ndikoheshin thellësisht nga qasje aspak objektive, përtej logjikës së ftohtë juridike që kërkon një kod penal.

Ardhja e draftit në këtë moment mjaft të vështirë për drejtësinë, kur sistemi ende vuan nga mungesat masive në organika dhe mbingarkesa e jashtëzakonshme e dosjeve, nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të thellonte shumëfish kaosin në hetim dhe proceset gjyqësore, për shkak të konfuzionit të paevitueshëm që do të sillte zbatimi i normave të reja penale. Kjo mund të vihet re lehtësisht edhe në mungesën e një kontributi real të magjistratëve në dhënien e opinioneve mbi draftin që nga viti 2023, pikërisht për shkak të ngarkesës së papërballueshme në punë që nuk i lejon të përfshihen cilësisht në një proces kaq delikat dhe të rëndësishëm.

Më tepër se për një kod të ri penal, sot vendi ka nevojë urgjente për ndërhyrje në Kodin e Procedurës Penale, për të korrigjuar gjërat që po shkojnë keq në funksionimin e tij dhe për të lehtësuar proceset nga burokracitë e panevojshme, që po ndikojnë në zvarritjen e hetimevedhe gjykimeve.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular