HomeKulture“Do të përfundosh edhe ti si yt vëlla…”, lajmi që mori në...

“Do të përfundosh edhe ti si yt vëlla…”, lajmi që mori në gjyq Arshi Pipa kur e ridënuan. Arratisja bashkë me të motrën dhe si vdiq në burg nga torturat Myzafer Pipa

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” përkujtoi shkrimtarin, përkthyesin dhe studiuesin Arshi Pipa.

Arshi Pipa lindi më 28 korrik 1920, në qytetin e Shkodrës. Pasi kreu mësimet e mesme në liceun e vendlindjes, studioi Letërsi e Filozofi në Universitetin e Firences, ku u diplomua më 1942 me dizertacionin: “Morali dhe feja tek filozofi Henri Bergson”. U kthye në Shqipëri dhe deri më 1946 filloi të jepte mësim në shkollat e mesme në Tiranë dhe Durrës. Gjatë periudhës kur Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve nisi botimin e organit të vet “Bota e Re”, Arshi Pipa me Mitrush Kutelin ishin të vetmit jokomunistë në këshillin drejtues. Iu kërkua të shkruante diçka për përvjetorin e vdekjes së Migjenit, shkrim që nuk u pëlqye nga njerëzit e partisë. Në 27 prill 1946 e arrestuan dhe e dënuan me dy vjet heqje lirie.

U ridënua më 20 dhjetor 1947 me 20 vjet heqje lirie si bashkëthemelues i grupit socialdemokrat. Vuajti në burgjet dhe kampet e shfarosjes (Durrës, korrik 1948 Vloçisht, nëntor 1948 Gjirokastër, Korçë, “Artizanati” i Tiranës, Burrel etj.), ku përveç punës së detyrueshme u bë një nga dorëzanët e mësimdhënies së letërsisë, filozofisë dhe gjuhëve përgjatë dënimit. ku shkroi librin me poezi “Libri i Burgut”. Familjen e shpërngulën disa herë derisa në nëntor 1949 bashkë me 20 familje të tjera të persekutuara i shpërnguli në disa shtëpi boshe në plazh. Gjatë rrugëtimit, i ati që ishte i paralizuar, ndërroi jetë. Arshi Pipa u lirua më 26 prill 1956 dhe në 1957 u arratis bashkë me të motrën. Fillimisht u vendos në Sarajevë deri në vitin 1959 dhe më pas emigroi në Shtetet e Bashkuara në 1959-n. Vëllimin e parë poetik me titull “Lundërtarët” e botoi në vitin 1944.

Të dytin, “Libri i burgut” të shkruar në letra cigaresh, në burgjet e kampet e punës së detyruar, e botoi në Romë në vitin 1959. Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minnesota-s dhe Minneapolis, fillimisht si profesor i asociuar (1966-69) dhe më pas si profesor i gjuhës italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane. Pipa ka lënë një trashëgimi të pasur në fushën e përkthimeve poetike nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, anglishtja. Gjatë kohës që jetoi si refugjat në Jugosllavi, ai përktheu një vëllim poetik me titull “Lyrika Latine”. Shkrimet e tij të botuara në shqip, anglisht, frëngjisht dhe italisht ndahen në poezi, estetikë e filozofi si dhe kritikë letrare. Përsa u përket studimeve dhe kritikës, disa prej tyre janë: “Tipologjia dhe periodizmi i letërsisë shqiptare, “Fan Noli si një nga figurat komëtare dhe ndërkombëtare shqiptare”, “Humanistët italo-shqiptarë”, “Bisedë përmbi Kadarenë”, “Fenomeni Kadare” etj.

KUJTIMET

Feime Pipa e arratisur së bashku me të vëllain Arshi Pipa, në një numër të revistës “Albanica” të pranverës së vitit 1991 në Nju Jork, ka botuar kujtime me episode mjerimi, brenge, persekutimi e torture që përjetoi familja e saj. Ai ka treguar udhëtimin e gjatë e të pashpresë për një strehë. “Për pothuaj dy vjet ishim në zi për vdekjen e vëllait tonë, Myzaferit, dhe motrës, Bedit. Megjithatë, meqenëse po afronte dita e lëshimit nga burgu e Arshiut, filluam të ndjenim njëfarë lehtësimi. Babai, që dergjej në shtrat prej katër vjetësh, me femorën të thyer, u gjallërua disi dhe filloi të na tregonte, mua dhe motrave, ngjarje të jetës se tij. Nëna lau dhe hekurosi kostumin e Arshiut e i beri një kravatë të re. I duhej edhe një dyshek, por me mundësitë financiare që kishim, nuk mund t’ia blinim. Ne, motrat, ndjeheshim më mirë, veçanërisht unë që, në mënyrë të fshehtë isha lidhur me Arshinë, gjë që vetëm nëna e dinte.

Ngushëlloheshim edhe pse, të paktën, tashti kishim një çati mbi kokë. Ishte një banesë primitive në periferi të Durresit, në fund të një rruge të gjatë të cilën shirat e dimrit e bënin të pakalueshme. Shtëpia kishte dy dhoma dhe një haur të vogël që e përdornim për kuzhinë. Ne e quanim atë “kështjella jonë e vogël”. E kishim gjetur pasi komunistët na kishin detyruar të shpërnguleshim tre herë brenda gjashtë muajve” ka rrëfyer ajo. Sipas Feime Pipës, banesa e parë, e përkohshme ishte një apartament me dy dhoma, më pas një tjetër banesë dhe sërish një tjetër derisa banesa e re ndante si stallë. Por dhimbja ishte e madhe. “Nuk mundëm kurrë të vendosnim një lule në varrin e vëllait tonë, Myzaferit. Ai u torturua për vdekje, përnjëherë pas arrestimit, në vitin 1946, në Degën e Sigurimit në Shkodër. Nuk dinim, dhe ende nuk dimë, vendin e varrit të tij”, tregonte Feimeja.

RIDËNIMI

E morta e Myzafer dhe Arshi Pilës ka rrëfuer ditën e ridënimit të vëllait. “Në një pasdite nëntori të vitit 1947, kur unë me motrën time Bukurushin po ktheheshim për në shtëpi, pamë një xhip që ndaloi para Prokurorisë se Përgjithshme. Dy roje zbritën prej tij dhe hapen portën e të burgosurit. Prej saj doli vëllai ynë, Arshiu, me pizhame e pantofla. Gjatë daljes nga xhipi, ai ktheu kokën, na vështroi, dhe u fut në ndërtese. Ne ngrimë. Arshinë e kishin nxjerrë nga infermieria. Pse? Ai duhej të lirohej pas tre muajsh.

Qëndruam para ndërtesës gjersa u err. Rrugët u boshatisën dhe dritat e rrugës u ndezën. Në këtë kohë dy roje dolën nga godina dhe na urdhëruan të largoheshim.

Babait nuk ia thamë. Në të tjerët jetuam në ankth, deri sa erdhi dita e takimit. Shkuam në burg, duke mos ditur ç’na priste. Kërkuam të takoheshim me Arshinë. Atij i thirrën emrin. Qe gjallë! Arshiu u gjykua për here të dytë. Gjatë gjykimit, mori vesh vdekjen e vëllait, Myzaferit. Na qortoi që nuk e kishim njoftuar. Nuk ia kishim thënë për të mos e munduar edhe më, ndërkohë që brengën e kishim mbytur brenda vetes tonë. Kur vizitonim Arshinë në burg, hiqnim rrobat e zisë dhe vishnim ato normale. Kur Arshiu na pyeste për Myzaferin, i thoshim se ishte mirë, duke mbajtur në zemrat tona pikëllimin. Në korrik 1948, Arshiu u dërgua në kampin e punës se detyruar famëzi të Vloçishtit. Disa muaj më pas, në nëntor 1948, ai u dënua për herë të dytë me njëzet vjet dhe u transferua në kështjellën burg të Gjirokastrës”, – ka treguar Feime Pipa.

Arshi Pipa u revoltua më shumë, pasi mësoi se i vdiqën të vëllanë Myzafer Pipën, nën tortura dhe i zhdukën eshtrat. Arshi Pipa pas arratisjes nga Shqipëria, së bashku me të motrën Feime Pipa, në vitin 1957, jetoi si shtetas amerikan, por krijimtarinë e tij letrare, zgjodhi ta mbante të lidhur me vendin e tij të kodifikuar në gjuhë, në kohë dhe hapësirë. Arshi Pipa u arratis nga Shqipëria, kur kishte realizuar pjesën më të rëndësishme të veprës së tij, kryesisht atë që lidhej me studimet albanologjike dhe çështjet kombëtare. Ndërkohë diktatori Hoxha nuk do t’ia falte arratisjen, duke e cilësuar profesorin e shquar të universiteteve amerikane si “kriminel lufte” apo “kreun e reaksionit dhe armik të popullit”. Kur Arshiu doli në gjyq praktikisht për t’u dënuar në vitin 1946, aty e mori vesh se të vëllanë ia kishin vrarë. Sepse trupa gjykuese dhe prokurori i thanë: “Do të përfundosh edhe ti si yt vëlla?!” Kjo gjë e bëri atë të shpërthente dhe nga dy vjet që ishin nisur ta dënonin e dënuan 20 vjet, dhe nga këto ai bëri dhjetë. Prandaj ai iku se e dinte mirë se ç’ishte burgu stalinist. Ai ndërroi jetë në ‘97-n, për fat të keq, sepse ai kishte vendosur të kthehej përfundimisht në Shqipëri. Ai i la bibliotekën e tij Muzeut të Shkodrës.

JETA NË MËRGIM

Arshi Pipa emigroi në Shtetet e Bashkuara më 1959. Në fillim punoi si arkëtar në një hotel të Nju Jork-ut. Emërimi i tij i parë ishte në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas, ku ligjëroi për filozofi më 1960. Vitin akademik pasues, drejtoi departamentin e gjuhës italiane në City University, Xhorxhia, në “Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë” dhe në të njëjtën kohë jepte mësim filozofi, në “Kolegjin e Arteve të Lira” (verë 1961, dhe ’62). Ka qene pedagog i gjuhës italiane në universitetin Kolumbia në vitet 1961-62, dhe profesor i asociuar i gjuhës italiane, në universitetin e Delfit, Garden City, dhe, në të njajtën kohë, gjatë verës, dha filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira.

Në vitet në vazhdim ligjëroi tema filozofike në kolegjin Adelphi Suffolk. Nga viti 1963-66 ishte profesor i asociuar në vitin akademik 1963-64 në departamentin e gjuhës italiane, në universitetin e Kalifornisë, Berkley. Atje jepte kursin e letërsisë moderne italiane dhe drejtonte seminaret e kritikës letrare, (De Sanctis, 1963, Kroçe, 1964, Viko, 1965), po ashtu si dhe në gjuhën shqipe, letërsi dhe folklor më 1965, si dhe filozofi romake. Në vitin 1966, drejtoi disertacionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph.D). Përkrahu lëvizjen studentore të Berkley University të Kalifornisë, e njohun si “Free speech movement”, dhe u ba kritik i paanshem i poltikës. Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minesotas dhe Minneapolis, fillimisht si profesor i asociuar (1966-69), dhe më pas si profesor i gjuhës italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane (Departamenti i Gjuhëve Romane gjatë vitit 1968).

