Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, së bashku me kryetarin e ri të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (QKK), Jonid Jorgji, zhvilluan sot një takim me kineastët shqiptarë. Në fokus të takimit ishte prezantimi i vizionit dhe hapave konkretë të strategjisë së re për zhvillimin e sektorit audiovizual në Shqipëri.
Ministri Gonxhja e theksoi këtë takim si një moment kyç për të ndarë prioritetet e ardhshme me komunitetin e industrive kreative. Në qendër të kësaj strategjie janë vendosur transparenca, rritja e qartësisë në të gjitha proceset dhe vendimmarrjet; rritja e standardeve profesionale që ka të bëjë me përmirësimi i cilësisë dhe profesionalizmit në prodhimet audiovizuale, si dhe nxitja e bashkëpunimeve ndërkombëtare duke krijuar ura me industrinë globale të filmit dhe produksionit.
Gjatë takimit, në të cilin morën pjesë edhe përfaqësues të QKK-së dhe ekspertë ndërkombëtarë të ftuar nga British Council, u prezantuan pikat kryesore të strategjisë. Kjo strategji është ndërtuar duke marrë parasysh nevojat dhe potencialin e tregut vendas dhe ndërkombëtar.
Rregullore e re dhe mundësi evropiane
Një tjetër pikë thelbësore e diskutimit ishte rregullorja e re e aplikimit në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë. Kjo rregullore synon të thjeshtojë procedurat dhe të hapë më shumë hapësira për projekte cilësore, duke lehtësuar aksesin e kineastëve në mbështetje dhe fonde.
Gjithashtu, u prezantuan mundësitë konkrete që ofron Media Desk i Creative Europe. Kjo platformë evropiane ofron mundësi për përfshirjen e kineastëve shqiptarë në rrjete dhe bashkëprodhime evropiane, duke i ndihmuar ata të zgjerojnë horizontet e tyre dhe të bashkëpunojnë me artistë dhe producentë nga vende të tjera.
“Përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe me partneritete të qëndrueshme, mund të ndërtojmë një ekosistem të fortë për krijimtarinë audiovizuale në Shqipëri, një sektor që jo vetëm përfaqëson identitetin tonë kulturor, por edhe ka potencial real për zhvillim ekonomik dhe diplomaci kulturore,” theksoi Ministri Blendi Gonxhja.
Kjo strategji e re shpresohet të shënojë një kapitull të ri për kinematografinë shqiptare, duke e bërë atë më konkurruese dhe të njohur në skenën ndërkombëtare.
/rtsh.al/