HomeOP EDPër tentativat brenda PD për t'i arnuar partisë xhaketën!/Nga Neritan Vladi

Për tentativat brenda PD për t’i arnuar partisë xhaketën!/Nga Neritan Vladi

Nga Neritan Vladi
Duket se brenda Partisë Demokratike nuk po funksionon më shtyrja dhe blerja e kohës, për të shmangur përgjegjësinë e lidershipit dhe të drejtuesve politikë, për katastrofën elektorale të zgjedhjeve të 11 majit.

Vetë Berisha me vullnetin që e karakterizon po mban gjallë çdo ditë me konferenca për shtyp fabulën e “Farsës Rama”, e cila edhe pse ishte e qënësishme në këto zgjedhje, nuk mban më si alibi e vetme për të justifikuar, paaftësinë, degradimin, kapjen, imoralitetin politik dhe pafuqinë e kësaj opozite, (Jo funksionale thotë raporti i fundit i KE), për të mundur me votë “Regjimin e Ramaduros”. Ndaj ditët e fundit po shohim zëra të rëndësishëm brenda PD, të cilët po kërkojnë një shkatërrim të statukuosë së lidershipit edhe pse nuk guxojnë të përmendin emrin e liderit të lidershipit, Sali Berishës.

Disa po e quajnë “reformë e thellë”, të tjetë “Foltore nr.2”, por të gjithë duket se kërkojnë disa “kurbanë” me emra të përveçëm, mbi të cilët pritet të projektohet dështimi historik i PD në zgjedhjet e fundit, nga të cilat doli me të paktën 250 mijë vota mangët nga ato paraardhëse të 2021, kur u udhëhoq nga lidershipi i Lulzim Bashës. “Kurbanët” mund të jenë Gazmend Bardhi me grupin e tkurrur që i ka mbetur, mund të jetë Flamur Noka me Albana Vokshin, ose të gjithë bashkë.

Ky aksion apo ky “Rithemelim nr. 2”, (Këtë herë prej vërteti, siç po artikulohet), faktikisht do trazonte moçalin, do “shkatërronte” strukturën drejtuese aktuale të PD, por me vetëm kaq, a do mund të ishte i mundur një rikthim i PD si një forcë alternative morale, shpresëdhënëse, në kontrast të plotë me “Ramaduron”, nëse edhe ky “revolucion” brenda PD kryhet me lejen dhe nën kontrollin e berishizmit, si filozofi politike dhe teknikë e taktikë, që e kemi parë disa herë gjatë këtyre 4 viteve?!

“Shkatërrimi krijues” i cili po synohet të nis këtë vjeshtë brenda PD është një term i huazuar nga ekonomia, i përdorur fillimisht nga ekonomisti Joseph Schumpeter në vitet ’40 për të përshkruar procesin përmes të cilit risitë dhe zhvillimet e reja ekonomike zëvendësojnë modelet e vjetra. Pra, shkatërrohen strukturat ekzistuese për t’i hapur rrugë teknologjive të reja.
Në politikë, ky koncept përdoret metaforikisht për të përshkruar raste kur lidershipi, krizat apo ndryshimet radikale “shkatërrojnë” rendin apo strukturat ekzistuese politike, me qëllim që të krijojnë një rend të ri. Kjo mund të ndodhë përmes revolucioneve, reformave të thella, apo edhe riorganizimit të institucioneve.

“Shkatërrimi kreativ” mund të përdoret edhe në kuptim pozitiv, për të përshkruar transformime thelbësore brenda një partie politike apo një sistemi që synojnë përmirësim dhe modernizim. Por a ka gjasa që ky të jetë rasti në PD-në e udhëhequr nga Berisha dhe sipas berishizmit?

Në këtë kuptim, (pozitiv), ai nënkupton prishjen e strukturave të vjetra, joefektive apo të korruptuara, për t’i hapur rrugë ideve, praktikave dhe lidershipit të ri. Për shembull:

– Një parti politike që reformohet nga brenda duke zëvendësuar elitën e vjetër me figura të reja dhe politika më të hapura e demokratike, mund të përshkruhet si rast i “shkatërrimit kreativ”.

Termi është i përdorur edhe nga reformatorë dhe teknokratë në vende në tranzicion për të përshkruar transformimin nga sisteme autoritare në demokraci apo ekonomitë e planifikuara në treg të lirë.

Kur përdoret me vizion dhe maturi, “shkatërrimi kreativ” është një mënyrë për të ndërtuar më mirë mbi rrënojat e së vjetrës.
Por faktikisht në Partinë Demokratike, nuk po ndodh as shkatërrim, as kreativitet. Situata ka ngecur mes konfliktit të vjetër dhe frikës për ndryshim real. Elitat janë po ato, idetë po ashtu, dhe çdo përpjekje për transformim kthehet në luftë për pushtet personal, jo vizion kolektiv.

Një shkatërrim kreativ në PD do të kërkonte:
– Dorëheqje të vullnetshme nga figura të konsumuara.
– Pranim të humbjeve dhe analizë të ndershme.
– Liderë të rinj, jo nga “brezi rezervë” i vjetër, por me vizion modern.
– Një narrativë të re, që nuk lidhet vetëm me anti-PS apo anti-Rama.

Por kjo nuk ndodh sepse askush nuk do të lëshojë terren. Ndaj, ngërçi vazhdon si në një kurth, në një rreth vicioz: një PD që ka nevojë dialektike, që këlthet për riformatim total, që rënkon për të qenë totalisht ndryshe nga PS e Ramës, por që shfaqet si një xhaketë e vjetër që çohet gjithmonë te i njëjti robaqepës, (Berisha), për ta arnuar, apo në rastin më të mirë për të kthyer mbrapsht të njëjtin material, i cili përkohësisht ngjan si “i ri”. Ndaj qoftë me “Foltore 2”, apo me “Rithemelim prej vërteti”, nëse xhaketa do të varet gjithmonë në gozhdën-Berisha, lëngimi dhe tkurrja e PD nuk ka për të ndalur kurrë!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular