Policia ka vendosur në pranga në kushte spitalore 29-vjeçarin që dyshohet se shkaktoi aksidentin me dy viktima dhe 2 të plagosur, ditën e djeshme (30 Korrik) në rrugën e Plazhit, në Borsh.
Drejtuesi i “Benz”, Myfit Qevani raportohet se humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me automjetin tip furgon.
Për pasojë, shoferi i furgonit 66-vjeçari Kujtim Mehmeti, dhe pasagjerja, 70-vjeçarja me iniciale D. P., kanë humbur jetën në vendngjarje.
Ndërsa 29-vjeçari dhe pasagjeri në automjetin e tij, 23-vjeçari me iniciale P. A., janë transportuar në QSUT për ndihmë mjekësore të specializuar.
Myfit Qevani akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Borsh/Në vijim të veprimeve për dokumentimin e aksidentit të ndodhur më 30.05.2025, në rrugën e Plazhit, Borsh, ku humbën jetën dy shtetas dhe u plagosën dy të tjerë, u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, drejtuesi i automjetit tip “Benz”, shtetasi M. Q., 29 vjeç, banues në Vlorë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe është përplasur me një mjet të llojit furgon, që drejtohej nga shtetasi K. M., 66 vjeç, i cili së bashku me pasagjeren D. P., 70 vjeçe, ka humbur jetën në vendngjarje.
Drejtuesi shtetasi M. Q. dhe pasagjeri në automjetin e tij, shtetasi P. A., 23 vjeç, janë transportuar në QSUT, Tiranë, për ndihmë mjekësore të specializuar.