Arriti të jetë pjesëtar i Universitetit të Minesotes, si anëtar me të drejta të plota dhe gjithashtu kontribuonte në planifikimin, hartimin dhe ndarjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane. Programi për gradat e master-it u themelua në vitin 1968, ndërkohë ai ishte drejtues i programit master (“graduate school”) në gjuhën italiane. Temë-diplomat për master dhe disertacionet e PhD u shkruan dhe u miratuan nën drejtimin e tij. U ka dhënë mësim kurseve të ekstrakurrikulare të gjuhëve, të ndara në kurse të ulët dhe të larta, kurseve të qytetërimit dhe të kulturës në anglisht, dhe në veçanti, kurseve ekstra-kurrikulare për shkrimtarët e mëdhenj, (Dante, Bokaçio, Manzoni, Leopardi), në zhanret e “Poezisë kalorësiake”, “Letërsisë Utopike”, dhe temat krahasuese (Marksizmi dhe Ekzistencializmi në tregim dhe dramë), përfshi seminaret (Ungareti dhe Montale, Viko dhe Kroçe). U ka dhënë gjithashtu mësim bashkërisht, kurseve të diplomuara të gjuhëve Frënge dhe Italiane, (Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinë Italiane), duke pasuar me themelimin e programeve të masterit, në gjuhët frënge dhe italiane (1970), të konceptuar dhe hartuar me iniciativën e tij.

ANGAZHIMET

Me daljen në pension Arshi Pipa u vendos përfundimisht në Vashington, D. C., pranë së motres. Gjatë kësaj kohe u intensifikuen lidhjet e tij me “Vatrën” dhe “Diellin”. Gjithnji, ai ka qenë bashkëpunëtor i zellshëm i “Diellit”. Shqetësimet e tij për gjendjen e “Vatrës”, në këte kohë, dhe mendimet e tij për prosperitetin e saj, ai i shprehu, së pari, në “Dielli”, në artikullin e gjatë “Për riorganizimin e Vatrës”, (nr. i 16 gushtit 1983) dhe në Fjalimin e rastit të 28 Nandorit 1986, “Për shpëtimin e Vatrës”, që u botue në “Diellin” e 28 shkurtit, 1987. Më duket se Arshiu ka dhënë përcaktimin ma të saktë dhe ma të bukur për Vatrën: “Vatra asht nji monument historik i vetëdijes dhe kulturës kombëtare”.

Ai ka shkruar me dhimbje kraharori për gjendjen e mjeruar të “Vatrës” dhe ka vlerësue prestigjin e saj ndaj organizatave të tjera të diasporës, gja qi i jep mundësi e avantazh asaj t’i bajë nji sherbim të madh kombit, “i cili do të ketë vlerë më të madhe nëse Vatra mban një qëndrim sipërpartiak dhe sipërqeveritar”. “Ndërhymja e saj, shkruen Pipa, asht sidomos e randësishme ndër raste kur të drejtat e kombit shqiptar cenohen ose rrezikohen”. Në pranverë të vitit 1991, Pipa u zgjodh kryetar i “Vatrës”, pa qenë anëtar i saj, detyrë në të cilën qëndroi vetëm një vit, sepse në qershor të 1992-shit, nuk u rizgjodh. E mori kryesinë e “Vatrës” me të vetmin qëllim për ta vënë atë në shërbim të problemeve me rëndësi të jashtëzakonshme historike, që dolën para kombit tonë: zhvillimeve demokratike në Shqipëri dhe zgjidhjes së problemit të Kosovës. Gjatë kësaj kohe tepër të shkurtër, ai iu kushtua me të gjitha energjitë rimëkëmbjes së “Vatrës”, dhe kreu shumë punë me vlerë. Në “Albanica”, në nr. 3-4 të 1992-shit, në shkrimin On VATRA and Dielli, ai ka shkruar me hollësi për to. Arshi Pipa u nda nga jeta më 20 korrik 1997, në Uashington D.C./Panorama

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular