Të gjitha njësitë ekonomike bujqësore, përfshirë fermat bujqësore dhe blegtorale do të regjistrohen sipas një metodologjie të re dhe të përditësuar.
Ministria e Bujqësisë ka nxjerrë për konsultim publik Projektligjin “Për Censin e Bujqësisë”, qëllimi i të cilit është krijimi i bazës ligjore të konsoliduar për kryerjen e tij, duke marrë në konsideratë standardet ndërkombëtare.
Censi i Bujqësisë do të kontribuojë në sigurimin e të dhënave bazë të qëndrueshme në kohë, në përcaktimin e tipologjisë së fermës dhe madhësisë ekonomike të saj, krijimin e regjistrit statistikor të njësive ekonomike bujqësore dhe përgjithësimin e rezultateve të arritura në nivel rajonal dhe kombëtar bazuar në kriteret metodike të rekomanduara nga Eurostat, thuhet në relacion.
Censi përfshin të gjitha njësitë ekonomike, që kanë në përdorim tokë bujqësore apo që kryejnë aktivitet bujqësor ose blegtoral, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Njësitë ekonomike bujqësore, objekt i censit, tregtojnë plotësisht apo pjesërisht produktet e tyre, ose mbulojnë vetëm nevojat e tyre familjare.
Të dhënat e mbledhura nga njësitë ekonomike bujqësore, duhet të mbulojnë 98% të sipërfaqes së përdorur për qëllime bujqësore (me përjashtim të kopshtarisë) dhe 98% të njësive blegtorale brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Pyjet dhe kullotat në pronësi publike nuk përfshihen në fushën e zbatimit të këtij Censi.
Të dhënat e mbledhura nga Censi i Bujqësisë
Gjatë Censit të Bujqësisë mblidhen kategori të ndryshme të dhënash, të cilat përdoren vetëm për qëllime statistikore dhe në përputhje me standardet e Eurostat-it dhe OKB-së. Këto të dhëna përfshijnë: Kategoritë kryesore të të dhënave do të jenë të dhëna identifikuese dhe strukturore të njësive ekonomike bujqësore (NJEB), përfshirë formën ligjore të pronësisë dhe përbërjen demografike (gjinia, mosha); të dhëna mbi tokën dhe përdorimin e saj, përfshirë sipërfaqet e mbjella, pemtarinë, pyjet dhe kullotat;; të dhëna për blegtorinë, duke përfshirë numrin e krerëve sipas kategorive dhe bletarinë. të dhëna mbi metodat e prodhimit dhe karakteristikat e punësimit të personave të përfshirë në aktivitetet bujqësore.
Të dhënat do të përdoren gjithashtu për krijimin dhe mirëmbajtjen e Regjistrit Statistikor të Njësive Ekonomike Bujqësore, i cili administrohet vetëm nga INSTAT dhe nuk do të shërbejë për ndonjë regjistër tjetër administrativ.
Detyrimi për dhënien e informacionit dhe sanksionet me gjobë
Subjektet bujqësore kanë detyrimin të japin informacionin e kërkuar, përndryshe do të përballen me sanksione.
Më konkretisht, ligji parashikon se refuzimi për të dhënë informacionin e kërkuar ose dhënia e informacionit të rremë, dënohet me gjobë nga 30 mijë deri në 100 mijë lekë; mosrespektimi i rregullave të konfidencialitetit statistikor trajtohet dhe dënohet në përputhje me legjislacionin për statistikat zyrtare; subjektet apo organizatat që do të mbledhin informacion deri në 4 javë para Censit për njësitë ekonomike bujqësore dënohen me gjobë nga 30 mijë deri në 100 mijë lekë.
Për hetimin administrativ të kundërvajtjeve të parashikuara në këtë nen, INSTAT-i ka të drejtë të konsultojë bazat e të dhënave shtetërore në Republikën e Shqipërisë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Përmbledhje e shpenzimeve për Censin e Bujqësisë
Shpenzimet për realizimin e Censit të Bujqësisë do të mbulohen nga buxheti i shtetit dhe nga burime të tjera financiare të donatorëve. Vlera totale e projektbuxhetit të parashikuar është 890.91 milionë lekë, dhe ajo është e ndarë në disa zëra kryesorë si më poshtë:
Burimet njerëzore: 475.49 milionë lekë (rreth 53% e totalit), për pagesën e stafit teknik dhe mbështetës (anketues, kontrollorë, IT, GIS, financë, HR, ligjorë, etj.).
Shërbime udhëtimi dhe monitorimi: 17.13 milionë lekë, për mbështetjen e trajnimeve dhe monitorimeve në terren.
Pajisje dhe furnizime: 59.91 milionë lekë, për qira mjetesh transporti dhe blerje pajisjesh kompjuterike.
Zyra me qira: 28.74 milionë lekë, për ambientet e trajnimeve dhe zyrat e përkohshme gjatë zbatimit në terren.
Vizibilitet dhe shërbime të tjera: 186.83 milionë lekë (rreth 21% e totalit), për fushata publicitare, konferenca, publikime dhe asistencë teknike.
Shpenzime të tjera: 47.75 milionë lekë, për shërbime cloud dhe karburant për transport gjatë periudhës së censit.
Ky buxhet siguron mbështetjen e plotë për një realizim efektiv dhe të suksesshëm të procesit të Censit të Bujqësisë.
Kostot e drejtëpërdrejta gjithsej vlerësohen 815.85 mln lekë.
Kosto indirekte (max 7% e kostove të drejtpërdrejta) në vlerën 32.63 mln lekë dhe parashikim për rezervën e emergjencës (max 5% e kostove të drejtpërdrejta) në vlerën 42.42 mln lekë.
Referuar PBA 2024-2026, kërkesat buxhetore nga INSTAT-i për censin e bujqësisë për vitin 2024, kanë qenë 418,084,000 lekë. Kosto totale për Censin e Bujqësisë e cila nevojitet të mbulohet nga buxheti i shtetit është 890,910,000 lekë.