Tregu i pasurive të paluajtshme në Europën Juglindore shfaq ndryshime të theksuara në çmimet e apartamenteve me një dhomë gjumi për metër katror në vitin 2025, bazuar në çmimet mesatare të reklamuara online. Ky ndryshim ofron një pasqyrë të qartë të dinamikave ekonomike dhe tregtare në rajon.
Tirana shfaqet me një çmim mesatar prej 1,770 €/m², duke u renditur pas Prishtinës (1,330 €/m²) dhe afër Shkupit (1,810 €/m²). Ky çmim e vendos Tiranën në segmentin e ulët të tregut rajonal, megjithatë, ka disa aspekte që duhen theksuar, veçanërisht duke pasur parasysh zhvillimin e shpejtë të kryeqendrës së Shqipërisë.
Tirana ka përjetuar një bum ndërtimi vitet e fundit, me projekte të shumta rezidenciale dhe komerciale dhe ndërkohë, nga ana tjetër, popullsia po përqëndrohet gjithmonë e më shumë në Tiranë, aspekt që ndikon tek kërkesa.
Qytetet me çmimet më të larta për metër katror janë Lubjana (5,220 €/m²) dhe Zagrebi (3,850 €/m²). Kjo nuk është surprizë, pasi Sllovenia dhe Kroacia janë vende anëtare të Bashkimit Europian, me ekonomi më të zhvilluara, standarde më të larta jetese dhe kërkesë më të madhe nga investitorët e huaj.
Beogradi dhe Podgorica ofrojnë një çmim prej 2,810 euro dhe 2,400 euro për metër katror, sipas të dhënave.
Prishtina dukët se ka çmimin më të ulët mesatar të kërkuar, me 1,330 €/m². Pavarësisht zhvillimit të Prishtinës si kryeqytet i Kosovës dhe rritjes së investimeve, ky çmim mbetet dukshëm më i ulët se qytetet e tjera në rajon, përfshirë Tiranën dhe Shkupin.
Këto të dhëna bazohen në çmimet mesatare të reklamuara online të analizuara nga “Adriatic Advisors”, e cila është një kompani që ofron konsulencë për pasuri të paluajtshme dhe inxhinieri të specializuar në rajonet e Evropës Juglindore.
